Nuk e lejuan ta varroste të birin, në internim me djalin në arkivol!

Në internim me djalin në arkivol

Ishte viti 1947. Komunistët e nxorën nga shtëpia me dhunë familjen e Zoi Xoxes, ditën që u kishte vdekur djali 16-vjeçar. Një histori që tregon, si asnjë tjetër, mizorinë e regjimit të ri që po vendosej në vend

Nga: Blerina Gjoka

Drita e mëngjesit nuk kishte trokitur ende kur Muzaka, 16-vjeçar, mbylli sytë përgjithmonë. Kishte muaj që lëngonte me sëmundjen e rëndë te meningjitit. Pranë kishte mamanë Eleni që i përkedhelte faqet në heshtje dhe babain, Zoin, të zemëruar me veten e gjithë botën që nuk mundi të gjente ilaçet për shpëtimin e të birit.

Agu erdhi me lotët e mbramë të prindërve që askush nuk i uron në këtë jetë. Dhimbja u ishte kalçifikuar prej muajsh që shihnin të birin të shuhej dhe frikën që rritej si një re e zezë rrotull tyre për fatin që do të kishin.

Komunistët kishin dy vite që kishin ardhur në pushtet. Kishin nisur raprezalet ndaj “armiqve”, iu kishin konfiskuar shtëpitë, i kishin arrestuar dhe pushkatuar. Zoi, një intelektual, patriot e themelues i gazetarisë shqiptare, e dinte që do i vinte radha, por në 18 qershorin e tmerrshëm, ai ishte i boshatisur nga mendimet.

Dhimbja e humbjes së Muzakës ia kishte mpirë trurin dhe trupin. Jepte vetëm përgjigje të gatshme për miqtë e të afërmit duke hapur dyert e mortit.

Por, ajo ditë e gjatë qershori kishte rezervuar për të dhe Elenin një dhimbje të një lloji tjetër, të skajshme. Nga ato që as Dante nuk i kishte imagjinuar kur vijëzoi rrathët e ferrit.

Muzaka dhe Kostaqi me mamanë, Elenin

Trokitja e qoftëlargut

Muzaka me bukurinë e tij qiellore veshur me kostumin e zi të blerë nga e ëma, ishte në heshtjen e përjetshme. Gratë qanin fatin e tij të mjerë. Në dhomën tjetër burrat sillnin karrige nga shtëpitë e tjera në lagje dhe piqnin kafe e në tymin e duhanit mundoheshin të gjenin fjalët e duhura për babain e dërrmuar në qoshe.  Zymtësia ua kishte mbuluar tiparet duke i shndërruar në hije.

Karroca e funeralit solli arkivolin rrethuar me lule. Shokët e gjimnazit e ngritën Zakën dhe e vendosën në shtratin e zi. U nisën telegramet për varrimin. U lajmërua vëllai i tij, Kostaqi, që gjendej në aksion në ndërtimin e hekurudhës në Durrës.

Varrimi do të bëhej në orën 11.00 të asaj dite.

Por, qoftëlargu kishte plane të tjera për atë ditë. Pasi ishte hartuar lista e re e armiqve në vilën përballë ku banonte diktatori i ditëve të para, Enver Hoxha, urdhri ishte dhënë që

Muzaka dhe Kostaqi duke luajtur para shtëpisë së tyre

Zoi Xoxe të zbohej nga shtëpia e vet për t’ia dhënë atë shefit të Sigurimit të gardës që po vinte nga fshati Brataj i Vlorës. 

Zoin e thirrën në derë.  E priste Kryetari i Këshillit të lagjes, Mit’hat Beshiri, një burrë shtatvogël pa asnjë shprehi në fytyrë. Mit’hati rrethohej nga 25 burra të armatosur.  Ai i jep një copë letër ku thuhej se duhej të largohej menjëherë nga shtëpia.

Shtati i lartë i Zoit kërruset nën peshën e këtij urdhri dhe mezi belbëzon; 

“A e dini që më ka vdekur djali sot? Më lini të varros djalin dhe do të ikim”.

Përgjigjja e zyrtarit komunist nuk kishte asgjë njerëzore për të nxjerrë nga goja e një njeriu: 

“Vendimi është marrë, lironi shtëpinë tani! Djali i vdekur do të dëbohet bashkë me ju! Ai e ka emrin atje ku do të internoheni, është në listë sipas certifikatës. Varrose atje ku do të shkosh!” 

