Demosteni: Si nuk ju vjen turp, zotërinj gjyqtarë!


Tregojnë se oratori i famshëm grek, Demosteni (384 – 322, para Krishtit), ishte në gjyq duke mbrojtur një njeri të varfër që ishte dënuar me vdekje, i akuzuar për një vrasje që nuk e kishte bërë.
Kur Demosteni shikon se gjykatësit po bënin qyfyre me njëri-tjetrin dhe nuk po e përfillnin çështjen që kishte të bënte me jetën e një njeriu, ndërhyn dhe u thotë:
-Zotërinj gjyqtarë dua t’ju tregoj një histori që i vjen për shtat plotësisht çështjes që trajtohet në këtë gjyq. Ja historia: Një fshatar merr me qira një gomar, për të shkuar në Athinë. Ishte verë, bënte shumë vapë dhe dielli të përvëlonte. Gjatë rrugës nuk kishte asnjë pemë, që të prehej pak në hijen e saj. I lodhur dhe duke mos e duruar diellin, fshatari i zbret gomarit, e lidh për një dru të tharë dhe vetë shtrihet nën hijen e gomarit.
Shkon në Athinë, mbaron punë dhe kthehet. E dorëzon gomarin tek i zoti, paguan qiranë dhe ikën. Më vonë, i zoti i gomarit, merr vesh se fshatari kishte fjetur nën hijen e gomarit. E thërret dhe i thotë:
“Ti më pagove vetëm qiranë e gomarit, ndërsa qiranë e hijes së tij nuk ma dhe.”
“Ta dhashë të gjithë qiranë për gomarin”, ia kthen fshatari.
Dhe midis tyre nis një dikutim i dhunshëm…
Kaq tha Demosteni dhe e ndërpreu historinë. Pastaj iu kthye sërish çështjes së njeriut që po mbronte në gjyq.
Por gjyqtarët, tejet kureshtarë këmbëngulën, duke i thënë:
-Vazhdo tregona se si përfundoi sherri për gomarin dhe hijen e tij.
Atëherë, oratori i shquar kthehet dhe u thotë:
-Si nuk ju vjen turp, zotërinj gjyqtarë! Kur bëhet fjalë për jetën e një njeriu të pafajshëm, ju as që i kushtoni rëndësi, por bëni llogje me njëri-tjetrin, ndërsa për gomarin dhe hijen e tij doni të dini çdo hollësi. Më thoni, kjo është detyra e gjyqtarëve?

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult