E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një personazh që personifikohet me dijen dhe librin. Është një personazh që nuk ka hequr dorë kurrë nga botimi i librave pavarësisht se si dhe çfarë ofron ky treg, bëhet fjalë për Vasilika Tafan drejtore e shtëpisë botuese “Ombra gvg”. Drejtoresha ka folur gjatë si për karrierën ashtu dhe për jetën e saj personale. Ajo ka ndarë me publikun dhe një histori të vështirë që ka kaluar në fëmijërinë e saj
“Fëmijëria si për të gjithë në ato kohëra ka pasur edhe befasira. Para se të hyja në klasën e parë, im atë një ditë Korriku largohet nga shtëpia sepse u burgos. Ishte e vështirë, unë nuk e kuptoja por shikoja lot në sytë e gjyshes dhe nënës sime, shpesh e kërkoja tim atë, thoja ku është babi dhe përgjigjia që më kthehej ishte se ka ikur për një shkollë në Tiranë.
Mua po të më thoje për shkollën e doja sepse isha në atë fazën sa do hyja në klasën e parë dhe ishte emocion i madh për mua. Mami më thoshte nëse del e para në klasë babi do vinte më shpejt unë isha shumë e përkushtuar ndaj mësimeve, tërë jetën kam qenë me 10-ta. Kur mbaroj klasën e parë, mami më premton që do shkojmë të takojmë babin.
Unë nuk e dija ku ishte babi, udhëtojmë drejt Tiranës, ende i kam të gjalla kujtimet e asaj dite ku ne nuk arritëm orarin e pritjes sepse caktohej një orar pritje dhe unë i lutesha policit i thoja të lutem më ler vetëm mua ta takoj babin se dua t’i jap fletën e lavdërimit dhe dëftesën. Ishte një burrë me mustaqe të gjata që nuk më linin të kuptoja nëse thoshe po apo jo, por mbaj mend që ai bëri diçka për mua. E mori dëftesën dhe fletë-lavdërimin dhe e çoi tek komandanti i burgut.
Një burrë i gjatë më priti në zyrë dhe nga një derë që u hap, del im atë. Unë isha mësuar ta shihja atë të veshur bukur, të qeshur dhe pashë tim atë që i rrodhën lotët nga sytë më mori, më përqafoi fort dhe thoshte vetëm faleminderit dy drejtuesëve të burgut dhe nuk nxirrte asnjë fjali nga goja. Ende e ruaj dëftesën dhe fletë-lavdërimin dhe ato kanë lotët e tim eti.
Është një nga kujtimet më të vështira të fëmijërisë time, por ndoshta ka ndikuar që unë të jem një vajzë e fortë dhe të kërkoj të arrij diçka. Ndoshta në shtëpi nuk më mungonte kujdesi, ushqimi, veshja, të gjitha i kisha, por më mungonte një njeri shumë i shtrenjtë, im atë. Sigurtisht pas një kohe ai u kthye në familje, mora vesh të vërtetën dhe e kam dhimbje këtë të vërtetë sepse derisa im atë ndërroi jetë, kurrë nuk ia hodhi sytë televizorit sepse ai kishte hyrë në burg për një televizor me ngjyra që e kishte dërguar halla e tij nga Amerika, ka rrëfyer Vasilika Tafa. /tvklan.al