Platoni: Do t’ju tregoj diçka që më tha për dashurinë një grua…

Platoni lindi rreth vitit 427 p.e.s dhe vdiq në vitin 347 p.e.s. Ishte i biri i Aristonit dhe Periktionisës, kishte dy vëllezër, Glaykonin dhe Adeimanton. Emri i tij i vërtetë ishte Aristokles por më vonë e quajtën Platoni sepse kishte “gjoks dhe ballë të gjerë”.  

Aristoteli na tregon se dikur gjatë rinisë, Platoni erdhi në kontakt me doktrinat e Kratilus, një nxënës i Heraklitit, i cili së bashku me mendimtarë të tjerë para-Sokratik si Pitagora dhe Parmenidi, i dhanë themelet metafizike dhe epistimologjike kërkimore. Por kur u takua me Sokratin filloi të thellonte më tej njohuritë drejt temës filozofike të virtytit.

E njohu Sokratin kur ishte 20 vjeç dhe qëndroi pranë tij deri në vdekjen e mësuesit të madh (399 para erës sonë).

Pas ekzekutimit të Sokratit kërkoi strehim për pak kohë në Megara, pranë shokut të klasës së tij, Euklidit. Më vonë u kthye në Athinë, ku për 10 vjet iu përkushtua shkrimit të veprave filozofike që mbajnë vulën e filozofisë Sokratike.

Platoni ka dhënë mësim në Akademi intensivisht dhe ka shkruar mbi shumë çështje filozofike, që kanë qënë veçanërisht të lidhura me politikën, etikën, metafizikën dhe epistimologjinë. Ndër shkrimet më të njohura të Platonit janë dialogjet e tij. Mendohet që të gjitha dialogjet autentike të Platonit kanë mbijetuar.

Ai la pas vetes shumë vepra ndër të cilat është “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi“, e cila në gjuhën shqipe erdhi e përkthyer nga Lazër Radi. Një pjesë nga kjo vepër ObserverKult e ka shkëputur dhe e sjell në vazhdim:

“Tani po të le të qetë, o Agaton. Do t’ju tregoj diçka që më tha për dashurinë një grua nga Mantinea, Diotima, mjaft e përgatitur në kësi çështjesh, por edhe në shumë lëndë të tjera. Më anën e flijimeve që bënin athinasit, ajo arriti ta vonojë epideminë e mortajës për gati dhjetë vjet.

Qe ajo, që i plotësoi dijet e mia mbi lëndën e dashurisë dhe, nisur nga përfundimet që nxorrëm unë dhe Agatoni, do të përpiqem të përsëris, ashtu si mundem, me fjalët e mia bisedën që bëra me të. Pikërisht, ashtu siç the dhe ti, Agaton, edhe ajo më kërkoi të përcaktohet se ç’është Dashuria dhe cila është natyra e saj.

Besoj, se gjëja më e përshtatshme ishte të ndiqja dhe unë, po atë metodë që përdori ajo e huaj, kur diskutoi me mua. Edhe unë, i thashë pak a shumë po ato gjëra që më tha pak më parë Agatoni; se Dashuria është një perëndeshë e madhe, se është dashuri për gjërat e bukura, ndërsa ajo nisi të m’i hedhë poshtë me ato argumente që përdora unë, pra që

Dashuria nuk është e bukur (po përdor fjalët e mia) dhe as e mirë. “Unë iu ktheva: “Ç’thua kështu, o Diotimë? Sipas teje dashuria qenka e shëmtuar dhe keqbërëse? “
“Çfarë? Ti po fillon edhe të blasfemosh?”-më tha ajo- “Ti mendon se diçka që s’është e bukur, doemos duhet të jetë e shëmtuar?”
“Sigurisht.”


“Ti mendon se dikush që nuk është i ditur duhet të jetë doemos injorant?
A nuk e sheh se ka gjithmonë një rrugë e mesme ndërmjet dijes dhe injorancës?”
“E cila është kjo rrugë?”


“Të kesh një opinion të saktë, edhe nëse s’ke mundësi të shpjegohesh; dhe ta merr mendja se kjo nuk është dituri (si mund të jetë e tillë kur nuk di të japësh shpjegime), por ama nuk është as injorancë (si mund të jetë e tillë kur ajo përmban një të vërtetë). Me një fjalë edhe opinioni i drejtë është diçka e përafërt, është njëfarë rruge e mesme ndërmjet diturisë dhe injorancës. “


“Kjo që thua është e vërtetë,” – i thashë.
“Prandaj mos këmbëngul të thuash se ajo që nuk është e mirë, duhet të jetë e keqe. Po kjo mund ta thuhet edhe në raport me dashurinë, sepse e shoh se edhe ti je dakord  që, ajo nuk është e mirë dhe e bukur, nuk duhet që të jetë as keqbërëse dhe as e shëmtuar, por, diçka midis këtyre dy ekstremeve.”
“Megjithatë”, -theksova unë-“ të gjithë janë të mendimit se ajo është një perëndeshë e fuqishme.”


“Të gjithë? Kush? Ata që nuk dinë, apo edhe ata që dinë?”
“Të gjithë.”
“Si mund të thuhet një gjë të tillë, o Sokrat? Na qenka një perëndeshë e madhe!-tha ajo duke qeshur-“Kur ka të tjerë që thonë se nuk është fare perëndi?”
“Po cilët janë ata që thonë?”


“Njëri prej tyre me sa duhet je ti, kurse tjetra jam unë.”
“Si mund ta thuash një gjë të tillë?”
“Në mënyrën më të thjeshtë. Të lutem m’u përgjigj: a nuk ke pohuar ti se gjithë perënditë janë të lumtur dhe të bukur? A mund të kesh guxim të më thuash nëse ndonji prej tyre nuk është as i bukur dhe as i lumtur?”


“O perëndi, jo, unë nuk mund të them këtë gjë.”-iu përgjigja.
“Sipas teje, të lumturit, a nuk janë ata që kanë edhe mirësi edhe bukuri?”
“Sigurisht.”


“A nuk e pranuam se dashuria i dëshiron gjërat e mira dhe të bukura, pikërisht sepse ato i mungojnë?”
“Po, patjetër.”
“Po si mund të jetë perëndi ai që nuk ka as bukuri e as mirësi?”
“Oh, jo, absolutisht jo.”
“A e sheh pra, “-përfundoi ajo-“edhe ti e pranove se dashuria nuk është një perëndi?”

*Shkëputur nga libri i Platonit: “Elozhi i dashurisë ose simpoziumi

Përktheu: Dr. Lazër Radi

Përgatiti: K. B.- ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

THËNIE TË ZGJEDHURA NGA PLATONI: TË GJITHË BËHEN POETË KUR PREKEN NGA DASHURIA…