Një jetë me regjinë dhe letërsinë: Lamtumirë Gjergj Vlashit, “babait” të varietesë dhe përkthyesit të parë të Kafkës

“Jeta nuk është çështje sasie, por cilësie”, do të rrëfente Gjergj Vlashi, ndërsa kishte prekur 9 dekada jetë, të cilat i mbushi me vepra humane, letrare e artistike.

Intelektuali i rrallë, pasionant “i çmendur” i punës , të cilën nuk e ndali as gjatë viteve të fundit të jetës, shkrimtari, përkthyesi e regjisori durrsak, u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 92-vjeçare.

Me qytetin e tij të lindjes, ku dha edhe frymën e fundit, lidhjet i ruante aq të forta sa dhe gjurmët që la në historinë letrare, e veçanërisht atë teatrale që themeloi bashkë me të tjerë artistë. Ndonëse në teatrin amator kishte debutuar që prej viteve të para të pasluftës me shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë” etj., punën në regji e nisi në klubin e portit detar, ku edhe u emërua si regjisor në vitin 1957.

Vetëm tri vite më vonë do të shënonte hapin e madh si “babai” themelues i varietesë, duke punuar si regjisor në Estradën e Durrësit. Me përkushtimin ndaj artit e dëshirën për të sjellë çdo herë në skenë elemente të reja, ai u bë shumë i dashur për publikun përmes estradës në qytete të tjera si Vlora, Pogradeci, Shkodra etj. Vlashi vuri në skenë mbi 120 shfaqje të teatrit dramatik dhe të varietesë dhe fitoi disa çmime të para në festival. Ai shënoi 40 vite si regjisor profesionist derisa pas viteve ’90 u përqendrua në krijimtarinë e tij letrare e përkthime të reja. Me urtësinë e tij tregonte se për krijuesit është tejet i rëndësishëm momenti i tërheqjes, “edhe kur bëhet fjalë për punën më të dashur”.

Gjatë 2 dekadave të fundit udhëtimet (si dhe jetesa për periudha të caktuara në Spanjë apo Amerikë te fëmijët) e kishin ndihmuar të pasuronte edhe më krijimtarinë e tij. Njohja e disa gjuhëve të huaja, si rusishtja, italishtja, spanjishtja etj., ia kishin bërë shumë më të lehtë të përshkonte qytetet e mëdha, ato të shkrimtarëve që dikur kishte përkthyer, duke zbuluar më në thellësi një botë të panjohur për krijuesit që njohën diktatin komunist.

Siç do të rrëfente gjatë viteve të fundit me thjeshtësinë që e karakterizonte, Vlashi gjatë këtyre vizitave jashtë kufijve do të krijonte lidhje edhe me mjaft njerëz të njohur të artit, kulturës e letërsisë. Një njeri si ai, që e bëri botën e jashtme të tijën përmes librave e artit gjatë komunizmit, kishte se ç’tregonte edhe gjatë bisedave me autorë të Çmimit Nobel, si spanjolli Kamilo Sela dhe portugezi Hoze Saramago.

Përkthyesi i parë i Kafkës, dhe 45 vepra si trashëgimi

Franc Kafkës, prej Gjergj Vlashit që është edhe përkthyesi i parë i tij e “Vepra e Plotë” e sjellë në shqip nga Ardian Klosi, nuk i cenohet “vendi i nderit” në letërsi. Vlashi e nisi përkthimin e shkrimtarit të njohur të shekullit të XX-të me kryevepra si “Metamorfozat” dhe “Procesi”.

Ai ka sjellë në shqip edhe një sërë përkthimesh nga autorë të vlerësuar si Dino Buxati, Jose Saramago, Agata, Kristi, e deri te shkrimtarët hispaniko-amerikanë (të “Amerikës spanjolle”) të shekullit të XX-të. Ka shkruar afro 45 vepra letrare, si “Kulla e zhabinëve”, “Tregim i ëndërruar”, “Kryetari i madh” etj. Gjithashtu, ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin.

Një kontribut të vyer ka dhënë edhe në Institutin e Lartë të Arteve, ku punoi për disa vite si pedagog i jashtëm. Vlashi ishte vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”./Anila Dedaj-Panorama.com.al/