Fati i mallkuar i Francis dhe Zelda Fitzgerald…

Një nga shkrimtarët e mëdhenj amerikanë, Francis S Fitzgerald lindi më 24
shtator 1896, në St. Paul, Minesota, SHBA, shkrimtar dhe romancier i tregimeve
të shkurtra, i famshëm për përshkrimet e “epokës së xhazit” (vitet 1920),
romani i tij më i njohur “Getsbi i madh” (1925).

Autori i romaneve, novelave dhe skenarëve për Hollywood, fati tragjik i Francis Skot Fitzgerald më në fund do të ndiqte një kurs të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara. Mes viteve të zhurmshme, rënies së viteve 1930 dhe praninë e Luftës së Dytë Botërore.

Jeta e tij private, me bashkëshorten, Zelda, në Amerikë dhe Francë, u bë thuajse po aq e famshme sa romanet e tij.

Krijimtaria e F.S.Fitzgerald? Një akt i përjetshëm dashurie për të kuptuar Zeldën, për ta bërë atë për vete, për të hyrë në çmendurinë e saj.

Francis Skot Fitzgerald dhe Zelda Sayre: një çift mitik nga letërsia, Amerika, Franca… Sepse jeta e Francis Fitzgeraldit jetohet si një kronikë dhe lexohet si një legjendë. Shpesh konsiderohet si një nga udhëheqësit e “Brezit të Humbur”, kurse me Zeldën formuan një nga çiftet më të shquara të viteve të zhurmshme. Marrëdhënia e tyre e trazuar, trazirat psikologjike të Zeldës dhe shkrimet e saj intime e ushqyen së tepërmi krijimtarinë e Fitzgeraldit.

Shkrimtari i famshëm kishte një imagjinatë tepër romantike

Zelda ishte një nga gratë që ndryshoi vitet 1920. Fill pas publikimit të “Ana tjetër e parajsës”, shkrimtari u martua me Zeldën. E bukur dhe e paparashikueshme, ajo ishte një inspirim i madh për gjeneratën e “vajzave të lira” për të cilat Fitzgerald shkroi shpesh në novelat e tij. Ajo pinte duhan dhe alkool në publik, bënte shaka të rrezikshme dhe ishte piktore, kërcimtare dhe shkrimtare e arritur.

Mirëpo, jetët e tyre mahnitëse do të hasnin tragjedi në vitet 1930. Fitzgerald u shndërrua në një të alkoolizuar, çka i shkaktoi probleme në të shkruar, ndërsa Zelda pësoi goditje mendore dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës nëpër spitale. Suksesi i “Ana tjetër e parajsës”, e bëri Fitzgeraldin të jetonte në një vorbull shfrenimesh, mes xhazit, festave dhe alkoolit.

Mirëpo, pas imazhit euforik të viteve të çmendura dhe sukseseve letrare, fshihej një fat i thyer. Pas imazhit të gringos së paqëndrueshëm, fshihej një shkrimtar i talentuar, tërheqës dhe poetik. 

Shkrimtari i famshëm kishte një imagjinatë tepër romantike, madje dikur e quajti “një ndjeshmëri të tepërt ndaj premtimeve të jetës”, duke u angazhuar për t’i realizuar ato premtime.

Edhe pse gjatë jetës studentore si në Akademinë “St. Paul” (1908-1910), ashtu edhe në shkollën “Newman” (1911-1913), u përpoq shumë, ai nuk u bë popullor. Ndërsa në Universitetin Princeton ai iu qas realizimit të ëndrrës drejt një suksesi të padiskutueshëm. U bë figurë e shquar në jetën letrare të universitetit dhe krijoi miqësi gjatë gjithë jetës me Edmund Wilson dhe John Peale Bishop, ishte një nga drejtuesit e Klubit “Triangle”, klub i rëndësishëm shoqëror. Një shoqëri dramatike dhe u zgjodh në një nga klubet kryesore të universitetit, ra në dashuri me Ginevra King, një nga bukuroshet e brezit të saj.

Getsbi i madh, perëndimi

I pasur, i fuqishëm, ziliqar, Xhei Getsbi është mbreti pa kurorë i Uest Egut. Në rezidencën e bollshme përgjatë Hudsonit, Long Island, ai është nikoqiri i pakapshëm i një rezidence luksoze dhe ekstravagante, të cilën e ushqen me ballo bujare. Megjithatë, ai nuk është i lumtur: nga misteri i së kaluarës i buthton hera-herës kujtimi i një dashurie të madhe rinore.

Getsbi ndjek me dëshpërim ëndrrën për të gjetur Deizin, për të ringjallur lidhjen me gruan që e refuzoi, i varfër dhe pa perspektivë, për t’u martuar në një nga familjet më të mëdha amerikane. Atij i duhet të vërë në lojë tërësisht peshën e sharmit dhe fuqisë së tij por kjo do të shërbejë vetëm për t’i dhënë jetë një çmendurie të ëmbël, e destinuar të përfundojë në tragjedi. 

