Shllaku: Po t’i kishte ndodhë tosknishtes, ajo që i ka ndodhë gegnishtes, autorët toskë nuk do t’kishin shkrú mâ

primo shllaku lule në dëborë

Më poshtë një intervistë e Primo Shllakut, poet dhe studies, dhënë për televizonin lokal “Star Plus” në Shkodër.

***

Intervistoi Erzen Koperaj

Z. Shllaku, pse dialekti gegë ka nevojë të mbrohet dhe lëvrohet, pse e keni kthyer në një mision mbrojtjen e gegnishtes dhe vlerave të saj?

Gegnishtja nuk ka pushu së lavruemi, nuk ka pushu së foluni, nuk ka pushu së zhvilluemi, gjithnji në bashkëpunim edhe me koinenë dhe dialektin toskë. Ne ndodhemi sot në nji situatë gjuhësore shumë fluide, nuk jemi mâ nën trysninë e presionin e kazanit të viteve ’72-’90, ndodhemi në nji terren lirie relative, por të mjaftueshme për t’i siguru sejcilit afirmimin e identitetit të tij gjuhësor dhe kjo nuk asht pak: nji arritje reale që njerëzit e kanë shfrytëzu dhe materializu me veprat e tyne. Nji pjesë e madhe e njerëzve që nuk na duen ne, njerëzve që merremi me punët e gegnishtes, që shkruejmë në gegnisht, që insistojmë e që kërkojmë rilidhjen e epokave atje ku janë këputë, që kërkojmë rilidhjen e fillit të këputun, sipas shprehjes lapidare të Martin Camajt, është fakti se mundohen të na paraqesin sikur ne i shkojmë kundër rrymës, kjo nuk asht e vërtetë, ne nuk i shkojmë kontra rrymës, por nuk lamë as të na marrë rryma përpara.

Koshienca e madhe e koinesë gege, e kryedialektit gegë, e letrarishtes gege e gegnishtes letrare asht ma e fortë se 18 vjetët e furrës së Kongresit të Drejtshkrimit, sepse gegnishtja niset prej errësinave të kohës, vjen e ndërton qytetin e madh të librave të katër B-ve (Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit), vjen përmes nji traditet që ka kalu situata edhe mâ të vështira se ajo e periudhës komuniste, dhe prandaj ne e kemi kaq të lehtë, e prandaj kjo asht kaq dëshpruese për ithtarët e së kundërtës. Ata nuk e kuptojnë se gegnishtja bashkë me tosknishten kanë kalu nëpër Skilen dhe Karibden e 500 vjetëve të Perandorisë Osmane, e cila ka mbajtë nji qendrim negativ ndaj shqipes.

Dhe papritmas regjimi komunist mban të njajtin qendrim negativ ndaj gegnishtes, në një kohë kur gegnishtja ishte çerdhja e madhe me vezët e mëdha dhe zogjtë e mëdhej e shqipet e mëdha të nji produkti letrar të pashoq në gjithë arealin shqiptar. Sepse shqipja veriore, përveç Zef Jubanit dhe Pashko Vasës, kolosët e vet i ka pasë vendali, kanë ndejt këtu ata, nuk kanë qenë emigranta. Kuptohet se kanë zhvillu nji sistem rranjësor dhe kanë thith vlagën e madhe të gjuhës popullore e cila në të gjitha rastet asht burimi i energjisë dhe i forcës shprehëse gjuhësore. Fishta i lutej provincialit të fretënve “Mos më transferoni!”, në kohën kur ishte në Hot, sepse ishte tue bâ veprën e vet, sepse vepra e tij ka lindë aty ku flitet për përmbajtjen e asaj vepret. Vepra e Fishtës asht e para vepër aktuale, e para herë kur shqiptarët e aktualizojnë historinë, për herë të parë në nji vepër rilindase nuk flitet për Motin e Madh, për Skënderbeun, por flitet për varre të freskëta, plagë që kullojnë, për flamur të grisun, të nji ngjarjeje që kishte pak ditë që kishte ndodhë.

