Prita gjatë, shumë gjatë sa një shekull
aq gjatë sa vetmia më dha trishtim
nga ti nuk pritja perëndimin e diellit,
pritja vetëm agim.
Kumti yt dehës dhe i ndrojtur
nuk prita të ndodhte asnjëherë
por ti ke zemër të madhe,
si mali me borë mbuluar
hapur më le një portë përherë.
Ishte vjeshtë. Dafinat shtrirë përdhé
era i shpupuriste gjithë mundim
në ballkonin e apartamentit bri udhës
një vajzë e dehur nga dashuria,
me hijen e saj luante valsin gjithë pikëllim.
Nga ulluqet e shtëpisë së braktisur
rridhte shiu përzieshëm me erë
ike bashkë me vjeshtën kur mbolle dashurinë
afër krizantemave për të mbirë në prill.
U ktheva prapë në shtëpinë midis pyllit
me valsin e vjeshtës drobitur nën sqetull
një piano diku larg luante pa dalzotësin
si vajza në ballkon me hijen e saj të vdekur.