Milan Kundera: Sot, pa Brodin, Franz Kafkës nuk do t’i dinim as emrin…

milan kundera
Milan Kundera

Sot, pa Brodin, Kafkës nuk do t’i dinim as emrin. Menjëherë pas vdekjes së mikut, Brodi botoi tre romanet e tij. Pa jehonë. Atëgrimë shkoqiti se, për t’u imponuar vepra e Kafkës, duhet të ndërmerrej një luftë e gjatë dhe e vërtetë.

Të imponosh një vepër don të thotë ta paraqesësh atë, ta interpretosh. Ky ishte për Brodin një sulm i njëmendtë artilerie: parathënie: për Procesi (1925), për Kështjella (1926), për Amerika (1927), për Përshkrimi i një beteje (1936), për Ditari dhe letrat (1937), për tregimet (1946); për Bisedat e Janouch-it (1952); pastaj dramatizimet: i Kështjella (1953) dhe Amerika (1957); por përveçmërisht katër libra të rëndësishëm interpretimi (vëreni mirë titujt!):
Franz Kafka, biografi (1937), Besimi dhe edukimi i Franz Kafkës  (1946), Franz Kafka, ai që rrëfeu udhën (1951), dhe Dëshpërimi dhe Shpëtimi në veprën e Franz Kafkës (1959).
Në këto tekste, imazhi i skicuar tek Mbretëria e lumtur e dashurisë është vërtetuar dhe zhvilluar më tej: Kafka, para së gjithash, është një mendimtar fetar, der religióse Denker. Është e vërtetë që ai nuk “ ka dhënë kurrë një shpjegim sistematik të filozofisë dhe konceptimit fetar të botës. Megjithëkëtë ajo del nga filozofia e veprës, veçanërisht nga aforizmat, por dhe nga poezia, letrat, ditarët, dhe mënyra e jetësës (sidomos ajo)”.
Më tej: “Nuk mund të kuptohet rëndësia e njëmendët e Kafkës, nëse nuk përshquajmë dy rrjedha në veprën e tij: 1) Aforizmat, 2) Tekstet narrative (romane, tregime).
“Kafka shpërfaq në aforizma “das pozite Wort”, fjalën pozitive, besimin , thirrjen e ashpër për të ndryshuar jetën vetjake të çdo individi.”.
Në romane dhe tregime ai “përshkruan ndëshkimet e llahtarshme , të paracaktuara për ata që nuk duan të dëgjojnë fjalën (das Wort) dhe nuk ndjekin rrugën e mbarë.”
Vëreni mirë hierarkinë: lart: jeta e Kafkës si shembull që duhet ndjekur; në mes: aforizmat, medemek pjesë thëniesh “filozofike” nga ditari i tij; më poshtë vepra narrative.
Brodi ishte një intelektual i shkëlqyer me një energji të jashtëzakonshme; një njeri bujar, i gatshëm të luftonte për të tjerët. Lidhja e tij me Kafkën ishte e ngrohtë dhe e painterestë. Fatkeqësia nuk qëndron veçse tek orientimi artistik: njeri i ideve, ai nuk e njihte atë që është pasion i formës; romanet e tij (ka shkruar nja njëzët sosh) janë trishtueshmërisht konvencionalë; dhe veçanarisht: nuk kuptonte kurrgjësend nga arti modern.
Megjithatë, përse e donte asisoshëm Kafka? Ju vetë, a do të reshtnit ta donit një mik, vetëm ngase ka maninë të shkruajë vargje të këqija?
Ndërkaq njeriu që shkruan vargje të këqija bëhet i rrezikshëm sapo fillon të botojë veprën e mikut poet.
Le të hamedësojmë sikur komentuesi më me ndikim i Pikasos të qe një piktor që nuk arrinte të kuptonte impresionistët. Çfarë do të thoshte për pikturat e Pikasos? Sipas gjasave të njëjtën gjë që Brodi thotë për romanet e Kafkës: që ata na përshkruajnë “ndëshkimet e llahtarshme, të paracaktuara për ata që nuk ndjekin rrugën e mbarë.”

*Shkëputur nga libri i Milan Kunderës: “Testamentet e tradhtuara

Përktheu: Balil Gjini

Përgatiti: ObserverKult

============================================

LEXO EDHE:

Milan Kundera: Unë kam lindur më 1 prill…