Shefkije Islamaj: Lirizmi mendimor në poezinë e Odise Plakut

Lirika e Odise Plakut, një prej zërave të veçantë të poezisë së sotme shqipe, ka lindur e ka lëshuar shtat ngadalë e në heshtje, duke pasur mësues shpirtërorë poetët më të mirë shqiptarë, prirë nga liriku i pashoq Dritëro Agolli, dhe poezinë popullore shqipe e artin e saj. Me pararendës të tillë e duke qenë shkrimtar me dhunti të shquar poetike, ai do të zërë, pa dyshim, vendin e vet të merituar në poezinë e sotme shqipe.

Nga Prof. dr. Shefkije Islamaj

Poezia e Odise Plakut plot mendim e ndjenjë e shpërfush poetin si artist vargu që synon harmoni kuptimore-eufonike, si kërkues lirik që ndjek kujtimet e përjetimet nëpër vite, si piktor të frymëzuar pas visoreve e peizazhit të tokës së tij e njëkohësisht zbulon një poet të dashuruar pas së bukurës në mendje, në shpirt e në trup, një njeri me zemër të madhe dhe një magjistar të muzikës gjuhësore, me të cilën dashuria dhe dëshirat e ndezura a të shuara, gëzimet e dhembjet, dëshirat e ankthet, prehjet e shqetësimet e subjektit lirik i shndërron në art të ligjërimit poetik. Por leximi i këtyre poezive zbulon edhe se Odiseja poezinë nuk e ndien vetëm si shprehje të asaj që ndodh vetvetishëm a rastësishëm, sepse struktura e poezive të tij i tregon qartë lidhjet e realitetit të sotëm me sekuenca nga e kaluara, sepse momentet e fiksuara të mjedisit jetësor, të endura me shtresa të kohëve të kaluara, marrin kuptim të plotë në ndërthurjen e kategorive kohë–hapësirë, në të vërtetë në formësimin e imazhit të përbërë të botës së tij poetike:

Se sa kohë do të jem këtu, as vetë s’e di,

vitet në eshtrat e krisura mblidhen si litari,

brinjët muzikë të keqe bëjnë prej molës,

toka nën këmbë kërcen vallen e mortjes.

Fjalët më kanë mbetur pasuri për të ndarë,

diellin si sorkadh për ty agimit kam vrarë.

Në detin e dashurisë motmotit jam larë,

nën hënën e ngrënë mijëra herë kam qarë.

(“Nesër mund të jetë vonë”)

Leximi jo vetëm i këtyre tetë vargjeve kuptimplota e plot ndjesi, po edhe leximi i poezive të fundit të Odise Plakut të krijojnë përshtypjen se poezitë e tij janë sa fryt i imagjinatës, aq dhe shprehje e një përvoje burimore, një përvoje vetjake plotësisht të veçantë. Secili varg më vete bart peshë kuptimore e vlerë shprehësie e figurative. Odise Plaku, ashtu si çdo poet i mirë, që ka çfarë të thotë e di ta thotë, e di mirë se fjala duhet të çmohet, t’i pasurohet përmbajtja e t’i përsoset forma, sepse “çdo njëra nga to mund të jetë fjala jonë e fundit”: 

E ftova fjalën, të sinqertën fjalë, që peshon,

jo atë që sytë e zemrës natën i dëshpëron,

jo atë që të braktis, por me ty përherë jeton,

atë që fshin dhimbjen e gjoksin fërfëllon.

(“Unë dhe fjala”)

Poezia “Unë dhe fjala”, që mbart rolin e një parathënieje në këtë përmbledhje poezish, me një ndjenjësi e sinqeritet të dukshëm, zbulon biografinë shpirtërore të poetit dhe marrëdhënien që ka ai me fjalën. Kjo poezi në të vërtetë zbulon forcën dhe peshën e fjalës në jetën e tij dhe në jetën e njeriut në përgjithësi, si dhe në raportet shumë të përbëra njerëzore, sidomos sot.

