Nga: Vlash Prendi
Një ditë pranverë të vitit 1925, pas përfundimit të studimeve në Universitetin Teologjik të Romës, prifti patriot dhe atdhetar Don Shtjefën Kurti do të trokiste në kishën e vjetër të fshatit Novoselë të Kosovës. Në moshën 28-vjeçare do të niste misionin shpirtëror të meshtarit dhe misionin fisnik të atdhetarit. Jeta e Don Shtjefnit ka qenë një epope e vërtetë. Shpirti i tij i madh nuk u lodh kurrë, nuk i venit, nuk u mek asnjëherë, por gjithnjë dha një shembull të shkëlqyer se si mund të mbijetojë një njeri, si mund të japë vlera atdhetarie edhe mbi mundësitë që ka për popullin e vet.
Don Shtjefni lindi në Ferizaj të Kosovës me 24 dhjetor 1897, në një familje patriotike të njohur kosovare, si fëmija i 6 prej 9 fëmijëve që kishte familja. Pasi mbaroi shkollën fillore në Ferizaj, vazhdoi Seminarin Pontifik të Shkodrës. Rreth vitit 1914 mbaron shkollën e mesme dhe fiton të drejtën e vazhdimit të studimeve teologjike në Romë, duke i përfunduar me rezultate mjaft të mira dhe duke zotëruar pesë gjuhë të huaja, mes të cilave latinishten, gjermanishten dhe frëngjishten.
Pas përfundimit të studimeve, megjithëse i propozohet të punojë në Selinë e Shenjtë, ai e refuzoi këtë ofertë, meqë dëshironte t’i shërbente me devotshmëri popullit të tij. Kështu, pasi shugurohet meshtar në Romë, më 13 maj 1921, kthehet në Novoselë të Gjakovës. Ditë të errëta po vinin për popullin shqiptar të Kosovës. Presioni, shantazhet dhe mizoritë ishin intensifikuar nga klika shoviniste serbe, prandaj edhe Don Shtjefni bashkë me vëllezërit e tij, Don Luigj Gashin dhe Don Gjon Bisakun punonin ditë e natë për të mbrojtur poopullin e shumëvuajtur kosovar nga sulmet shoviniste serbe.
Në pranverën e vitit 1925 don Shtjefnin e emërojnë në fshatin Novosel të Gjakovës. Këtu prifti i ri iu përvesh punës për edukimin e masës me dashurinë për fenë e veç të tjerash ndërtoi edhe një kishë të re në themelet e një barrake të vjetër. Në Kosovë kaloi për rreth tetë vjet një jetë të re aktive si meshtar, baritor dhe fetar dhe shpeshherë vuri jetën në rrezik. Veprimtaria e tij në dobi të fesë dhe patriotizmit ra shpejt në sy të autoriteteve serbe, prandaj shpeshherë edhe u kërcënua, por asnjëherë nuk u frikësua. Vrasja e at Shtjefën Gjeçov Kryeziut, në Zymë, e hidhëroi shumë, por nuk u tërhoq nga rruga e tij. Një herë një milic i kishte kërcënuar haptazi duke u thënë: “Edhe ju do ta pësoni si frati i Zymit”, e kjo nuk e dobësoi, por me dashuri punoi për ta ndihmuar popullin e vendlindjes së tij.
Gjatë viteve që punoi në Kosovë, don Shtjefën Kurti nuk reshti së punuari, veç të tjerash, edhe për mbledhjen e shumë materialeve dhe dëshmive mbi keqtrajtimet, Torturat dhe dhunën e ushtruar mbi popullsisë shqiptare të Kosovës nga sistemi diktatorial serb. Materialet e mbledhura janë sistemuar dhe radhitur në formë peticione e prej tyre lindi memorandumi i tre klerikëve të shquar, drejtuar OKB-së, me 5 maj 1930, me seli në Gjenevë të Zvicrës. Ky memorandum ishte konceptuar në 6 kapituj: Mbrojtja e jetës, mbojtja e lirisë, e drejta e pronës, e drejta e përdorimit të gjuhës, e drejta e shkollimit dhe e drejta e ushtrimit të fesë për të gjithë shqiptarët pa dallim. Prandaj gazeta “Drita”, e Ferizajt, do të theksonte: “…Këta klerikë nuk do të mbesin në histori vetëm për peticionin drejtuar OKB-së në Gjenevë, por edhe për pasqyrimin e ankesave të tjera për çeshtjen kombëtare shqiptare”.
