Bruno, Greta, Marjo dhe Amri, dy gjermane dhe dy italianë, të huajt që vuajtën kampin e internimit në Tepelenë
Në kampin famëkeq të Tepeleës, atje ku ishin internuar familjet e të burgosurve politik dhe të arratisurve, kishte edhe të huaj. Janë dy gjerman dhe dy italianë që kishin përfunduar në Shqipëri pasi kishin bindje politike. Më pas ata u akuzuan si revizionistë dhe u dënuan si armiq të partisë, na kampe e burgje. Amri, Greta, Marjo dhe Bruno, qëndruan për pesë vite në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, atje ku panë me sy tek vdisnin fëmijë gra e pleq e ku vetë ata, vuajtën urinë, torturat dhe punën e detyruar. Aziz Ndreu, një internuar në kampin e Tepelenës, na sjell jetën e të hyajve në atë kamp. I ka njohur nga afër sepse dy gjermanet ishin sanitare në infermjeri atje ku shërbente vullnetarisht edhe Azizi. Ka njohur edhe dy italianët, njërit prej të cilëve iu lut të rrëfente atë vuajtje në kampin e Tepelenës, kur të mbërrinte në vëndine tij. Bruno, Greta, Marjo dhe Amri u riatdhesuan në vendet e tyre në vitin 1955.
Kishte të huaj të internuar në kamp?
Po. Ishin dy gjermane. Dhe jo vetëm gjermanë.
Po gjermanet pse kishin përfunduar në kamp?
Këto të dyja kishin ardhur në Shqipëri si komuniste, dhe këta tanët, i burgosën si “revizioniste”. Pra ishin komuniste, por vetëm këtu e panë tamam se ç’ishte komunizmi. Në kamp kishte edhe grekë, maqedonas, nja dy rob lufte gjermanë, rob lufte italianë… Italianët, madje, kishin bërë edhe ca vjet burg. Gjatë luftës kishin qenë me grada, oficerë e më lart.
Këto dy vajzat gjermane, ishin të mrekullueshme.
Ju kujtohen emrat e tyre?
Po, më kujtohen, se i kam patur edhe shumë shoqe. Njërën e quanin Amri dhe tjetrën, Erna. Amri Tenues dhe Erna Schubert. Ernën e futën të punonte në kuzhinë, ndërsa Amrin e mora në infermieri si sanitare. Ishte shumë besnike. Ishte provuar në shumë raste që ishte e tillë. Sa herë që vinin oficerët për kontroll dhe unë e porosisja se çfarë duhej të bënte, ajo e bënte. Më kujtohet një rast kur Amrit ia morën rrobat dhe kishte ngelur e zhveshur lakuriq, dhe ne nuk po dinim se çfarë të bënim. Atëherë shfrytëzuam rastin: mbështollëm me batanije njërin që po çonim në Gjirokastër, i cili ishte në gjendje shumë të rëndë dhe do të vdiste rrugës, dhe pastaj morëm batanijen mbrapa, e ngjyem me gjethe qepe dhe pak acid acetik për t’i ndryshuar ngjyrën, dhe i sajuam me të një “fustan”, një gjë për t’u mbuluar, si thes, por që doli për bukuri.
Ju tregova që në kamp kishim edhe italianë, ndër ta edhe një major, major Verdin. Edhe ai si të gjithë të tjerët, rraskapitej në punë, por, ne bënim çudi, se kur kthehej nga puna, nuk rrinte i kërrusur si të tjerët, por, e mbante trupin drejt. Ishte njëri i shkolluar, dhe ishte i moshuar në kohën për të cilën flasim. Ndoshta në të gjashtëdhjetat.
Një ditë, Verdi kishte vënë shumë pak dru në shpinë edhe e sheh njëri prej oficerëve të kampit dhe e shan dhe kërcënon ”… shihemi nesër, bashkë!” Të nesërmen, do ta mbysnin, u mor vesh. Ndërkohë, në kamp ishte edhe një inxhinier Italian, Bruno Prozoto, të cilin e merrnin shumë shpesh për nevojat e veta këta të qytetit, të Komitetit të Partisë a të Komitetit Ekzekutiv.