Përpjekja e poetit për ta formësuar qartë mendimin, për ta shprehur thellësisht ndjenjën, për të shpërfaqur veten e tij, për të zbuluar vlerat kuptimore dhe vlerat shprehëse të fjalës shqipe, shquhet nga vargu në varg pothuajse në të gjitha këto poezi të Odise Plakut, të ndërtuara mbi parimin e paralelizmin unë dhe fjala, unë dhe të tjerët, unë dhe atdheu, unë dhe hapësira, unë dhe koha, unë dhe jeta, unë dhe vdekja, unë dhe kujtimet e sidomos unë dhe dashuria. Përmes këtij paralelizmi bashkohen e poetizohen imazhe konkrete e të plota të realitetit, të kohës e të hapësirës, të së kaluarës e të së sotmes, të atdheut dhe të vendit të huaj, të jetës dhe të vdekjes, përkatësisht të të gjallëve e të të vdekurve, rrëmbimit pas jetës dhe të frikës nga vdekja; ndjenja e mendimi, njerëzorja dhe jonjerëzorja, materialja e shpirtërorja, e bukura dhe e shëmtuara, etika e çoroditja e mbi të gjitha dashuria dhe ankthi etj.

Edhe vetëm në fragmente të shkurtra vargjesh të shkëputura mund të vërehet qartë harmonia e realizuar mbi parimin e paralelizmit në rrafshin përmbajtjesor dhe strukturor:

Do të vij, por as vetë s’e di kur,

këmbët në pranga dashurie prapë kanë rënë,

eshtrat nga dhimbja për ty veten kanë ngrënë.

(“Do të vij një ditë”)

Ose:

Bredharak ti, bredharak jam bërë edhe unë,

ti mes sirenave në valë, unë mes fjalës shqipe.

Ti në tokën tënde shkel si hije, si zog fluturoj,

kufijtë shuaj, por prapë nga rruga dot s’të ndaloj.

(“Ndalo, Odise!”)

Mund të thuhet pa ngurrim se ky parim i paralelizmit, pra jo i kundërvënies, po i lidhjes së gjithëmbarshme dhe i ndërveprimit të tyre (përmbajtje–formë) është aktualizuar, për të mos thënë kontekstualizuar, pothuajse në të gjitha  poezitë e këtij vëllimi. Parimi i paralelizmit, i bashkimit të tyre, është realizuar edhe në rrafshin formal, në strukturimin e tyre. Vërehet kështu kthjellët lidhja e ndërsjellë e tërësive poetike e njëkohësisht lidhja e elementeve strukturore të tërësive poetike. Dhe kjo lidhshmëri shprehet në rrafshin ideor, motivor, semantik, leksikor, sintaksor dhe të vargëzimit.

Paralelizmi motivor-tematik realizohet mirë edhe në një numër poezish theksueshëm të frymëzuara, si: “Ah, moj sylarushe!”, “Çast”, “Një jetë kemi”, “Sot”, “Jetoj”, “Trokitje”, “Pak nga të gjitha”, “Trishtim vjeshte”, “Imazhi yt”, “Një gotë e pi burri”, “Pallati 41”, “Kohë pa emër”, “Digje anijen, Odise!”, “Trazim”, “Jetë” etj. Motivet kryesore përshkojnë natyrshëm tërësitë tematiko-poetike. Jeta, dashuria, malli, shpirti, drita, gëzimi, pranvera, buzëqeshja në njërën anë dhe vdekja, varri, vetmia, dhembja, trishtimi, trazimi, ikja, vjeshta në anën tjetër janë fjalë-tema që hasen më së shpeshti në këtë tubë poezish. Të parat qëndrojnë në anën e jetës, kurse të dytat në anën e vdekjes. Të lexojmë një fragment:

Duaj,

dashuro,

digju,

jeto,

e sotmja është jotja,

e nesërmja nuk dihet si çel.

Puth,

përqafo,

gëzohu,

lumturohu,

stacioni i fundit vjen shpejt.

Qaj,

qesh,

ik,

kthehu,

zemra portat kurrë nuk i mbyll,

gënjejmë kur themi “të harrova”. (“Jetë”)

