(Abdurrahim Maxhuni, Terminologjia e kompjuteristikës në gjuhën shqipe, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2020)
Në studimet gjuhësore të viteve të fundit, gjithnjë e më tepërt, terminologjia është bërë njëra ndër fushat e studimit të gjuhës, e cila po tërheq vëmendjen e studiuesve. Problemet e terminologjisë në gjuhën shqipe si leksik i specializuar në kuadër të leksikut të përgjithshëm, janë ndër çështjet aktuale që presin të zgjerohen e thellohen më tej.
Libri monografik Terminologjia e kompjuteristikës në gjuhën shqipe, i hartuar nga prof. ass. dr. Abdurrahim Maxhuni, është një kontribut me rëndësi në fushën e terminologjisë. Rezultatet e paraqitura në këtë botim na dëshmojnë se në fushën e terminologjisë shqipe janë shtuar përpjekjet për studimin e një prej fushave më të rëndësishme të shqipes moderne, andaj edhe monografia e autorit është një ndihmesë e madhe në njërën prej fushave relativisht të reja në gjuhën shqipe, atë të terminologjisë së kompjuteristikës.
Me punën e tij të kujdesshme, autori i këtij libri, gjuhësisë shqiptare i ka shtuar një studim të munguar dhe ka hapur rrugë për t’i çuar përpara studimet për terminologjinë e kompjuteristikës.
Libri është i pajisur me gjithë aparaturën shkencore që kërkohet dhe shtrihet në 248 faqe tekst.
Paraprihet prej një parathënie për të vazhduar me Hyrjen, në të cilën trajtohen çështjet kryesore që autori i ka shtruar në libër dhe pasohet nga disa krerë, si:
Kreu I – Studime mbi terminologjinë shqipe;
Kreu II – Identiteti i terminologjisë së kompjuteristikës;
Kreu III – Rrugët e krijimit të terminologjisë kompjuteristike në gjuhën shqipe;
Kreu IV – Dukuritë semantike dhe terminologjia e kompjuteristikës;
Kreu V – Terminologjizimi i leksikut të përgjithshëm;
Kreu VI – Terminologjia e kompjuteristikës në tekstet shkollore;
Kreu VII – Shqipërimi i terminologjisë së kompjuteristikës.
Pas pjesës studimore janë Përfundimet, Fjalori i termave të kompjuteristikës dhe Literatura./ ObserverKult