Inxhinier ndërtimi ishte?
Po, inxhinier ndërtimi; kishte ardhur në Shqipëri gjatë luftës, e tani ishte i internuar si rob lufte dhe e shfrytëzonin profesionalisht. Mirëpo, inxhinieri kishte goxha miqësi me mua. Dhe kur e mori vesh prej të internuarve të tjerë historinë me Mario Verdin, e dinte që të nesërmen, Mario nuk do të kthehej i gjallë nga puna, dhe i thotë Mario-s: “Mario, çohu të shkojmë në infermieri tek Azizi.” Ishte pasdite vonë kur vijnë në infermieri të dy, dhe Bruno-ja më tregoi se si ishte puna, dhe unë i them Marios: “Nesër, hiqu si i sëmurë, dhe mos lëviz!” Mario tha i habitur: “Ou!! Po unë s’jam i sëmurë!” Pra, Mario, kishte një karakter të tillë, që nuk mund të ia lejonte vetes të hiqej si i sëmurë, kur nuk ishte. Por, ishte fjala për t’i shpëtuar kokën. Dhe unë iu ktheva: ”More i bukuri dheut, unë e di që nuk je sëmurë. Por, lëre etikën dhe edukatën, se ne po mundohemi të të shpëtojmë jetën. Këtë punë e bëjmë për mbijetesë nuk e bëjmë për qejf.” Pastaj i foli dhe Bruno-ja, dhe u morëm vesh.
Njëherë tjetër, i thashë dy italianëve: “Ju do të liroheni, se ju keni shtetin tuaj, dhe shteti juaj do t’ju kërkojë.” E pastaj i drejtohem Marios: “Kur të kthehesh në Itali, a do t’i tregosh këto që ke parë dhe hequr këtu?” Dhe ai m’u përgjigj: “Jo. Kurrë!” Unë si i ri që isha, kur tha ashtu, për fjalë të nderit desha të kap karrigen dhe t’i bija me të. Por ai ma shpjegoi: “Po kush do të më besojë mua, për këto që kanë ndodhur?! Do të më marrin për një njeri aventurier. Për gënjeshtar. Unë jam dikushi, dhe kur te kem ikur, as unë vetë s’do t’i besoj këto.” Edhe sot e kësaj dite më kujtohet ajo bisedë. Dua të them që ishin gjëra që nuk besoheshin dhe nuk mund t’ia tregosh kujt; zakonisht kur më pyesin, nuk u them asgjë, se do thonë qënke gënjeshtar, aq të pamundura duken.
Çfarë ndodhi me të huajt e kampit, më vonë?
U liruan të gjithë në vitin 1955.
Mbijetuan gjermanet?
Mbijetuan, se njëra erdhi sanitare tek unë në infermieri, dhe tjetrën e çuam në kuzhinë. Një supë tepër e hante ajo. Bile Ernën e kisha porositur: “Kujdes, mos e ha atë supën tënde, që ta çosh në kazermë e ta ndash me Amrin, dhe ti merr ndonjë lugë që mbetet në kazan.” E përsëris edhe njëherë: të dyja ishin vajza shumë të mira
Trajtimi ndaj të huajve, ishte i njëjtë me trajtimin ndaj shqiptarëve?
Po. i njëjtë.
Njësoj mizor e i egër?
Po, njëlloj. Vetëm me sharjet ishin më të kursyer me ta, sepse neve na njihnin si fëmijët e baballarëve. Psh.: “Hajt, se ti je e bija ose i biri i filanit!” I biri Markagjonit, apo bija e Kupit, apo e Ndreut, apo e Matjanit …
Ishin pak vite në atë kamp, por, gjatë të cilave ndodhën kaq shumë gjëra. Çdo ditë kishte ngjarje, çdo ditë atje nuk shpëtoje pa ndonjë histori, pa ndonjë dramë, se historitë atje dramë e tragjedi ishin./kujto.al