Pandemitë në kinema: Dhjetë filmat e famshëm, të bazuar mbi sëmundjet epidemike

Efekti shkatërrues që ka sjellë kohët e fundit koronavirusi (COVID-19), nuk mund të nënvlerësohet. Teksa sëmundja po vazhdon të përhapet si një zjarri i madh, shumë vende janë gjunjëzuar, ekonomitë e tyre janë zhytur në krizë, ndërsa numri i viktimave po rritet. Kohë pas kohe, Hollivudi ka prodhuar shumë filma që trajtojnë epidemi të tilla. Ja cilët janë 10 më të famshmit.

Infektimi (2011)

Që nga shpërthimi i epidemisë së COVID-19, ky film është bërë shumë popullor, për shkak të ngjashmërive të jashtëzakonshme që përmban narrativa e tij. Realizmi i këtij filmi, i atribuohet kryesisht epidemisë së dikurshme dhe epidemive të Gripit të Derrit, mbi të cilat bazohet skenari cilësor i Skot Bërnsit. Me praninë e një kasti të njohur aktorësh, filmi trajton me realizëm të thellë pasojat katastrofike të një pandemie të dalë jashtë kontrollit në epokën moderne.

28 ditë më pas (2002)

Filmi trajton historinë e nje grupi të mbijetuarish, të cilët përballen me peizazhin post-apokaliptik në Angli, pas lëshimit aksidental të një virusi që shkakton sëmundjen e tërbimit. Mesazhi që përcjellë filmi “28 ditë më pas“, analizon thellë pasojat e dëmshme që sjell kolapsi social, dhe që shoqërohet me shumë ngjarje katastrofike, ku mbijetojnë vetëm më të fortët.

Verbëria (2008)

Bazohet në romanin e vitit 1995 me të njëjtin titull, të shkruar nga shkrimtari portugez Hoze Saramago. Filmi merret me një epidemi imagjinare të quajtur “sëmundja e bardhë”, që i lë të infektuarit me pasoja, duke ua dëmtuar atyre shikimin, pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm. Filmi nxjer në pah anën më të errët të njerëzimit.

Panik në rrugë (1950)

Ky film, është nga të parët që ka eksploruar temën e shpërthimit të pandemive, dhe pasojave që sjellin ato. Përgjatë filmit, trajtohen përpjekjet mbinjerëzore të një grupi zyrtarësh të lartë, për të parandaluar një epidemi të quajtur Murtaja Pneumonike. Filmi ndërthurr aspekte njerëzore, duke luajtur me elementët e humorit dhe dramës, transmeton ‘fjala.al’.

12 majmunët (1995)

Me kalimin e kohës, pasojat e një epidemie mund të kenë efekt shkatërrues mbi njerëzim. Ky është mesazhi thelbësor që përcjell filmi “12 majmunët” duke e bërë atë shumë origjinal. Filmi i vendos ngjarjet në një botë post-apokaliptike, ku pjesa e madhe e njerëzimit ishte shfarosur nga një virus vdekjeprurës

Virusi Andromeda (1971)

Narrativa e filmit, përshkruan disa ditë nga jeta e një grupi shkencëtarësh, të cilët përpiqen të mbajnë nën kontroll një virus vdekjeprurës, me origjinë jashtëtokësore. Ky film, pati një ndikim të madh në kinematografi, me filmat që pasuan dhe serialet televizive. Koncepti i luftës biologjike, ishte një fushë e paeksploruar në vitet 1970, dhe ky film solli koncepte të reja.

Përhapja (1995)

Në shumë aspekte, ky film mund të konsiderohet si një antitezë e filmit “Infektimi”. Ai bazohet në librin e Riçard Preston, “Vatra e nxehtë”, që flet mbi origjinën e etheve hemorragjike të Afrikës Qendrore. Është një film që përmban të gjitha stereotipet, klishet dhe pasaktësitë shkencore që do të prisnit nga një epidemic katastrofë e viteve 1990.

Të marrët (2010)

Adrenalina përshkon gjatë gjithë kohës shikuesin e filmin “Të marrët”. Gjithçka përqendrohet në një qytezë të vogël, popullata e së cilës është prekur befas nga një virusi i tërbimit, i lëshuar padashur nga një avion ushtarak. Filmi është plot tension, ankth, veprime emocionale, dhe me një subjekt tejet tërheqës të një çifti të zënë në kurth në mesin e rrethanave të jashtëzakonshme. Ky film, përmbush të gjitha pritshmërite e adhuruesve të filmave horror.

Kryqëzimi i Kasandrës (1976)

Një film i studiuar mirë që të mbërthen menjëherë para ekranit. Subjekti i ti, sillet rreth një terroristi në arrati, që gjendet befas në një tren të linjës trans-evropiane, pasagjerët e të cilit nuk janë të vetëdijshëm për patogjenin vdekjeprurës që ai mbart. Në pamundësi për ta përballuar situatën, autoritetet lejojnë që treni bashkë më pasagjerët të aksidentohen në urën e lartë të Kryqëzimit Kasandra.

[REC] (2007)

Ngjarjet në këtë film, nisin me një telefonatë shqetësuese dhe aspak të zakontë, e cila nis të hetohet nga një gazetar dhe një grup zjarrëfikësish. Filmi e fut shikuesin në ankth nga fillimi deri në fund, duke i shkaktuar ndjenjën e klastrofobisë dhe frikës. Nëse keni një zemër të forte, ky është filmi që bën për ju. Nëse jo, më mirë mos e shihni.