“FerFilm” mbyllet me përvoja mahnitëse mes kohës paradoksale

Për pesë ditë me radhë publiku ferizajas përjetoi mbi dyzet prodhime kineaste të metrazhit të shkurtër. Dhjetëra regjisorë të rinj, të njohur e të panjohur, nga Brazili, Argjentina, Peruja, Bolivia, Afrika e Jugut, Togo, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda e të tjera kanë shprehur interesim për të qenë pjesë e festivalit ndërkombëtar të filmit “FerFilm”.

Mbrëmjen e së martës, në Galerinë e Arteve në Ferizaj, juria ka shpallur vendimet për fituesit e edicionit të sivjetmë, të tetin me radhë në historikun e këtij festivali.

Alexandre Estevanato është regjisori nga Brazili i cili, me filmin e tij “Tightness”, ka marrë çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, është bërë e ditur në faqen zyrtare në Facebook të Komunës së Ferizajt.

Edhe një tjetër regjisor nga Amerika Jugore ka marrë vlerësimin e jurisë së Festivalit: Alberto Flores Vilca nga Bolivia është shpallur fitues për dokumentarin më të mirë të shkurtër “Mother Rain”.

Po ashtu, çmimi për animacionin më të mirë të shkurtër i është dhënë filmit “Black Lead”, i cili është bërë nga animatorët francezë: Arthur Valter, Robin Delmond, Fanny Lambert, Lino Talfer, Noémie Six dhe Théo Emsellem.

Po në Francë ka shkuar edhe çmimi special për “Je regarde” (Creative Animation), e cila është kompani animacioni e themeluar më 2009.

“Një përvojë kaq mahnitëse në këtë kohë paradoksale”, ka qenë mesazhi i organizatorëve të “FerFilmit” drejtuar filmbërësve, miqve dhe mysafirëve të këtij edicioni.

Juria e përbërë nga Fatlum Haziri, regjisor, Adem Zhinipotoku, aktor, dhe Ana Jakimska, regjisore nga Maqedonia e Veriut, ka pasur para vetes 47 filma të metrazhit të shkurtër që garuan në katër kategoritë e festivalit: animacion, dokumentar, thriler dhe eksperimental.

Interesimi për edicionin e sivjetmë kishte qenë tejet i madh. Aty kishin aplikuar edhe regjisorë nga vende si Brazili, Argjentina, Peruja, Bolivia, Afrika e Jugut, Togo, Irani, Izraeli, Polonia, Irlanda, e të tjera.

I nisur si festival më 2013, “FerFilm” ka ambicien që të promovojë kulturat dhe vlerat universale botërore përmes filmit.

Gjenerata e re e filmbërësve që u krijua në vitet e pasluftës, sidomos në Ferizaj, ishte bërë sebep që 8 vjet më parë të lindte ideja për një eveniment të tillë, transmeton ‘koha.net’.

Me logon karakteristike që paraqet një vijë të drejtë dhe pastaj të degëzuar – si simbol i bifurkacionit të lumit Nerodime – festivali është kthyer në një nga evenimentet kryesore kulturore në Ferizaj.

Ndonëse është festival i profilizuar kryesisht për filma të metrazhit të shkurtër, “FerFilm” të premten qe hapur me shfaqjen e filmit të metrazhit të gjatë “Shpia e Agës”, të regjisores Lendita Zeqiraj. Ceremonia ishte mbajtur në sheshin kryesor të qytetit, dhe organizatorët e kishin cilësuar si edicion sfidues. Organizatorët kishin planifikuar që “FerFilmi” të mbahej në muajin prill. Por rrethanat e reja, të krijuara si pasojë e pandemisë së koronavirusit, kishin bërë që ai të shtyhej.