Në mënyrë figurative, Fishta asht ndoshta i pari reporter i kronikës shqiptare në letërsi. Pra kemi nji letërsi të freskët, prandaj ajo letërsi ngjiti. Vetëm fenomenologjitë e prumjeve të gegnishtes po t’i përmendim, shofim se e gjithë letërsia shqipe “ka dalë mbi ujë” me ngjyrën e gegnishtes, mjafton t’i rreshtojmë: romani i parë, kthesa e parë policentrike me Migjenin, mrekullia e Ndre Mjedës, që e ktheu shqipen si nji gjuhë operash. Dhe papritmas na vjen një Androkli Kostallari, inkompetent (e kam fjalën në formimin e tij, ai ishte specialist në morfologji, fjalëformim dhe një specialist i tillë nuk ka tagër të vendosë në çështje e probleme që i takojnë sociolinguistikës) që merr përsipër formimin e gjuhës së përbashkët. I vetmi njeri që mund ta merrte përsipër një detyrë të tillë, për gjuhën e përbashkët, jo për kët’ që na kanë lanë, ishte E.Çabej. Por Çabej u tërhoq, nuk deshti me e marrë përsipër atë punë.

Fatkeqësia e madhe e jona asht se ne jemi popull mitologjik, edhe në atë kohë thuhej se Çabej nuk ka dashtë, se nuk ka qenë dakord. Jo, jo, kanë qenë dakord të gjithë. Mund ta kishte lanë me shkrim, ta shifshim të gjithë që ai s’ka qenë për këtë gjuhë të përbashkët. Nuk amnistoj asnji njeri. Asht bâ nji padrejtësi e madhe prej të gjithëve, pamvarësisht se ça kanë mendu në thellësi.Na kemi nevojë për aktin. Shkencëtari duhet të jetë trim, nuk ka shkencëtar frikacak. Shkenca asht provë e  virtytit, nuk asht provë e konformizmit.

Megjithatë duket sikur sot ky kapitull quhet i mbyllur. Ka prej atyre të cilët e pranojnë se ka qenë një diktat i ushtruar dhe i motivuar politikisht, por që nuk mund të rikthehet më për diskutim.

Kjo asht pjesa absurde e kësaj historie. Demokracia, epoke e re, njeriu mendues vjen me korigju. Edhe komunistat erdhën si korigjues, ata banë reforma, si reforma agrare etj. por t’gjithë e dimë sesi shkoi drejtimi i tyne. Pas përmbysjes së atij sistemi, filluen ndryshimet në ekonomi, u kthye prona private, në politikë, u bânë zgjedhje pluraliste. Nuk e di pse kritika u ndal para gjuhës. Apo sepse “fitimtarët” e  Luftës së Dytë Botnore e donin nji kryekështjellë, e kjo kryekështjellë ishte gjuha. Gjuha asht nji fenomen që zhvillohet shpejt, mâ shpejt madje se t’gjitha format e tjera. Gjuha, asht nji fenomen gjithmonë në ndryshim,po të matet, (sepse ka metoda shkencore që e masin gjuhën, edhe brenda muejit lind nji fjalë e re, nji idiomë e re, që mund të jetojë 100 vjet, ikën ajo e vjen nji tjetër) shofim se nuk asht nji fakt i kryem. Prandaj gjuha e njësueme nuk mund të përjashtojë potencialet e mëdha të kombit, sepse “ne kemi qenë fitimtarët” e nji lufte që sot e ksaj ditet ka dritë-hijet e veta, e cila e ka vú shoqninë shqiptare përpara nji pyetjet t’ madhe: mirë se çlirimtarët na çlirún, po ne, kush do t’na çlirojë nga çlirimtarët?

Kemi nji riardhje të mendësive të asaj kohe, kemi nji rritje të arrogancës dhe nji lloj analogjie të frikshme, me cungime e krasitje të lirive, po mundohen të na mbyllin gojën. Nuk jemi larg kësaj prespektive. Kambëngul në kët’ pikë, nuk ka ndodhun asnji fakt i kryem. Monumenti që ka krijú gjuha letrare e njësume e Kostallarit dhe shkolla gjuhësore marksisteleniniste e Tiranës asht letërsia e realizmit socialist, letërsi që ka ra e gjitha, asht rrëzú tashma. Atëherë pse duhet ta mbrojmë ne? A duhet ta mbrojmë se kështu dojnë vllaznit tonë të Jugut? Këtë s’duhet ta bajmë edhe për për të mirën e tyne.

