Nga: Ledia Dushi
Poezitë e para të Ilir Belliut botuar te “Prelude Poetike” e sollën tek unë si një poet të vërtetë, Lexohej pa asnjë vështirësi, larg letërsisë detyruese, me fjalë që vijnë nga thellësia e ëndrrës, të shpëtuara nga turbullira me të cilën mendja i trazon ato.
Sot qielli është i qetë.
S’fryn asnjë rribë erë
sikur erërat t’i ketë kyçur
një dorë e fshehtë ngazëllimi. (Lirikë)
Një lirikë e mrekullueshme me një stil gjuhësor të lirë, të mbushur me një diell vere ku lulëzon një valle e lehtë hyjnore. Por më pas lexova dhe katër vargje të tjera që më bënë të mendoja se, nëse diellin e zënë retë, çfarë ndodh me këtë poet… Me një të vërtetë që merr kuptimin e qartësisë, ai shkruan:
Asnjëherë s’mbetem vetëm
me një flakëz hareje
vazhdoj të djeg rregullisht
kaçurrelat e hirta të heshtjes. (Asnjëherë s’mbetem vetëm)
Duket sikur kapet fort mbas zemrës së tij që dridhet dhe vetëtin. Kjo ndoshta ndodh me artistët e vërtetë. Është e vetmia ajo që zgjeron kufijtë e saj rreth qendrës. Është vetmia, që hëpërhë nuk vihet re. Ai e qetëson duke “djegur rregullisht kaçurrelat e hirtë të heshtjes” dhe me hirin qe mbetet shkruan poezi dhe mëson se si: “Mësojmë si zbutet dhimbja / prej lules /
Mësojmë si zbutet lulja / prej dhimbjes. ( Lulja )
Në poezinë e mrekullueshme “E njeriut” ku mendja dhe shpirti lindin vargje me të cilat ai krijon një Ilir të dytë, një Ilir që jo të gjithë mund ta njohin, i cili e sheh atë në fytyrë dhe i pëshpërit vetëm atij: “Njeriu i madh, largohet, mënjanohet dhe me mundim futet në vetminë e tij”.
Për në ishullin e njeriut / duke udhëtuar, / pata frikë / mos më vërente i vdekuri, / dhe u struka / në ekzistencë.( E njeriut )
Duke u endur s’bashku me të ata u bënë një. Tashma ajo nuk është më vetmi, as mbetje vetëm por thjesht është mbyllje në vetvete. Dhe më tej, ai ose më mirë, ata të dy: “Me dhëmbët e rënë të pendimeve, përtypin nga pak vetvete” (Viti i mbramë i jetës ).
Forca e mbinatyrshme e ndjenjave nuk gjen më shprehje në të folmen e zakonshme, në të folmen e përditshme, kështu që shkon drejt magjisë më të epërme dhe thërret: “Ti duhet të këndosh, o shpirti im”.
Iliri, me një vendosmëri më shumë të gëzueshme sesa krenare, shkruan:
Pëllumbi fluturoi / në drejtim të ujëvarës, / që emocionohet / nga lakuriqësia e vet. /
Pëllumbi fluturoi, / unë kam për të humbur / aty ku s’më shkon mendja.
(Pëllumbi i përtej botës)
Gjithmonë kam menduar se psikologjia ka bazë shpirtnore dhe kam dyshuar se është e aftë të të çojë në thellësitë e vuajtjes e deri në humnerën e dëshpërimit, gjë që të çon në pikën më të ulët të dashnisë për jetën. S’di si ta quaj, vetënjohje apo vetëdëshpërim. Të dyja shpjegojnë madhështinë e shpirtit të Ilir Belliut, me një dramaticitet përnjëmend të jashtëzakonshëm.
I vdekur jetoja / në lindje e sipër (Çmallje)
Në plak i bukur jeton në mua/gjysmë prej jete/ gjysmë prej ëndrre/ (Një plak i bukur më kalon nëpër ëndërr )
Kur miqtë e mi blu / S’dihet ku më çojnë, / Me një barrelë klithme (Është ora)
Varg mbas vargu, poezi mbas poezie të duket sikur Iliri ka jetuar me peshën e poezisë si rënie, si moment i lëshimit në fluturim, si kalim i pezullt e i pandryshueshëm mbi re që mbulojnë humnerën. Poezia në vete është një kësi përpushje shpendi, asgjësuese në hapësirë, një jerm, lindje e tmerrshme apo vdekje e sigurt. Iliri është bartësi i shkëlqyer i së fundmes e cila nuk ka rrugë tjetër veçse të bëhet e përjetshme. Nuk e di nëse në zemrën e tij, në zemrën prej poeti të blatuar ndaj sakrifikimit poetik, e ndiente se fjalët e tij nuk do të ndalonin së ekzistuari, e që poezia e tij do të shkapetej pa asnjë dorëzim në muret e territ njerëzor, nëpërmjet dritës së vargjeve të tij të pavdekshme? Ndoshta kjo është Pavdekësia, Ilir, kur vargjet e përndritjet e tua nuk reshtin së binduri frymëmarrjen e të ngjashmëve të tu se poezia e njëmendtë ekziston edhe pa hedhur foto të pafundme nëpër rrjete sociale, edhe pa u rreshtuar nëpër të përkëdhelurit e grupimeve dhe pushteteve, edhe pa marrë çmime, edhe pa patur nevojë “të mbrohesh” në asnjëfarë mënyre ndaj injorancës bashkëkohore…
Se ti e di aq mirë aty ku je se, siç thotë Paveze te “Zanati i të jetuarit”, “Përpara se të lindnim, të gjithë ishim të vdekur”./(gazetamapo)