Megjithatë, duhet theksuar se deri tani ky memorandum ka mbetur i pari dhe i vetmi që bëri jehonë në arenën ndërkombëtare për pozitën e rëndë të shqipëtarëve në Jugosllavi, me anë të të cilit kërkohet ndërhyrja e shpejtë kundër persekutimeve, keqtrajtimeve barbare dhe torturave që u bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Për këtë qëllim tre vëllezërit shkojnë edhe në Beograd për të protestuar për vrasjen në pabesi të at Shtjefën Gjeçovit, por rezultati ishte minimal, sepse edhe përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë në Beograd ishte i pafuqishëm për të bërë një ndërmarrje të tillë.
Ky memorandum, që u paraqit në Lidhjen e Kombeve, pati jehonë të madhe në arenën ndërkombëtare, sepse u demaskuan veprimet djallëzore të qeverisë së Beogradit ndaj popullit shqiptar të Kosovës, nga ana tjetër bëri që të dështojnë planet e Kragjeçoviçit për shfarosjen e popullit kosovar. Duke vepruar me ndërgjegje të pastër, në këtë mënyrë këta “Tre apostujt” të fesë shqiptare, i kishin marrë parasysh problemet dhe vështirësitë që do t’u dilnin. Atë kohë në trevën e Kosovës vepronin edhe organizata terroriste. Një nga më të egrat dhe më mizoret ishte organizata terroriste “Cerna Ruka”-“Dora e Zezë”, që drejtohej nga shovinistët e Beogradit. Janë pikërisht këta kriminelë që i sinjalizuan se ishin futur në listat e zeza të dënimit me vdekje, prandaj duhet të largoheshin sa më shpejt nga vendlindja e tyre, Kosova.
Eksperiencën e hidhur e kishin, sepse kishin parë me sytë e tyre si ishin likuiduar nga kjo organizatë shumë patriotë shqiptarë, kishin përjetuar vrasjen në pabesi të patriotit të shquar at Shtjefën Gjeçovit, prandaj u detyruan të të largoheshin nga vendlindja e dashur me zemër të thyer. Natën pa hënë largohen nga Ferizaj i tyre i dashur drejt tokës mëmë, Shqipërisë, për të vazhduar me devocion rrugën e tyre ndaj fesë, Zotit dhe shqiptarizmës, por mendjen e kishin prapë te vendlindja e tyre e dashur, Kosova. Pas ardhjes në Shqipëri, në vitin 1930, menjëherë filluan punën e mështarëve, Don Shtjefën Kurti fillimisht u emërtua famullitar në Shënpremte, ku qëndroi pak kohë, vetëm dy vjet.
E gjeti kishën e Shënpremtes pothuajse të shkatërruar. E kishte vlerësuar këtë vend të shenjtë jo vetëm për faktin se dikur kishte qenë Seli e Ipeshkvisë së Durrësit, por edhe pse pikërisht në këtë kishë ishte hapur e para Shkollë Shqipe nga Imzot Mark Skura në vitin 1632. Puna e tij vetmohuese I dha jetë dhe shpejt u bë një vend nga më të vizituarit nga besimtarët. Në nëntor të vitit 1932 shkon famullitar në fshatin Gurëz. Vërtetë aso kohe gjendja ishte e vështirë dhe mjerimi kishte përfshirë gjithë masën e popullit, sidomos fshatarët e Gurëzit, që vazhdonin të vinin nga vendet malore të Kosovës e Mbishkodrës. Sidoqoftë, ai atje gjeti bujarinë, ngrohtësinë dhe burrërinë e malësorëve tanë trima.
Atje nuk kishte kishë. Në vend të asaj ishte një barakë e vjetër, prandaj u detyrua që gjithë kulturën e dijen e fituar në vendet perëndimore t’i vinte në shërbim të popullit, atdheut dhe fesë. Kështu, megjithëse në Gurëz qëndroi vetëm 5 vjet, arriti të ndërtojë një kishë të re, dhe çelën e saj. Kjo i solli shumë mund dhe djersë, po e ndjente veten të kënqur dhe krenar për këtë shërbim ndaj atdheut dhe kombit të vet. Këtu qëndroi deri në vitin 1937, kur me urdhër të diocesit kaloi famullitar në Tiranë. Këtu ai punoi me këmbëngulje në shumë drejtime, pasi edhe këtu gjendja ishte e vështirë, por Don Shtjefni i kishte vënë vetes detyrë të edukonte një rini të mekur me atdhedashuri që të besonte Zotin, pra të kishte kulturë fetare. Kështu ai, veç shërbimit fetar, mblidhte rreth vetes shumë të rinj dhe aktivizonte aktivitete fetare-kultuore për edukimin e të rinjve me ndjenjën e atdhedashurisë.