Zakonisht thuhet se beteja gjuhësore u fitua edhe prej letërsisë së shkruar në standard, me emra të tillë si Kadare, Agolli etj.

Gegnishtja po jeton moshën e saj të rehabilitimit, ajo po rehabilitohet qoftë si tingëllim, qoftë si rikthim e ristudim i atyre vlerave që i ishin mohú. Vetë absurdi i diktaturave asht se krijon diga, krijon pragje që mandej shpërthejnë me forcë. Kishin mbetë figura t’mdhaja të pazbulueme si Fishta, Camaj, Koliqi etj. që erdhën si meteorë, erdhën e ranë si gurë të mdhâj në mes të fushës. Mbetëm të shtangun, sa pati prej atyne që fillún me pyet si asht e mundun që s’kemi ndî për ta. Ata aty kanë qenë, por përkatësia gege i bante të ishin rreptësisht të ndalúm. Këtë surprizë të madhe nuk e pësún vetëm ne gegët. Kush kishte arritë me e lexu Camajn para viteve ’90?

Gegnishtja erdhi me emra të fuqishëm prap’, me emra të ri dhe emra të vjetër por që nuk njifeshin nga brezat. Kur u pa për shembull, se letërsia e Camajt ishte nji letërsi autentike, nji letërsi e pastër e kulluet dhe nuk kishte brenda saj përpjekjet për të sigurú vetes nji liçencë, por ishte nji letërsi e përjetshme, eterne, sikurse nuk ishte e tillë letërsia e Ismail Kadaresë, i cili (sipas tij, se sipas meje jo) ishte detyrúm me pagú “the tolls”, me ndezë nji qiri për djallin për me mujt me folë për engjëllin, gjâ që un nuk e besoj. Personalisht, e shof letërsinë e Kadaresë si nji letërsi me dashní pa fund për komunizmin dhe elitat komuniste. Ai iu rikthye edhe nji herë veprave të veta, hoqi këto pjesë, por mbetet nji letërsi e arrnueme. Ne që kemi punë me letërsi në aulat me studenta, e shofim qartë se të rítë nuk kanë anji interes për problemet e luftës së ftoftë në letërsi, atyne i pëlqen lirija e jetës, dashunia, problemet e vetëdijes për me zbulu vetveten, autorë si Markezi. Kam përshtypjen se rinisë shqiptare sot as nuk i shijon e as nuk i intereson vepra të tilla të Kadaresë si “Dimri i madh”, me subjekte të tilla me Enver Hoxhën që na paska një hall të madh e që nji djalë që aty vendoset si personazhi kryesor nuk i tregon të shoqes se pse rrinte deri vonë ndërkohë që kjo e fundit kujtonte se ky e tradhtonte, subjekte që sot janë pa kuptim, s’transmetojnë mâ asgjâ, nji letërsi e shpulpueme, si i thojmë ne “s’ka ma lang hiç”. Asht e pakuptimtë që ne t’presim që kjo t’jetë letërsia jonë mâ e mirë? Jo, kjo as nuk asht as letërsia e s’ardhmes e as letërsia e vijimësisë. Nuk asht dhe nuk mund të jetë!

Ai (Kadare) nëse asht i zoti me shkrú gjâna të bukra në lirí, le t’shkruejn, por unë jam dakord me kritikët e tij që thojnë se Kadare e ka problem me shkrú në lirí. Në lirí ai nuk ka arritë me tejkalu vetveten e asaj çfarë ka shkrú në diktaturë. Gegnishtja i ka forcat e mëdha, me autor si Zef Zorba, vepra e të cilit asht nji përgjigje e fortë ndaj atyne që thojnë “mâ mirë kët’letërsi të realizmit socialist apo mos të kishim hiç”.

