Vjeshta është periudha më e përshtatshme në marrjen e masave në kuadër të konservimit parandalues në ikonat dhe objektet prej druri në kisha.
Specialistët e Muzeut të Ikonografisë Onufri në vlerësim të këtij procesi realizuan kryerjen e dezinfektimit të gjithë strukturës së drurit në mjediset e kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Kalanë e Beratit. Qendra Kombëtare e Muzeumeve thekson se “dezinfektimi është kthyer në praktikë punë për specialistët e Qendrës Muzeore Berat, i cili kryhet periodikisht me shumë kujdes e përgjegjësi profesionale në këtë periudhë të vitit”.
Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” pozicionohet në një vend dominues të lagjes “Kala”, e ndërfutur midis banesave të shumta dhe që dikur përfshihej në kompleksin e mitropolisë, gjurmë të të cilit ruhen edhe sot. Nga datimi i ruajtur mbi një nga portat e naosit, kisha është rindërtuar në vitin 1797 dhe përbën një nga monumentet më përfaqësuese të arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.
Mjaft i spikatur është konservimi i mirë i ikonostasit me gdhendje druri dhe lyer me ar, i datuar në vitin 1806 dhe ku sot janë ekspozuar ikonat më të famshme të piktorëve më të njohur pasbizantinë në Shqipëri./ATSH