Veprat e kompozitorit Valton Beqiri botohen në Shkup

Në sallën e Qendrës Kulturore Informative në Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri.

Sipas recensentes të këtij botimi dhe njëkohësisht solistes së mirënjohur prof. Venera Mehmetagaj-Kajtazi, këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave nga njëra prej tyre e gjerë të kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi.

Ajo tha se veprat do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal jo vetëm në suaza kombëtare por edhe ndërkombëtare.

Sipas kompozitorit prof.ass. Drinor Zymberi, veprat e Valton Beqirit paraqesin një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të literaturës muzikore për këtë formacion.

“Në rrafshin kompozicional ato paraqesin një sintezë në mes muzikës burimore shqipe dhe asaj profesionale – artistike, duke i bërë model atraktiv si për instrumentistin ashtu edhe për dëgjuesin”, u shpreh Zymberi.

Ndërkaq, njëri nga anëtarët e panelit, Blerim Grubi u shpreh mjaft i lumtur për këtë ngjarje.

Sipas Grubit për komunitetin artistik muzikor dhe jo vetëm, kjo është një ditë e veçantë ku për herë të parë kemi një përmbledhje të veprave në një botim të vetëm.

Krahas mirënjohjes drejtuar autorit të miniaturave, vlen të theksohet kontributi, puna dhe angazhimi i ideatores së këtij botimi, Sarana Ademi.

Për fund, në kuadër të këtij promovimi u interpretuan edhe disa nga veprat e këtij albumi nga flautistja Sarana Ademi nën përcjelljen pianistike të vetë autorit.

Ky botim është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së veriut, komuna e Çairit si dhe komuna e Prishtinës./rtklive.com