Po, mâ mirë të mos e kishim, ta kishim ndër “sepete”, sepse i kanë shërby atij regjimi që ishte njerëzore, që ishte kundër shoqnisë shqiptare, kundër zhvillimit e që na la kaq mbrapa. Gegnishtja, letërsia e saj e pati hovin e madh, se erdhi si alternativë, si një model i ri, si nji qendrim i pastër, i qartë i ndershmënísë intelektuale. E gjitha kjo e futi moralisht në eklips galerinë e t’mdhajve, e deshëve të realizmit socialist. Gjithë këtyne që “i rriti partia” mundena me i thanë: mirë se ishit të detyruem me shkrú për regjimin, por ta mbanit edhe nga nji vepër në sirtar, të fshehun, vepër të mendimeve tueja t’plota, ashtu siç paska bâ Zorba.

Në kët’ mënyrë, gegnishtja solli nji model të ri, t’artit t’ përjetshëm, që e kishte sjellë herë mbas heret në historinë e kulturës shqiptare, nji model që nuk zhduket edhe kur kujtojnë se e kanë zhbâ.

Vitaliteti i gegnishtes nuk krahasohet me vitalitetin e toskënishtes. Po t’i kishte ndodhë tosknishtes, ajo që i ka ndodhë gegnishtes, autorët toskë nuk do t’kishin shkrú mâ. Por asht pikërisht impulsi i madh i shpirtit shqiptar për me kapërcy gjithmonë errsínat, me mbyllë sytë edhe me ecë pa ditë se ku po shkon, dhe pikërisht ata që ecin e nuk e dijnë se ku shkojnë, çuditërisht, (kjo asht dhe metafizika dhe transhendenca e historisë dhe e kulturës) ata ecin gjithmonë përpara dhe jo ato që ndjekin “busullën”. Z. Zorba ka shkruar 60 – 70 poezi, një vepër “minimale”, por asht shembulli absolut se ka pasë nji dimension lirije njeriu edhe n’atë periudhë, por kët’dimension nuk e kanë pasur të gjithë, sidomos s’e kanë pasë këta të realizmit socialist, prandaj këtu mund t’fillojmë debatin intelektual.

Pas viteve ’90, kena nji gegnishte që po lavrohet çdo ditë, janë mbi 200 autorë që e shkrújnë e botojnë, tue fillú prej librash prej 4800 faqe (shkru nga bába jem) e deri tek njerëz që kanë shkrú nji libër me kujtime. Prandaj theksoj se gegnishtja k’to 30 vjet ka hy n’fazën e rehabilitimit tësaj. Këtu, kur flasim për gegnishten, duhet pasë parasysh se përfshijmë edhe Kosovën. Rehabilitimin e gegnishtes nuk e shof vetëm tek kangët me tekstet e tyne, ku gegnishtja asht bâ modë, por kryesisht te letërsia e kultivúme. Kisha me sjellë si shembull Ledia Dushin, e cila asht nji nga poetet mâ misterioze. Ajo ka nji lidhje metafizike me letërsinë, me poezinë, me fjalën, me Zotin, me muzikën, me barokun, ajo asht nji univers më vete. Gegnishtja që përdor aq harmonike, sepse ne nuk kërkojmë gjuhën, asht vetë mendimi, shpërthimi që aq i domosdoshëm në poezi, në shkrim që e gjen formën e vet në mënyrë t’natyrshme. Kur themi gjuhën e nanës, nuk kemi parasysh gjuhën e nanës shkodrane, nanës mirditore etj. na kena parasysh ekspresionin e parë, kur mendimi lidhet me tingujt e gjuhës tande, vertikalitetin e parë kur mendimi lidhet me tingujt, e ky asht nji proces shumë mistik që ndodh tek ne në mënyrë krejt natyrale. Aty asht bukurija e mrekullisë së krijimit, e tue qenë se asht në nivele subkoshience, dora e askujt nuk mund të mbërrijë atje. Nëse dora jonë prek atje, në subkoshiecë, atëherë ato krijime nuk janë mâ poezi. Te gegnishtja që flen brenda nesh asht ajo furra apo laboratori ku piqet nji varg, që ne nuk e komandojmë dot, dhe aftësija jeme si krijues asht me e regjistrú dhe ajo bahet send jashtë meje. Si në rastin e Fishtës, edhe vorrin e tij e shkatërrunen, por vargjet e tij jetojnë sot, t’ftojnë me i lexú.

