Në moshën 81-vjeçare, me një pamje të paqtë dhe ligjërim të urtë, Adelina Mamaqi, shkrimtare e poete që prej vitit 1963, vijon të shkruajë e të promovojë letërsi për fëmijë.
Në një takim me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, që ka nisur bashkëpunimet me autorët e traditës, Mamaqi, vuri theksin te nevoja e mesazheve për të edukuar të vegjlit. Ajo u ndal te zbehja e rolit të redaktorit dhe mangësitë e librave shkollorë që shpesh heqin emrat e autorëve.
Njëherësh iu përgjigj interesit për poezitë e para ’90-ës, mbi Enverin e Partinë që kanë hapur debat. Mamaqi tha se “poezitë për partinë, ishin të detyrueshme. Nuk ka arsye për ‘mea culpa’, nuk ishte me dëshirë”.
Shkrimtarja e njohur dhe e dashur e dhjetëra librave për fëmijë, rrëfen një ndodhi personale. “Kur u arrestua kushëriri im, kolegët deshën të më hiqnin të drejtën e botimit”.
Ajo kujton edhe poezinë me porosi dhe trysninë për t’u bërë anëtare partie.
“Kur vdiq Enveri më kërkuan të shkruaja poezi. Çfarë mund të bëja, a mund të thosha jo? Sigurisht nuk doja ta bëja. Më kërkuan tri herë të bëhesha anëtare partie dhe unë refuzova duke gjetur pretekste, sepse nuk doja”.
Debati për letërsinë e para 90-ës, u hap nga Lisandri Kola, gjatë procesit të përzgjedhjes së poetit laureat./BW