(Ledia Dushi, “Femna s’asht njeri”, Bard Books, Prishtinë, 2020)
Nga Primo Shllaku
Këto 10-20 vjetët e fundit ka fillue mbi terrenin e letrave shqipe nji lëvizje e dukshme dhe e randësishme poetike, e nisun dhe e bajtun prej nji grupi “amazonash” – dhe që unë do të doja të quhej poezi amazonike – të cilat kanë formue nji si shtjellë ose vorbull poetik të një energjie e të nji vrulli të papamë ndër letrat shqipe këtej e andej Drinit. Kjo letërsi autoresh femnore dhe granore ka krijue nji “njollë” të dukshme në hartën e shestimeve letrare sa për intensitetin e ngjyrimeve dhe larmive, aq edhe për guximin dhe shpërthimin që mbart në vete. Këto bija të nji revolucioni gjinor që ka fillue herët ndër ne e që shpërtheu në pjesëmarrjen masive të grave në Luftën e Dytë Botnore, në të dy kampet, mbas viteve ’90 pati nji rekrutim të hatashëm poetik. Lista e këtyne “amazonave” asht e gjatë dhe përgjegjësia për t’i numrue të gjitha na nxjerr jashtë caqeve të kësaj introdukte. Gjithsesi mund të themi se kjo aradhë grash e vajzash trimnesha që marrin përsipër me i pri estetikisht, por edhe me e pasqyrue estetikisht këtë fazë të revolucionit gjinor, shquhen për njifarë shpërthimi të “kufijve” dhe dalje në vetë të parë. Poezia e tynë asht emancipuese, asht personale, kërkon të afirmojë identitetin e femnës përmes marrëdhanies me lirinë dhe ndoshta, në raste ma të imëta, hyn edhe në probleme ma konkrete të karakterit familjar, gja që e ban atë ta humbasë estetizmin dhe klithmën e saj ekzistenciale.
Ledia Dushi asht padyshim njena prej këtyne amazonave që e ka fillue herët poezinë, kur ishte ende fare e njomë. Për hir të vërtetës dhe të rezultateve të gjata që na japin persiatjet mbi këtë grupim në përgjithësi dhe mbi Ledian në veçanti, dallojmë se kjo e fundit priret nga nji objekt tjetër letrar dhe estetik, priret nga ma pak landë shoqnore dhe familjare, nga ma pak kërkesë lirie dhe nuk demostron revoltën e ndjenjës që vjen nga nji gjendje inferiore. Ledia duket se e ka edhe lirinë, se e ka përfundue mbrenda vetes në mënyrën ma diskrete dhe personale atë revolucion gjinor, fillue historikisht nga femna shqiptare prej viteve ’40. Asht fare e dukshme se vetëdija e saj nuk do t’i donte liritë për liri, hapësinat për hapësina. Kahja e përpjekjes së saj asht vetja si njeri dhe labirintet e njohjes së vetes, por edhe të racës së të lirëve përmes nji udhëtimi të mbrendshëm nëpër zonat e ndjenjave, përvojave, dijeve dhe spjegimit të nji bote që, nëse nuk asht ashtu për të gjithë, të paktën asht nji variant depërtimi dhe nji përpjekje pioniere.
Cila kishte me qenë qasja e Ledia Dushit tek “arat” e poezisë? Pse asht aty ajo dhe pse janë të dyja bashkë?