Në Tiranë punoi me ngulm për ngritjen dhe funskionimin e mjaft rretheve kulturore dhe artistike, letrare, teatrore dhe fetare, të cilat kishin si qëllim edukimin fetar dhe atdhetar të masës. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe dallgët e hitsorisë, të gatuara nga sistemi totalitar, do ta përplasnin don Shtjefën Kurtin në brigjet e dhunës, torturës çnjerëzore e më vonë, në qelitë e burgut komunist. Kjo ndodhi me 27 tetor 1946, ku pas rrethimit të famullisë, forcat e Sigurimit e arrestojnë me akuzën e sajuar: “Bashkëpunëtor i organizatës terroriste të Sami Qeribashit, akuzohet për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”.
Akuzë e cila u vertetua katërcipërisht se ishte një farsë politike. Ky arrestim erdhi si rezultat i mospranimit të një thirrjeje të bërë nga diktatori E. Hoxha, që don Shtjefni të merrte në dorë drejtimin e fesë katolike dhe ortodokse në Shqipëri, me kusht që të hiqte dorë nga lidhjet me Vatikanin. Refuzimi i don Shtjefnit ishte kategorik, ai u tha: “Unë nuk mundem me tradhtue idealin tim, siç keni tradhtu ju Kosovën, dhe tani doni me i shit Titos Shqipërinë”.
Pas kësaj përgjigje dihet, arrestimi nuk do të vononte. Rrufeja mizore do të binte mbi njeriun e Zotit, por ai nuk do të përkulej, do ta priste me krenari dhe urrejtje. Kështu, në moshën 50-vjeçare detyrohet të provojë qelitë e ftohta të burgut. Fillimisht për të shfryrë urrejtjen ndaj tij, pushtetarët komunistë e dënuan me vdekje, por në sallën e gjyqit ai deklaroi: “Nuk i kam shërbyer askujt, vetëm Zotit dhe idealit tim, që kur kam veshur veladonin”. Dënimi iu kthye në 25 vjet burg. U transferua në burgun e Burrelit. Hetuesit mizorë i bënin tortura nga më të ndryshmet, vetëm që të përkulej, por atij i jepte fuqi Zoti, prandaj morali i tij në çdo moment ishte i lartë.
“…Një natë, mbas mesnate, më morën me makinë dhe më çuan jashtë Tiranës, më dhanë lopatën dhe më thanë: “Puna jote, pa gjyq mori fund, tani hape varrin tënd”. E hapa. Ata vunë skuadrën e pushkatimit dhe më thanë: “Prano aktakuzën, ose të vramë”. Unë nuk e pranova. Pas kësaj lufte psikologjike thanë: “Po e lëmë një herë në burg”. Kështu provoi përsëri ftohtësinë e burgut famëkeq të Burrelit. Dr. Lazër Radi kujton: “Natën e Krishtlindjeve, me dritë të errësuar, don Shtjefni thoshte meshën në mesnatë. Mbas meshe, kur u ndezën dritat, shohim dyshemenë të lagur nga lotët e tij”. Vuajtjet e këtij martiri të fesë nuk kanë të sosur. Ai e grishi zërin kur në shoqërinë shqiptare në rend të ditës ishin padrejtësia, shtypja, dhuna etj. Këto ishin arsyet e largimit nga plumbat e serbëve, këto qenë arsyet që u deskriminuan totalisht nga kasta diktatoriale në shtetin e tyre amë.
E arrestojnë sepse pagëzoi një fëmijë
Pas 17 viteve privim lirie, një ditë të ftohtë nëntori të vitit 1963, largohet nga qelitë e burgut, për t’u ndjerë përkohësisht i lirë. fillimisht shkoi në famullinë e Tiranës, ku ndenji pak kohë me Don Mark Dushin, pastaj u kthye përsëri në kishën e Gurëzit. Punoi për riparimin, meremetimin dhe pajisjen e kishës me mjetet e duhura me ndihmën e fshatarëve. Fshatarët e Gurëzit shihnin te don Shtjefni njeriun e drejtë, njeriun e Zotit, që u falte besim shpresë dhe dashuri. Ai u ngrohte zemrat me fjalë të ëmbla dhe i orientonte drejt së vërtetës. Kur në vitin 1967 u mbyllën kishat dhe xhamitë dhe vendi ynë u shpall vend ateist, don Shtjefëni me zemër të thyer u detyrua të punojë si punëtor në magazinat e fshatit ku kishte shërbyer një jetë të tërë.
Megjithëse në moshë të thyer, 70 vjeç, qe një shembull i shkëlqyer në punë dhe në jetë. Njerëzit i besonin dhe shihnin tek ai njeriun e shpresës. Dhe ai, si engjëll i vërtetë reflektonte dashuri për të gjithë, por edhe urrejtje për sistemin totalitar që po betonohej gjithnjë e më tepër. E shihnin kur punonte si punëtor në brigadë ose në magazinat e kooperativës bujqësore për të siguruar bukën e gojës. Por edhe jeta e re prej kooperativisti zgjati vetëm 3 vjet. Këtë periudhë e shfrytëzoi për të pagëzuar fëmijë fshehtas dhe për të bërë propagandë në besimin tek Zoti dhe urrejtjen ndaj sistemit totalitar. Por sigurimi i shtetit ishte afër, ai e ndiqte dhe e survejonte ne çdo lëvizje dhe pikërisht sepse pagëzoi fshehtas një fëmijë e arrestojnë për herë të dytë në moceen 73 vjeçare.
