Poezi nga Dhori Qiriazi
Një ditë të pashë, mbillje lule,
u gjenda unë atje,
t’i buzëqeshe, u përkule,
prej tyre farë më dhe.
Megjithëse dheu ish i ftohtë,
besim prap’kishe ti,
se s’do t’i thante gjë në botë,
as dimër, as veri.
I mbolla lulet, ato mbinë
e zunë të hedhin shtat,
megjithëse frynte suferinë,
veriu si për inat.
Po ike ti e më s’u pamë
e pas ato i le;
u rritën lulet dhe u thanë
dhe dhanë farë të re.
Dhe s’di pse fryen e rrepta erë,
i rreh dhe i shkund,
sikur kërkon diku t’i shpjerë
t’i mbjellë tjetërkund.
1959
*Titulli i origjinalit: “Lulet”
ObserverKult
—————————–
LEXO EDHE:
GERARD GENETTE: KRITIKA DHE POETIKA
Nga Gerard Genette
Në Francë- disa vite më parë – vetëdija letrare po zhytej në një proces involutiv paksa shqetësues: polemika midis historisë letrare dhe “kritikës së re”; debate të errëta, në brendësi të vetë “kritikës së re”, midis një të vjetre dhe një të reje “të re”, e para ekzistencialiste dhe tematike, kurse e dyta me frymë formaliste dhe strukturaliste; shtim jo i shëndetshëm i studimeve dhe hetimeve mbi tendencat, metodat, prespektivat dhe udhët pa krye të kritikës. Nga ndarja në ndarje, nga reduktimi në reduktim, studimet letrare tashmë dukeshin përjetësisht të prirura për ta kthyer gjithnjë e më shumë fokusin nga vetja, dhe për t’u mbyllur në një ringjallje, endje, narciziste, sterile dhe në fund të fundit vetëshkatërruese, duke arritur të përmbushë parashikimin e Valéry-së në 1928: “Ku po shkon kritika? Shpresoj, drejt shkatërrimit të saj.”
Tekstin e plotë e gjeni KËTU