Mendoj se në këtë rast pyetjet janë shum ma të lehta se përgjigjet ndaj tyne. Këto pyetje univoke kanë qenë gjithnji shkak për lindjen e mija vëzhgimeve kritike mbi të njajtit autorë. Pra as unë nuk e marr përsipër me thanë diçka të plotë e shterruese lidhë më të. Por mendoj se së pari:
Ledia asht gjuhë. Gjithsesi do të doja të zhdavariteshin idetë se ajo ose kushdo tjetër po mbron ose po kundërmbron nji variant letrar të përjashtuem zyrtarisht e që dikush paska ndër mend ta ripropozojë si viktimë që mëshirohet. Ledia asht gjuhë sepse ajo të gjithë përpjekjen e saj e ka drejtue tek gjuha, të cilën, për fatin e keq të saj, nuk e ka të gatshme, nuk e ka “me fishekun në gojë” dhe asaj le t’i vijë mendimi se gjuha ia pret në çarçaf prej mëndafshi. Në biseda të shpeshta mbi letërsinë e poezinë sidomos, Ledia dallon ma shum landë poetike se gjuhë poetike ndër ne. Kjo ka arsyet e veta historike që lidhen me vonesat e shkrimit letrar shqip (gjithnji kjo e pame në krahasim me gjuhët e mëdha të kontinentit të cilat kanë pasë nji vijimësi dhe nji zhvillim frontal mbrenda vetes). Vërtet që shqipja filloi lavrimin e saj masiv dhe frontalisht me atë që e quejmë Rilindje kombëtare, por mos të harrojmë se kjo lëvizje ishte thelbësisht e masivisht etnocentrike, pothuejse njitemëshe, gja që përcaktoi edhe fatin e fjalës letrare shqipe e cila zhvilloi anët e saj kuptimore që kishin të banin me frymën entuziaste, bombastike, ngadhënjimtare, panegjirike etj. I ashtuquejtuni realizëm socialist pati nji fat të madh se e gjeti frymën epike dhe heroike shum të gjallë, sepse historia nuk i ndan me thikë epokat dhe dukunitë shpirtnore kanë njifarë inercie, e cila, në fakt, u shfrytëzue për të ngritë nji korpus letrar propagandistik, mobilizues, gjithsesi funksional e shërbestar.
Kur mbas viteve ’90 ramë në kontakt me nevojat konkrete e reale të përkthimit të nji letërsie lirike dhe spirituale europiane ose jo, por gjithsesi që i kishte kalue me shekuj përpara nesh stadet e panagjirizmit dhe muzat shtetnore i kishin ndry ndër muze, të gjithë – po them unë të gjithë – e kuptuen se shqipja e kishte të vështirë të ulej deri tek jonet e kanarinës ose të violinës. Fjala poetike shqipe nuk ishte e rysun, nuk ishte e rrahun, nuk kishte rranjë e degë të holla për adoptime rastësore ose edhe njipërdorimëshe të kuptimeve kontekstuale. Shqipja na u zbulue si gjuhë denotative dhe jo si konotative.
Poetja Ledia Dushi në qetësinë dhe vetminë e saj prej kërkimtareje të vlerave të “përtejme” të gjuhës, mbase e konsideronte gjuhën si humus dhe jo si farë. Mbase ajo mendonte ose sillej sikur mendonte se fara asht vetë poeti, kurse gjuha asht humusi, në të cilën mbin dhe zhvillohet optimalisht çfardo fare.
Dhe po t’i qasemi me këtë ide vargjeve të Dushit, do të shohim pothuejse kudo nji atmosferë, nji peizash të magjepsun sendesh të rreshtueme dhe të raportueme në nji mënyre fare të re, gati-gati onirike, gjithsesi surreale dhe pothuejse me nji rend që racionalisht na lë të gjithëve mbas dere. Sintaksa asht shqip, fjalët edhe ma shqip, madje mjaft të qëmtueme dhe të nxjerra prej dheut dhe pa asnji paragjykim formal. Por peizazhi asht i magjepsun, i magjepsun si tek “Liza në botën e çudinave” të Lewis Carroll-it. Ky transformim kaq i madh e kaq i guximshëm asht virtyti i parë i artit në estetikë. Kur hyjmë tek poezia e Ledias na duhet me lanë jashtë nji seri veglash, të cilat na ndihmojnë me “zbërthye” formulime poetike dhe me gjetë a me intuitue mesazhe. Jo, Ledia na zhgënjen, sepse Ledia punon me gjuhën dhe gjuha e saj nuk asht as gjuha e poetëve të maparshëm e aq ma pak gjuha e përditshmënisë. Ledia e bonifikon gjuhën, e zhdërvjelltëson atë, ia thyen tipologjitë dhe e hap kuptimisht fjalën dhe fjalinë. Pra e sublimon, duke mos ia prekë fare kuptimin leksikor që ka në fjalor. Poezia e madhe dhe speciale punon me avrën dhe me atmosferën që ka përreth fjala, të cilat, po nuk u banë pronë e letërsisë së kultivueme, mbeten atje si një thesar i kotë. Sigurisht duhet thanë se nji punë e tillë asht fryt i leximeve dhe i kuptimeve të thella të letërsive me sfond spiritual dhe me kërkim transcendental rreth njeriut. Kuptohet që nji poezi e tillë që merr përsipër kërkime dhe realizon gjetje si kjo e Ledia Dushit, pranimi dhe gjetja e nji game ma të madhe tingujsh fonetikë asht pa dyshim nji preferencë e detyrueshme e autores.
