Me rastin e ditëlindjes së Migjenit, Rudina Xhunga ka shkuar në shtëpinë e tij muze në Pukë. Aty ku Migjeni dha mësim 84 vjet më parë, aty prej nga Rudina bën thirrje për ta shpëtuar këtë shtëpi që mbart një vlerë aq të madhe, për ta rregulluar dhe për ta bërë ashtu siç e meriton të jetë.
“84 vjet më parë, në Pukë erdhi Migjeni, jepte mësim në këtë klasë. 84 vjet më parë, ai qëndronte këtu, para kësaj banke, ku mbase ishte ulur Luli i vocërr… dhe profesori i ri ia shikonte këpucët e shqyera … Dhe bëri një nga poezitë më të bukura të shqipes e bashkë me të shumë poezi e shumë vargje të tjera morën krahë në Pukë. Këtu nisën udhëtimin e parë. Kjo është shtëpia muze e Migjenit në Pukë. Është një shtëpi e shpëtuar nga shkatërrimi, por jo ashtu siç meriton të jetë shtëpia e vërtetë ku dha mësim Migjeni. Ju lutem, pash Zotin, rregullojeni këtë shtëpi! Bëjeni nga e para, bëjeni mirë!”, -shprehet Rudina në video, pasi ka recituar disa vargje të “Qeshu rini”.
“Sot, ditëlindja e Migjenit. ‘Qeshu rini’ u shkrua në këtë shtëpi, që duhet ribërë nga e para. E di, Migjeni nuk jep vota, por na jep identitet kombëtar. Ca vende si shtëpia ku dha mësim në Pukë janë shtëpi të shenjta për kulturën shqiptare”, -shkruan Xhunga.