Botuar në vitin 1925, ky ishte romani i tij i tretë dhe, mbi të gjitha, një dështim. Megjithatë, në ditët e sotme ai është romani më i famshëm amerikan në botë. “Getsbi i madh”, një mit letrar, një shkrimtar që mishëron në mënyrë të përsosur të dy anët e ëndrrës amerikane: euforinë dhe melankolinë.

Euforinë e suksesit, famës dhe pushtimit, nga ana tjetër melankolinë e të paarritshmes, melankolinë e brengave të agimit- kjo është tragjedia e një njeriu, që nën
sipërfaqen e jetës së tij të admirueshme, fsheh një sekret, apo një dëshirë të heshtur, nga ato që s’përmbushen kurrë.

Shpirti i njeriut si një kasafortë e pahapshme

Shpirti ynë nuk ka fund, shpirti ynë është një vend i sigurt, i pathyeshëm, ku mund të ruhen emocione, mendime, ndjesi, përvoja. Për shkrimtarin, nuk ka periudha të errëta, dhimbje, ndryshime, që në një farë mënyre mund të fshijnë disi pasurinë tonë të brendshme, sepse atë që jemi në gjendje të mësojmë, duke jetuar plotësisht, nuk mund ta harrojmë. Thelbi ynë, nëse ruhet, ushqehet, do të jetë gjithmonë i paprishshëm. Mësimet e Francis S. Fitzgerald na vijnë drejtpërdrejtë, duke na kujtuar se nuk ka rëndësi se çfarë ndodh jashtë, pasi formimi i unit, kulturës dhe pasurimit emocional nuk do të shkatërrohet kurrë. 

Megjithëse kishte të ardhura të mjaftueshme, asnjëherë nuk pati një shtëpi dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës në shtëpi me qera, apartamente apo hotele luksi. Midis viteve 1920-1940, ai jetoi në Nju-Jork, Konektikat, Minesota, Long Island, Paris, në Rivierën Franceze, Romë, Los Anxhelos, Delaware, Zvicër Baltimorë dhe Karolinën e Veriut. Të krijohet përshtypja sikur shkrimtari donte t’i arratisej jetës së festave, duke kërkuar paqen dhe qetësinë për të shkruar, por kishte raste kur shpërngulej në qytetet ku Zelda ishte shtruar në spital.

Fitzgerald pati miqësi të ngushtë me Ernest Heminguejin

Fitzgerald pati miqësi të ngushtë me Ernest Heminguejin. Edhe pse mund të duken si një dyshe e çuditshme, dy autorët u bënë miq shumë shpejt pas një takimi në Paris në vitin 1925. Miqësia e tyre u komplikua nga mospëlqimi i Ernestit kundrejt Zeldës, të cilën, ai e përshkroi si “e çmendur” dhe një shpërqëndrim për Fitzgeraldin. Miqësia e tyre u ftoh në fund të viteve 1920, duke e sulmuar vazhdimisht njëri-tjetrin më pas.

Unë jam produkt i një mendjeje që nuk di se çfarë dëshiron në një brez të brengosur.
Në fillim ti merr një pije, pija merr një tjetër pije e në fund, pija të merr ty.
Po nuk mendove vetë, mendojnë të tjerët për ty. Të heqin pushtetin e të shtrembërojnë shijet natyrore, të civilizojnë e të sterilizojnë.
Rinia e të gjithëve është një ëndërr, një formë çmendurie kimike. 
Kur je vetëm në trup e në shpirt ke nevojë për vetmi, por vetmia shkakton tjetër vetmi. 
Njerëzit egoistë janë tmerrësisht të aftë për dashuri të mëdha.
Edukatën secili e mëson në shtëpi të vet, përndryshe bota ta shpjegon me kamxhik.
Ishte lloji i zërit që veshët ndjekin sikur çdo fjalë të ishte një aranxhim notash që nuk do të luhen kurrë më.

Me një jetë të shkurtër, Francis Fitzgerald arriti të ndërtonte panteonin e tij letrar. Kur vdiq, në moshën 44-vjeçare, në vitin 1940-të, pothuajse u harrua. Pesë vite më vonë, “New Yorker” do të botonte një përmbledhje të tregimeve të tij, që do të fitonin menjëherë vëmendjen e kritikës dhe lexuesit. Prej atëherë, Fitzgerald ekziston përmes librave që vijojnë të botohen në çdo gjuhë të botës./Konica.al

—————-

Lexo edhe:

Letra e Hemingwayt për F. Scott Fitzgeraldin: I dashur Scott, harroje tragjedinë tënde