Gegnishtja asht po aq sa e vjetër po aq dhe aktuale, kontinuiteti i saj asht i pashembullt. Asht nji prej treguesve të mdhaj të rezistencës së gjuhës shqipe. Kjo asht dhe lavdia mâ e madhe e gjuhës tonë, ka arritë me rezistu. Por në nji ditë nandori (në nandor kanë ndodhë t’tana “mrekullinat” tona), çohemi dhe thojmë se do ta kpusim kët’ trungun e madh (i madh, sepse trungu i gegnishtes asht ma i madh se trungu i toskënishtes, ka qenë gjithmonë si nga ana e popullsisë që e flet ashtu dhe nga ana e volumit letrar). Gegnishtja asht e madhe, gjigande dhe rezistente, kaloi dhe lëngatën e komunizmit. Erdhi Ledia Dushi, që për mú asht “distilàt” i letërsisë, i krahasueshëm me cilëndo letërsi në botë.

A ndiheni i vetëm përballë mbrojtësve të standardit, pasi ata kanë institucionet përkrah?

Unë e shoh se gegnishtja ka dalë në breg. Na kemi kërkú që me mujt me shkrú dhe botú. Kjo nuk asht pak, por as nuk asht e gjitha. Na po mundohena ta emancipojmë dhe të kalojmë letërsinë, sepse gegnishtja aty asht, jeton pa nevojën tonë. Nuk ndihena t’vetëm, jo vetëm tash, por edhe n’kohën kur rrezikoje t’përfundojshe në burg. Ne nuk jena përçarësit, na jena për hapjen e gjuhës dhe jo për mbylljen e saj. Ata janë të ngulun në atë pozicion që prej 1972. Por kena dhe lajme të mira, Akademia e Shkencave, për të cilën kam pasë shumë kritika, ndonjiherë i kam quejtë edhe akademykë, se u banë tanë me “pampers”, nuk lëvizte kurgjâ, kanë futë nji valë të re studiuesish, ndër ta edhe Ardian Ndreca, i cili asht po kaq i ekspozúm për gegnishten. Unë jam për hapjen, pasi kjo asht shpija jonë, kjo asht gjuha jonë dhe pas njiqind apo njiqind e pesëdhjetë vjetësh do të konvergojmë përfundimisht. Por do t’konvergojmë për shkak të shkaqeve e fenomeneve sociale, kulturore e shpirtnore, si rritje të psikosintezës kombëtare, do t’shifet sesi do t’shkojë puna me Kosovën, do t’krijohen ekuilibra të mdhaj e të rí që do t’na vendosin e na projektojnë kulturalisht në t’njejtit raporte që kena fizikisht. E këtu nuk shof asgjâ t’keqe.

Si mund të arrihet një afrim sa më i madh i dialekteve, cila do t’ishte rruga më e shëndetshme për të afirmuar gegnishten dhe autorët e saj?

Janë dy faktor; së pari krijuesit dhe së dyti receptuesit, pra sa promovohet kjo letërsi e shkrume në gegnishte. Asht fakt se për këtë letërsi ka kërkesë dhe interes. Ajo që na mungon sot për sot asht dashamirësia e shtetit, që nuk asht as toskë as gegë, por asht shqiptar. Na kena kërkú në shumë rezoluta mbështetjen edhe të institucioneve, por nuk na asht dhanë. Sot shof nji ngjallje të alergjive gegofobike. Shteti duhet ta fusë gegnishten në shkolla, të rrënjosen elementet e gegnishtes, në mënyrë që t’i lexojmë dhe t’i shijojmë gjithë autorët gegë, sepse në fund të fundit janë trashigimni e të gjithëve, pasuni e mbarë kombit. Na kena nevojë për me ekzistú si nji pluralitet gjuhësor e etnografik, sepse kështu zhvillohemi natyrshëm. Na nuk jena përçarës./ ObserverKult