Sebepçiu, që i “tregoi” Servantesit, nga sa dihet, për herë të parë, udhën drejt Shqipërisë ka qenë Fan S. Noli (1882-1965). Në fatin e një mërgimtari të përjetshëm, që nuk arriti të çmallej mjaft me Atdheun, ai pat gjetur çuditërisht ngushëllim te romani, që rrëfente, jo thjesht hallet e zhgënjimet e një Kalorësi të arratisur nga Gadishulli Iberik, të cilin e nisi më 1932 për në cepin tonë të Ballkanit, që të seliste e ringjallte ca shpresa dhe ëndërrime të porsashembura.
Nga Alfred Uçi
Aq fort i pat pëlqyer ky roman, sa që vendosi ta shqipërojë dhe me këtë akt vulosi vizën e hyrjes së romanit “Don Kishoti”, të cilin e bëri një kumt për bashkëbisedim me ata që vazhdonin t’i besonin Dhespotit emigrant. Qysh nga SHBA, para se të mbrinte ekzemplari i parë i librit në Shqipëri, Fan Noli iu drejtohej lexuesve shqiptarë me këto fjalë:
“Ka nja njëzet a tridhjet kryevepra letrare, të cilat s’duhet të vdesë njeriu para se t’i këndonjë. Një prej këtyre është “Don Kishoti” i shkrimtarit spanjoll, Servantesit. Kemi nisur ta botojmë në “Republikën” që prej dy javësh. Është dhurata më e lezeçme që mund t’ju bëjmë, këndonjës të dashur. Jemi të sigurt që do ta shijoni. Është e pamundur të mos ju pëlqejë. Këndojeni me vërejtjen që meriton. Duket që nga kaptinat e para çfarë është. Don Kishoti është një fantazmë, që ka ikur nga muzeu i kohës së mesme dhe po shëtit në Spanjën gjysmë të modernizuar të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Të vjen të qash e të qeshësh me ato që thotë e që bën”.
Autoritetet shtetërore me zor e lanë të hynte dhe u përpoqën ta sakatonin, duke ndaluar “Introduktën”(parathënien), e shkruar nga përkthyesi, ku paraqiste domethënien e këtij romani dhe rëndësinë që do të kish kjo dhuratë për shqiptarët e asaj kohe. Regjimi zogollian pati frikë nga kumti i shqipëruesit, por shërbëtorët e paditur të censurës së tij, nuk u treguan të aftë të kapnin enigmën e vërtetë të romanit dhe do të jenë shkulur së qeshuri me aventurat “e lezeçme” të një të marri të padëmshëm; u mjaftuan të ndalojnë “Introduktën”, që s’ia patën marrë vesh kuptimin.
Deri sot nuk e kam shkoqur të vërtetën, përse në shtëpinë time pat shpëtuar një kopje e librit, që e kishte “Introduktën” e Nolit, ndonëse kurrë nuk rreshtnin bastisjet sidomos të bibliotekës dhe letrave në përgjithësi të familjes sime. Për herë të parë këtë libër e pata lexuar në moshën e adoleshencës dhe mbaj mend mirë se ç’kënaqësi të madhe më dhuroi historia e habitëshme e qesharake mbi aventurat zbavitëse të Kalorësit të Mançës e të shqytarit të tij besnik, Sanço Pançës.
Qysh nga leximi i parë, “Don Kishoti” më ndihmoi të kuptoja se ç’forcë magjepëse kanë ca libra, që të pushtojnë, të robërojnë dhe të pëcjellin gjithë jetën. Pastaj, kur jeta tregohej dorështërnguar në gëzime dhe sa herë ajo të mashtronte me eufori shpresash të kota, sa herë kam pasë ndier zbrazëti gërryese ose kam qenë pushtuar nga valë trishtimi e hidhërimi, kam zgjatur dorën në raftin e librave të parapëlqyer dhe kam gjetur ngushëllim e kënaqësi të mirëfilltë, duke rilexuar librin mbi aventurat e të famshmit Don Kishot.
Edhe tani në ditë gëzimesh, por edhe dramatike, kur njerëzit janë të mbingarkuar me ëndrra të humbura e me shpresa të vrara, që përcillen me pasiguri e shqetësime të shumllojshme para grykës së tunelit të errët të jetës, diku larg, nga fundi i të cilit njerëzit besojnë të takojnë Arkadinë Përrallore, pra, edhe në këtë kohë, që e quajmë, për mirë e për keq, “kohë tranzicioni”, kam nisur qysh nga viti 1995 një varg esesh për romanin e Servantesit, duke qenë fort i bindur se “Don Kishoti” është libër që dialogon edhe me kohën tonë.
