Sokrat Habilaj: Ti u bëre nuse në një kohë të largët…

sokrat habilaj
Sokrat Habilaj


Ti u bëre nuse në një kohë të largët,
Ku shumë gjëra, ishin aq të trishta.
E nuset shumë gjëra kishin mangët,
Prapë je më e bukura, nga të gjitha.

Tani që nga ajo kohë, s’mbeti asgjë,
Nuset ndrijnë nga gjerdanët e lulet.
Doni ndonjë lot!? Prisni kot për të,
E ti që qave, je e bukur sa s’thuhet.

Unë kërkoj për ty, kërkoj një detaj,
S’gjej stoli, a fjalë shkruar në letër.
Po më thuaj, çfarë ke marrë si pajë,
Që je e bukur, si asnjë nuse tjetër!?

Veç një imazh malli, ngrirë si gurë,
Që e le pas në portë, mbeti si ishte.
Nëse ka një të fshehtë që të jep nur,
Është loti që ti hodhe për të, në ikje.