Qeveria e Kosovës ka votuar së fundi propozimin e ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, për kthimin e 121 veprave të artit që gjendjen ne Hotelin Grand të Prishtinës në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Vetë ministrja Dumoshi është shprehur e lumtur për këtë vendim pasi thotë se këto vepra Kosovës i kanë dhënë identitet.
“Lajm i mirë për artin në këtë fundvit. Me propozimin tim si ministre është votuar Evidentimi dhe kthimi aty ku e kanë vendin – në Galerinë e arteve – 121 veprat e autorëve që Kosovës i kanë dhënë identitet, në fushën e arteve pamore, dhe shpronësimi i tyre ishte një ndër prioritetet e mia si ministre”, ka thënë Dumoshi, transmeton ‘zeri.info’.
Ajo tha se rikthimi i veprave të artit që vlerësohen si asete kombëtare – të ekspozuara në “Grand Hotel-Prishtina”, tek thesaret e popullit, aty ku ruhen dhe ku ka qasje publiku i gjerë, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është një ndër aktet madhore të kësaj Qeverie.
Ministrja Dumoshi falënderoi Drejtorin e AKP-së, Valon Tolaj dhe stafin e MKRS-së, “që punuan me ngulm që të përmbushen kërkesat ligjore”.