Midis jetës dhe vdekjes, së sotmes e së nesërmes, jetës dhe vdekjes (stacioni i fundit), siç shihet, është vendosur një paralelizëm motivor, përkatësisht një baraspeshë e plotë midis tyre, që shoqërohet, me qëllim përplotësimi, edhe me paralelizmin midis foljeve duaj (dashuro)–digju; qaj–qeshu; ik–kthehu. Këto dyshe e treshe leksemore paraqesin faktor të bashkimit tematik të poezisë. Ndonëse në lexim të parë krijohet përshtypje se mbizotëron gëzim e optimizëm, analiza e strukturës motivore zbulon diçka tjetër: poeti jetën dhe vdekjen i përjeton si dukuri natyrore të pashmangshme, ashtu si dhe dashurinë, gëzimin, dhembjen, ndarjen, sepse, siç do të thoshte Seneka, “e gjithë jeta nuk është gjë tjetër përveçse rrugë kah vdekja”, e përderisa “dhembja është e pashmangshme, vuajtja është zgjedhje” (Ketlin Kejsi), sepse, tekefundit, Zoti nuk na ka premtuar ditë pa dhembje, pa trishtim e pa shi, por na ka dhuruar fuqi për të përballuar ditët, prehje për lotët dhe dritë për rrugëtimin tonë, prandaj “jeto në atë mënyrë që të dashurve të tu t’u mungosh kur të ikësh”, e ka thënë kushedi se kur e kushedi se ku një zë i panjohur, por urtak largpamës. Poeti Odise Plaku i di mirë këto, sepse ka një moshë, ka njohje e përvojë, prandaj e thotë bindshëm, zëshëm e fuqishëm: “…e sotmja është jotja, e nesërmja nuk dihet si çel. Puth, përqafo, gëzohu, lumturohu, stacioni i fundit vjen shpejt”. Poeti nuk vajton pse vdekja është e pashmangshme, por megjithatë ai lëshon një si thirrje: “Nuk dua të mbetem pa gurin e varrit/kur në këtë jetë të mos jem gjallë.” Ai di të përballet me vdekjen pa asnjë drojë, sepse është shpresa ajo që e mban poetin:

Vdekja përsëri ma preu rrugën sot.

Të dy krah për krah në një semafor,

u përshëndetëm me tonat majë të buzëve.

Nuk ishim miq, por dy kalimtarë të udhës.

(“Nderi i kërkuar”)

 Prania e shpeshtë e vdekjes në vargjet e poetit nuk është shprehje e frikës, as e pikëllimit, sepse ai nuk është pesimist, përkundrazi, ai e do jetën me të gjitha të mirat e të pamirat që sjell ajo. Në disa poezi kushtuar dashurisë fjala “vdekje” është fjalë çelës dhe i del dashurisë përballë: “sekreti i jetës mbetet i njëjtë, ndaj dashuro,/edhe në ardhtë vdekja, prapë dashuro.” (“Dashuroj”); “Mos më pyet nëse vdekjen e pranoj për sytë e tu./Eh, vdekja më ardhtë nga sytë e tu, e dashur!/ Mos më pyet nëse agimin unë lind për ty.” (“Nëse vërtet më do”). Mund të thuhet se vargjet me temën e dashurisë janë më të fuqishmet dhe zënë vendin kryesor në këto poezi të Odise Plakut:

Mos ma mbyll derën, se përsëri do trokas,

shiun e vetmisë mos e lër të më lagë.

Shpirtit tënd jam skalitur e kurrë nuk iki,

ndaj mos ma muros derën e dashurisë.

(“Deri në vdekje”)

Motivet që e kanë frymëzuar poetin Odise Plaku në pjesën më të madhe të tyre janë marrë nga tematika tradicionale e poezisë shqipe, por nuk mungojnë motive edhe nga tematika e jetës moderne, ku shquan përpjekja që estetika tradicionale të zëvendësohet me një estetikë të re:

– E pe?

– E pashë?

– M’u beto që nuk do tregosh.

– Ja, tani, sa ta mbarosh. …

Naivë lindim, frikacakë ikim nga kjo jetë,

më shumë me merakun e botës se çfarë jemi vetë.

“Ma the” e “ta thashë”, sëmundje globale,

kërkojmë të jetojmë në kohën e ditës fatale

(“Flatrat e shpirtit tim”)

Motivet mbizotëruese që përshkojnë të gjitha poezitë e kësaj përmbledhjeje janë dashuria, ndarja, dhembja, për çka Odise Plaku mund të quhet poet i dashurisë. E kuptueshme, sepse dashuria është thelbi i jetës. Të jesh i dashuruar thellë do të thotë të marrësh forcë, por të dashurosh dikë thellë do të thotë të kesh guxim. Për të jetuar, pra, duhet forcë e duhet guxim:

Në bar gjithë natën do pres ardhjen tënde,

gotat e mallit njëra pas tjetrës do të pi.

Derën lëre çelur, në çdo orë do të vijë,

në gjoksin tënd strehën do të gjejë.  