Te poezia e Dushit vemë rë nji sinestetizëm që mbetet për t’u zbulue në hulumtime biografike dhe formuese të autores. Vargu shpesh i gjatë dhe madje me enjambement, përsëritjet e fjalëve por edhe të togfjalëshave, peizazhi anonim dhe i mbrendshëm që nuk ka konotacione gjeoklimaterike, fraza që ndërtohet sintaktikisht, por që nuk rrëfen dhe nuk tregon, na afrojnë në hamendjet tona me muzikën, madje mue që e njoh personalisht autoren, do të thoja se afrimi asht edhe ma specifik, sepse Dushi asht nji amatore e thekun e muzikës barok dhe e fugave. Lidhja me muzikën i jep vargut të saj atë energjinë me shkue deri tek fundi i nji mase (përkatësisht i një fraze poetike), edhe pse fraza e saj nuk na tregon diçka narrative, përshkruese dhe të përvijueshme si diçka adekuate me realitetin. Sintaksa e poezisë së saj asht diçka analoge me realitetin dhe adekuate me muzikën. Mungesa e rrëfimtarisë, mungesa e kuptimit logjik dhe e sensit të thënies janë simptoma të muzikës që thotë pa thanë, që shpreh pa fjalë dhe pa kuptime leksikore. Lidhjet shkak pasojë janë shkatërrue tek poezia e Ledias, për t’i lanë vendin sugjerimit emocional dhe udhëtimit mendor pa ndalesa sipas teknikës së rrëmbimit muzikor. Fraza e gjatë marrafrymëse na sugjeron fugën dhe përsëritja e fjalëve ose e togfjalëshave refrenet muzikore që janë kaq të rëndomta në çdolloj muzike. E pozicionueme qysh herët në krijimet e para të saj ndaj poezisë së përvojave, ajo ka ditë të shkojë edhe përtej emocioneve dhe atje, në atë lirishte të re ku ka zanë vend, na duket se ajo ka gjetë mineral dhe merret me përvojën e emocioneve. Edhe kjo ndoshta mund të jetë nji hallkë përbashkuese me strukturën e muzikës të cilën, simbas mendimit tim, Ledia Dushi e ka ulë me bujtë mbrenda territoreve të poezisë si sprovë e domosdoshme e sinestetizmit.
Ndonse ajo e ka shkatërrue botën e rëndomtë dhe ndërton nji botë simbas ligjeve eterike të poezisë, si nji nga format ma të vjetra dhe ma të kullueta të krijimit, në sfondin e dytë të indit të saj poetik mshefen keq edhe parimet, edhe qëllimet e projektit të saj intim mbi poezinë. E rrëmbyeme prej dallgës muzikore, poezia e saj të duket se nuk do të donte të thoshte asgja, dhe kjo për nji reagim të ashpër ndaj çdo letërsie thanëse dhe mesazhuese që ka karrocerinë e madhe dhe mban edhe elemente të propagandës. Tek një dyvargësh i mshefun atje mes mija figurash që vrapojnë si nota të nxitueme muzike, ndalohemi dhe e nënvizojmë: asgja mos ndodhtë ngjeshë lulezbehtave të parzmit/ sendet përçudnisht mrekullohen u bjerrtë kuptimi.
Nëse konkordancat me muzikën burojnë nënvetdijshëm nga formimi muzikor dhe pasioni i pazakontë i autores për muzikën, këto vargjet e masipërme na rrëfejnë, na e zbulojnë ashtu vagullisht e turbullisht nordin teknik të poetifikimit të saj. Gjithçka sfumohet lehtësisht në të patrajtshmen e të nënvetdijshmes, gjithçka zbulohet në studimin dinamik të fjalëve që presin të ridimensionohen ose të ripagëzohen mbrenda indit poetik të Ledias dhe vetëm aty, prej saj e për të. Arti nuk klasifikon si shkenca. Ai vetëm deklasifikon.
Emni lidhet me realizimin dhe, kush vjen mbrapa, duhet të shpikë trapin ose avionin e tij për me kalue matanë./ ObserverKult