Skuadra e ushtarëve që i merrte urdhrat prej qoftëlargut u fut në shtëpinë e zisë duke u shpërndarë në çdo kënd të saj.

Zoi i mjerë u fut në dhomën e grave, ku kufoma e të birit priste nderimet e fundit në këtë jetë. I afrohet së shoqes së shurdhuar nga dhimbja e nënës dhe i flet në vesh. Kuja e saj çau muret, po jo zemrat e komunistëve që prisnin në derë. Nëna provoi me lutjet e saj. Por më kot. Fati i saj ishte paracaktuar nga shtëpia matanë rrugës në bllok.

Internimi i kufomës

Merita dhe Kostaq Xoxa

Dy prindërit në zi dhe fëmija i vdekur udhëtuan për orë të gjata deri në Shtyllas të Fierit. Kur arritën atje ishte errësirë. Askush nuk e dinte që kishin me vete një kufomë dhe nuk e lejuan ta varroste.

Në atë barakë ku i kishte caktuar partia internimin ata qëndruan gjithë natën me të birin e vdekur për të gjetur të nesërmen një copë tokë në varrezat e Fierit, ku ia dorëzuan djalin së panjohurës pa arritur dot të vendosin as një pllakë me emrin e tij mbi dhe.

Zoi u mbyll ne vetvete dhe nuk i foli askujt për shumë kohë. Gruas ia ndaloi t’i fliste për djalin e vdekur. 

“Zoi nuk e përmendi kurrë sa qe gjallë, por Eleni e kujtonte herë pas herë atë ditë të tmerrshme të tyren, kur morën të birin e vdekur në arkivol dhe nisën rrugëtimin nga Tirana në Fier”– tregon për kujto.al, Merita Xoxa, bashkëshortja e Kostaqit, vëllait të vetëm të Muzakës.

 “Nuk morën asgjë nga shtëpia, vetëm rrobat e trupit dhe të birin në arkivol dhe u nisën drejt destinit të tyre.

Në Durrës iu lutën shoferit të ndalonte që  djali i madh t’i jepte vëllait lamtumirën e fundit. Por te hekurudha i thanë se ai kishte shkuar me brigadën e tij më larg. Kostaqit i kishte vajtur telegrami në mëngjes, por komandanti nuk i kishte dhënë lejë. ‘Nesër është festë për popujt e Jugosllavisë dhe do ta presim me realizimin e detyrave, është punë më me rëndësi se varrimi i vëllait tënd’– i kishte thënë ai.

Kostaqi i shkretë kishte ulur kokën dhe ishte nisur në punë me shokët që e ngushëllonin rrugës për vëllanë e humbur”.  Kur ishte kthyer nga puna atë mbrëmje shokët e tjerë i kishin treguar se një kamion u ndalua te hekurudha dhe panë nënën e tij veshur me të zeza dhe një arkivol. 

Merita, e cila ka dy muaj që e ka humbur bashkëshortin e saj të dashur,  tregon se si vdekja e Muzakës ishte bërë për të pengu i tij më i madh.

“Pasi u fejuam me Kostaqin shkuam në Fier, e kërkuam varrin e vëllait, por nuk e gjetëm sepse varrezat ishin prishur dhe ishin bërë ndërtime. Humbi i shkreti Zaka, që i mohuan një varrim të denjë”.

Ajo tregon se para se të vdiste, Kostaqit i ishte rikthyer pengu për të vëllanë.

“‘Ka ardhur Muzaka, do të shkojmë ta marrim në Fier’ – na tha një ditë, 10 ditë para se të largohej nga kjo jetë”,- thotë mes lotësh Merita, e cila e ka përjetuar dramën e madhe të familjes së të shoqit si të ishte edhe drama e saj.

Ajo flet me adhurim për prindërit e burrit të saj, Zoin, një njeri patriot e intelektual i pashoq që e kishte jetuar në varfëri të tejskajshme jetën pas vdekjes së të birit dhe Elenin, një grua e bukur e fisnike që vuajtja e kishte vënë përfund./Kujto.al

Kostaq dhe Muzaka Xoxa

*Bazuar mbi rrëfimet e Merita Xoxës dhe romanin historik “Internimi i kufomës” me autor Marçel Hila

LEXO EDHE: HISTORI TRAGJIKE: MË VARËN KOKËPOSHTË LIDHUR ME KUFOMËN E NJË KLERIKU…