(“ Deri në vdekje”)

Dashuri pa guxim e pa dhembje nuk ka. Ndërsa “dhembja e nxit njeriun të mendojë, mendimi e bën atë më të mençur, kurse mençuria e bën jetën më të durueshme” (Jon Patrick):

Nëse zemra ime rreh brenda së voglës zemrës sate,

nëse fryma ime të mban ty ende në këtë dreq jetë,

nëse për kokën time në gjoksin tënd ka pakëz vend,

yti jam përsëri, dhe pse dhimbja jote fort më godet.

(“Prapë yti jam”)

Dashuria dhe dhembja kanë forcë të na përmirësojnë: të na bëjnë më të mirë, të na ndërgjegjësojnë e të na bindin se jeta jonë është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrim.

Ma jep dorën të shkundim trishtimin supeve tona,

bashkë mundemi akullin në lëndinë ta pikturojmë,

bilbilat të ndezin mëngjesin me këngën e tyre,

dallgët e tërbimit në valëza dashurie t’i shtrojmë.

(“Ne të dy”)

Poezitë më të frymëzuara me motive dashurie mendoj se janë ato që kanë frymën dhe strukturën e këngëve popullore: ndjeshmërinë, figurshmërinë, fjalorin, muzikalitetin. Numri i tyre është i përfillshëm. Më të gjeturat nga ana artistike vlerësoj këto poezi: “Hiqmu, moj lanete!”,Pengu”, “Moj raki e rrushit”, “Ç’është dashuria?”,Çfarë t’i bëjë sevdasë?”,Dil më fol”, “Lozonjare”, “Larg nga ti”,  “Në ditë me borë”, “Meraklinjtë” etj. Po sjell disa fragmente poezish të kësaj tematike:

A të shkoj në krua dhe atje të pres

mos më vjen nazikja herët në mëngjes?

Malli më copëtoi dhe natën do ta gdhijë,

veç një herë ta shohë e pastaj të shkoj.

Bilbil, ti më thuaj: çfarë t’i bëj sevdasë?

Më trego të lutem, mos më lër të plas!   

(“Çfarë t’i bëjë sevdasë?”)

O ti zogëz gjumërëndë,

dil më fol e dil më fto.

Na ka dalë hëna mbi mal,

dil më fol e dil më fto.   

(“Dil më fol”)

O moj lozonjare, që më zbret ndër shkallë,

për ty ngrysem plak e gdhihem djalë.

Nëpër përrenj rrëshqet si një ngjalë,

dot nuk të vras, se të dua të gjallë.

(“Lozonjare”)

Motivet çelës në të gjitha poezitë e Odise Plakut, që janë në të njëjtën kohë edhe bartëse kryesore të përmbajtjes dhe të kuptimit, paraqiten me një rregullsi mbresëlënëse strukturore si në tërësitë e mëdha poetike-strukturore, ashtu dhe në të tërësitë më të vogla poetike-strukturore. Një gjedhe tipike e kësaj rregullsie është poezia“Imi atdhe”, nga e cila po sjellim dy strofa nga katër strofat që ajo ka: 

Në rrugët e tua do të bie e do ngrihem,

do qesh e qaj, do ngrysem e gdhihem.

Qumështin tënd në buzët e mia e kam,

më i ëmbli qumësht, që më rriti si e mira nënë.

Ndonjëherë e mërzitim njëri-tjetrin,

por shpejt në greminë e flakim inatin.

Iki dhe kthehem në folenë e ngrohtë,

më e mira kështjellë në të egrën botë.

(“Imi atdhe”)

Atdheu është dashuria e madhe e poetit, është preokupimi i tij i gjithmonshëm e i gjithkohshëm. Në këtë poezi poeti në formë betimi aktualizon dhembjen e tij të madhe për ikjen e njerëzve jashtë tij, për zbrazjen e tij në kërkim të një mirëqenieje materiale. Ai nuk ka force t’i ndalë, por mund të bëjë diçka:

Në trupin tënd do të rritem përherë,

larg teje nuk do të jem asnjëherë.

Këto janë dy vargjet e para të kësaj poezie, që tingëllojnë si betim para atdheut. I konsideroj si palcën e saj, sepse përmbajnë motivin qendror të saj. Poetit i shkon mendja ndonjëherë edhe të ikë, por:

Iki dhe kthehem në folenë e ngrohtë,

më e mira kështjellë në të egrën botë.