Në qershor të vitit 1970, don Shtjefën Kurti detyrohet t’u kthehet qelive të burgut. Arrestohet në fshatin Gurëz, të Kurbinit, me akuzën qesharake: “Ka kryer shërbime fetare dhe ka pagëzuar një fëmijë”. Detyrohet t’u nënshtrohet tortura çnjerëzore, kësaj radhe në moshë të thyer. Madje u ngrit edhe hipoteza e ekzistencën së një grupi armiqësor që po “sabotonte” ekonominë bujqësore, duke i shërbyer kështu Beogradit. Veç don Shtjefën Kurtit, në grupin “armiqësor” bënin pjesë edhe mjaft të tjerë, bij nga më të mirët, më të urtit e Gurëzit. Pasi denigrohen plotësisht, nxirren në gjyq, me dt. 30 korrik 1971, dhe trupi gjykues, duke improvizuar dëshmitarë të rremë arriti të japë dënime absurde dhe anikushtetuese.
Njeriu i madh don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje-pushkatim, Bardhok Marku, 18 vjet burg, Fran Ndoci, 14 vjet burg për sabotim në ekonomi, Pjetër Biba 14 vjet burg, Agustin Preçi – mësues, 13 vjet burg, për propagandë tek nxënësit kundër pushtetit popullor, Zef Nishi 12 vjet burg dhe Ndue Leti 10 vjet burg. Të gjithë të pafajshëm, të gjithë me reputacion të padiskutueshëm në popull. E gjithë kjo, për të eleminuar njeriun e mirë don Shtjefën Kurti. Më në fund, shteti diktatorial ia arriti qëllimit. Arriti ta “nënshtronte” këtë emër të pavdekshëm, por vetëm fizikisht, sepse edhe përpara gjyqit ai qëndroi i palëkundur në idetë e tij atdhetare. Nuk e pranoi akuzën, duke iu kundërpërgjigjur gjykatësit: “…Jam ushtar i krishtit dhe i shërbej atij dhe nuk kam frikë as nga vekja, sepse jam i pafajshëm”.
Njerëzit, që ishin në kishë, e shihnin viktimën e sistemit totalitar me admirim dhe krenari. Figura e don Shtjefnit sa vinte e rritej përpara njerëzve. Më në fund u dha vendimi mizor, dënimi me vdekje – pushkatim. Me krenari dhe brengë në shpirt, ai shprehet:“Nuk më vjen keq se po vdes, por më vjen keq se jetën po ma merrni pikërisht ju…”. Kështu u shua ky kolos i atdhetarizmës, si qiriu u shua kjo jetë e stermundimshme që, megjithëse u akuzua për tradhëti ndaj atdheut, në të vërtetë u shkri për këtë atdhe.
Pas 8 muajsh burg, me 29 shtator 1971 të lidhur këmbë e duar, e dërguan para togës së pushkatimit. Shpirti i tij fluturoi në parajsë, për të mos u kthyer më kurrë, pikërisht në momentin që xhelatët komunistë tërhoqën këmbëzën e ekzekutimit, duke mbetur kështu symbol i perëndisë për popullin. Jetoi, punoi dhe vdiq për idealet e shenjta, për mbrojtjet e kombit, për të cilat do të sakrifikohej çdo shqiptar i ndershëm. Varri i tij as sot nuk dihet, sepse trupi i tij u përdor si kadavër për praktikat mësimore të studentëve të fakultetit të mjekësisë, në shenjë urrejtje nga shteti komunist ndaj këtij njeriu të mrekullueshëm që luftoi për liri, jetë dhe atdhe. Tashmë ai është një nga dyzetë kandidatët më potencialë për tu shenjtëruar në Selinë e Shënjtë nga Papa, si hero i kristjanizmit mbarëkombëtar, si shenjtor.
Kanë kaluar vite nga dita kur pushoi së rrahuri zemra e këtij meshtari të madh, por kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e besimtarëve, në zemrat e mbarë popullit, sepse vetë jeta, puna dhe aktiviteti i tij ishin një shkëndije e pashuar në mes të errësirës. Ai e mundi errësirën, e mundi sistemin diktatorial, e mundi komunizmin dhe tash ndrit ndër breza. /www.observatorikujteses.al