Për këtë qëllim zgjodha po atë këndvështrim, që e përdora edhe për tre librat e tjerë të asaj kohe: “Shekspiri në botën shqiptare”(1996), “Dostojevski në kohën tonë”(1997) dhe “Ferr-Parajsa e Dante Aligierit” (1998). Kërkonja të sqaronja në kushtet e lirisë së mendimit për vete e për lexuesit tre pyetje që i kisha pasur peng: Cili është shkaku themelor estetik, që zënë vend të patundur në historinë e letërsisë botërore, ca libra, që përfshihen në çdo listë me emrat më të paktë të gjenive të fushës së letërsisë? Ku qëndron universaliteti i vlerave dhe i mesazheve të veprave të tilla, që dialogojnë me shumë shekuj të qytetërimit njerëzor? A na rrëfejnë ndonjë gjë të rëndësishme edhe për historinë e jetën e kombit tonë, për të sotmen e t’ardhmen tonë? Këto pyetje e ky këndvështrim më nxitën, gjithashtu, të shprehesha edhe për Servantesin e romanin e tij “Don Kishoti”.
Fan.S.Noli ka meritë të trefishtë ndaj lexuesit shqiptar për takimin e parë që organizoi me Servantesin dhe me romanin “Don Kishoti’’. Në kushtet e motit të zgjatur të zbrazëtive të njohjes të lexuesit shqiptar me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, ua bëri të mundur bashkatdhetarëve të shkolluar kontaktin me kryeveprën e Servantesit, duke ia shtuar kështu listës së përkthimeve që kish hartuar me kujdes për t’i shqipëruar. Kjo zgjedhje, me siguri duhet të ketë pasur kuptim të dyfishtë në kohën, kur Shqipërisë i ishte imponuar përdhunshëm, e ashtuquajtura “Mbretëri”, si një akt vërtet donkishotesk, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Nuk duhet të kishte qenë aspak e thjeshtë dhe aq e vogël kjo dëshirë e përkthyesit, sepse ato kohë kish asish, siç vazhdon të ketë edhe tani, njerëz që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj, të cilën mund ta përdornin për të fituar lavdi e famë, të paktën, sançopançiane, domethënë jo aq shpirtërore se sa materiale, financiare, duke përkthyer e vënë në qarkullim romane si “Ura e Psherëtimave” ose, siç po ndodh edhe në ditët e sotme, ndonjë roman tejet të munguar me përmbajtje të mirëfilltë pornografike, nga ato më të shitshmit e më fitimprurësit, ndoshta, për t’i dhënë një dorë të munguar shpejtimit të stërzgjatur për t’u përfshirë “kulturalisht” në Bashkimin e adhuruar Evropian, që shumëkush e barazon me “Arkadinë” e ëndërruar të Don Kishotit.
Fan Noli nuk e përktheu, por e shqipëroi një prej veprave më të mëdha e më të vështira të letërsisë botërore dhe na kumtoi një mesazh të vlefshëm për të mësuar edhe lexuesit e sotëm të njohin e t’i dallojnë midis përkthyesve të kohës sonë, që turren për të fituar pakëz lavdi me dy mënyra: Ose duke shtuar apo ndrequr diçka nga vepra të përkthyera më parë, që shpejtojnë t’i ribotojnë për të fituar ose duke i përkthyer vetë për herë të parë po, ama keq, shumë keq, vepra të shquara me qëllim që të ngjyejnë kafshatën e famës së tyre në lëngun e përkthimeve që katranosin me lejë e pa lejë.
Në të tilla raste, është më mirë ta braktisësh këtë zanat të vështirë, siç bënte Kalorësi guximtar i famshëm Don Kishoti, kur e kuptonte se s’ish i zoti të përballonte një “ushtëri” të mbrapshtë të armatosur bagëtish. Me këtë nuk duam të themi se çdo kryevepër e përkthyer një herë, nuk bën të ripërkthehet edhe herë tjetër për më mirë se, fatbardhësisht, tashmë ekzistojnë mjaft përkthyes të aftë që nuk kanë për t’u turpëruar, duke u krahasuar me kryemjeshtrat e njohur të shqipërimeve.