Poezia “Imi atdhe” është shprehje e përjetimeve të fuqishme të subjektit lirik nxitur nga përjetimet konkrete, mendimet dhe parandjenjat dyshuese, që trazojnë botën e tij të brendshme. Poeti nuk është pa shpresë. Ai e di mirë se “kur nuk ekziston rrugë para nesh, duhet ta bëjmë vetë atë rrugë duke ecur (Antonio Makado) ose duhet t’i ngjitemi shpresës, sepse, siç thotë ai, “ti në krye të rrugës më nxjerrë kurdoherë”, sepse ti “më merr pranë vetes, nëse rrugës do më gjesh”.  (“Shpresë”).

Edhe poezitë kushtuar nënës nuk mbeten pa u vërejtur nga lexuesi. Ato janë mbrujtur fort me një ndjesi të thellë, sikurse shquan edhe muzikaliteti i vargut të tyre: “O floriri im, për ty djegë dynjanë,/bekimet Zoti mblodhi në fjalën “nënë”. (“Më mbyt ky mall”). Po kaq e ndjeshme është edhe poezia “Si një fëmijë”, kushtuar nënës:

Në gjoksin tënd kokën dua ta mbështes,

e sigurta kështjellë, që nuk dorëzohet lehtë,

as errësirë, as frika tek ti nuk gjen dot fole,

me erën e gjoksit tënd sonte dua të fle.   (“Si një fëmijë”)

Poezitë e Odise Plakut nuk janë krijuar mbi bazën e do imitimeve verbale a do stereotipave të paracaktuara, as nuk janë fragmente rastësish, por kanë lindur nga shtysa e fortë ndjenjësore e mbështetur gjithmonë nga një mendim a nga një ide e qëndrueshme. Siç ndihet fuqishëm rrjedha e imazheve të brendshme mendimore, siç rrëshqet lirshëm rrjedha e tingujve dhe e fjalëve, po aq e natyrshëm derdhen emocionet e vërteta të poetit edhe kur ia prish qetësinë dalja e një thinje në tëmthin e tij:                                 

U habita me thinjën e parë në tëmtha.

E shkula.

Të dytën po ashtu e shkula me rrënjë.

“Mos i shkul, – më këshilloi nëna. –

Shtohen dreqkat e bëhesh borë.”

E luftë thinjave u shpalla,

unë hiq e ato dil,

betejë e humbur me kohën që ikte.

Me këto vargje domethënëse e shprehëse për betejat jetësore të njeriut (rini–pleqëri), në të vërtetë për betejën për të ndalur kohën, që na ecën marramendshëm, po mbyll këtë vështrim të shkurtër për poezinë më të re të shkrimtarit Odise Plaku, duke sjellë shkurt në vijim edhe disa mendime përmbledhëse.

Poezitë e poetit të talentuar Odise Plaku kanë trajtuar temat thelbësore të natyrës njerëzore dhe të natyrës në përgjithësi: pajtimin dhe kundërthëniet midis tyre. Ato janë gjedhe mjeshtërie në llojin e vet. Ajo që shquan mënyrën e strukturimit të tyre është parimi i lidhjes dhe i kushtëzimit, parimi i harmonisë dhe i përputhjes së përgjithshme midis elementeve të caktuara strukturore jo vetëm në rrafshin gjuhësor dhe stilistik, po edhe në rrafshin tematik, sidomos në paraqitjen e vizionit të tij për gjithësinë – ajo që shihet e ajo që fshihet. Harmonia është realizuar si në formësimin e çdo niveli strukturor – në nivelin e strukturave më të vogla: tërësive poetike, strofave dhe vargjeve, ashtu dhe në të gjitha elementet e tjera strukturore: ritmin, rimën, intonacionin dhe bukurtingëllimin. Gjuha e poezive të Odise Plakut shquhet për pasuri leksikore, shumëkuptimësi e shprehësi të lartë figurative.

Një tjetër vlerë artistike e këtyre poezive është natyrshmëria dhe sistemi, qëndrueshmëria dhe shmangiet, rregullat dhe përjashtimet. Në këtë mënyrë autori i ka ikur monotonisë së formës dhe njëllojtësisë së vargëzimit, duke realizuar kështu efekte mbresëlënëse estetike: kur pritet e njëjta, na paraqitet e reja dhe e ndryshmja dhe e kundërta . Shkurt, poezia e Odise Plaku përfush qartë, përmes artit, përpjekjen e tij që botën në të cilën jetojmë ta bëjë më të mirë se ç’e kemi gjetur, sepse ashtu do të mund të “vdesë” i qetë me vetëdijen se ka bërë atë që ka qenë e mundur./ ObserverKult