Për kulturën shqiptare përkthimi i “Don Kishotit” ka jo vetëm meritën e shqipërimit të një kryevepre, që ishte përkthyer në gjithë gjuhët e botës, por ka qenë edhe një kontribut i shquar në begatimin e gjuhës sonë, që dëshmohet e begatë si edhe spanjishtja e Servantesit; madje përkthyesit e rinj kanë një model të përsosur shqipërimi, nga i cili mund të mësojnë mjeshtërinë e vështirë në këtë fushë të kulturës. Lexuesi ynë ka qenë me fat të mbarë, që edhe vëllimi i dytë i “Don Kishotit” meriton lëvdata të mira, i shqipëruar mjeshtërisht nga Petro Zheji.
Në dy botimet e fundit,1976 dhe 2006, të “Don Kishotit” është ruajtur varianti fanolian i përkthimit të vëllimit të parë për të mos harruar vlerat e asaj pune të madhe të bërë nga Fan Noli për ta begatuar intelektualisht lexuesin shqiptar. Habitesh se ç’fuqi e madhe është përdorur nga Peshkopi në një kohë, kur mbyllte një varg shtegtimesh tragjike dhe betejash të humbura, të ngjashme me ato të Don Kishotit, instrumentat e të cilave nuk i zëvendësoi me armë të hekurta, por me ato libra dritëdhënëse, që i kujtoi Kalorësi i Fytyrës së vrerosur në çastin e fundit të jetës së tij heroike.
Noli ka meritën se në “Introduktën”, parathënien, por edhe në materiale të tjera ka dhënë një interpretim vërtet origjinal të kuptimit të romanit në përgjithësi dhe të kryheronjve të tij, Don Kishotit e Sanço Panços, duke dashur të bëjë një paralelizëm të saktë dhe interesante me problemet e rënda sociale, që ishin grumbulluar në realitetin e atëhershëm të vendit tonë, kur një varg personalitete të shquar të mendimit e letrave shqipe në vitet ’30 ishin të shqetësuar dhe meditonin për to dhe shprehën pikpamje që janë interesante edhe për kohën tonë.
Para botimit të “Introduktës”(Parathënies”) bashkë me romanin e përkthyer në gazetën “Republika” qysh më 1930 Fan Noli pat botuar artikullin me pyetjen: “Don Kihoti apo Don Kishoti?”; me sa duket, shfaqte shqetësimin e tij për t’ia përshtatur edhe emrat e përveçëm dhe llagapet gjuhës popullore shqipe, duke mos e cënuar kuptimin specifik që kishin në tekstin spanisht, herë si tituj fisnikërie (sojllijsh) e herë emra popullorë të folklorit. Me këtë hap dhe në aspekte të tjera linguistike Fan Noli të habit me përshtatjen e bukur jo vetëm gjuhësore të romanit spanjoll, por edhe me interpretimin origjinal të tekstit spanisht përqasur kontekstit specifik social, historik e kulturor të Shqipërisë së atëhershme.
Ky interpretim nxiti qysh në atë kohë mendimin kritiko-letrar e social-politik dhe estetik të personaliteteve për ta bërë objekt diskutimi kuptimin dhe rëndësinë e “Don Kishotit” për vendin tonë. Fan Noli i përmbahet një të vërtete historike për Spanjën. Por sipas tij, po kështu pakashumë ka qenë gjendja edhe në Shqipërinë e viteve 20-30, kur ruheshin bastione të forta të feudalizmit mesjetar dhe kur po futeshin edhe elementet e kapitalizmit fillestar, domethënë një gjendje midis prapambetjes dhe përparimit.
Dhe pikërisht përmes këtij paralelizmi Fan Noli arrin të shprehë jo vetëm përfytyrimin e tij për fakte historike, por edhe për kuptimin e vlerësimin që do të gjenin kryeheronjtë e romanit të Servantesit në Shqipërinë e atyre kohëve të shtegtimit të tyre të parë; prandaj edhe u drejtohet njëkombasve me rekomandimin që ta mirëpresin Don Kishotin, sepse libri i mençur i Servantesit do t’i ndihmonte për t’u njohur me ca të vërteta të jetës së tyre, që nuk kapen për shkak të përditshmërisë monotone të jetës së rëndomtë:”E kini,- u thosh përkthyesi lexuesve,- njëkombas, arnaut të kulluar, me silah e tizga, që me kokën prapavajtëse i bien trimërisht murit modern të çeliktë”. Ka qenë një meritë historike e Fan Nolit, që themeloi me idetë e tij një shkollë të vërtetë të mendimit kritiko-letrar qysh në gjysmën e parë të shek.XX./ ObserverKult