“Thasë”, është shpella e shpirtit, dhoma e qenies, është mitra dhe varri…

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i poetes Blerina Rogova Gaxha “Thasë” , botuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”.

Botuesi Berat Dakaj në një shënim për librin thekson se Blerina tashmë e ka ngritur “lapidarin” letrar .

“Shkallë, për t’u ngjitur në majë të piramidës së poezisë shqipe dhe për të shtrirë mes territoreve të shteteve, ka punuar dhe shtrirë që disa vjet, vetë dhe me organizata të huaja. Edhe këtë kozmetikë e punoi vetë. Edhe ornamentet brenda librit i punoi vetë. Ne i dhamë veç pak ndihmë teknike, MKRS-ja i dha materiale. Derisa “Thasët” po i dorëzonim në shtyp, Blerina e qytetëruar na nderoi me shumë fjalë mirënjohëse për punën e bërë”, shkruan Dakaj.

Ndërsa poetja Blerina Rogova Gaxha në një postim në profilin e saj në Facebook shkruan:

Thasë’ erdhi. Momenti i ardhjes ngjan surreal. U deshën qindra orë për t’i shkruar faqet e tij, dhe disa dhjetra për ilustrimet në poezi.
‘Thasë’ është ‘life story’ e krijueme me fjalë. Shplim i sendeve dhe shpalim i tyne, zbulesa e nji jete të tanë, të cilën s’kemi kohë me e jetue. Jemi në ikje gjithnjë dhe harrojmë të ndalemi me e dëgju muzikën që vjen nga kujtesa e thellë, të cilën na e zbulojnë sendet, copëzat tona. Uroj që kur kjo pjesë e imja të bie në duart tuaja, t’ju gjejë aty ku jeni, t’u frymëzojë të ëndërroni, të reflektoni, të kujtoni.
Thasë është shpella e shpirtit, dhoma e qenies, është mitra dhe varri. Kthimi te vetja. Kështu u shkrua. Nëse poezia është vendi ku rrihet në paqe, shkrimi i tij qe për mua më shumë se vend paqeje, një ‘self therapy’, ‘self-healing’. Një përpjekje me e thanë qenësoren, të rrëfyeshmen.

Ilustrimet në libër janë ba tu u nis prej një meraku të kahershëm. Ballina është punuar e gjitha me dorë, mbase kjo e bën të veçantë, mbase sepse e kam punuar vetë. Ngjyra e kuqe dhe e bardhë në ballinë i flasin ngjyrës së trupit dhe shpirtit, pasionit dhe paqes, por edhe ringjalljes. Jemi qenie që ngrihemi nga hini. A s’është mahnitëse forca me të cilën ripërtërihemi?


Falemnderit shtëpisë botuese Armagedoni, botuesit Berat Dakaj, për tanë kujdesin dhe profesionalizmin.
Përqafime të gjithë lexuesve
!🤎🤎

_____________

Blerina Rogova Gaxha (1982) është poete, eseiste, gazetare dhe studiuese e letërsisë.
Ka botuar katër libra me poezi: Gorgonë 2009, Kate 2013 dhe Ajo vjen nga Lindja 2016, si dhe studimin Format e prozës së Kadaresë 2015, Thasë, 2020.
Ka fituar çmimin ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award 2015” në Slloveni, në njërin nga festivalet më të rëndësishme të letërsisë në Evropën Qendrore dhe çmimin kombëtar Mitingu i Poezisë për librin më të mirë të vitit 2010.
Autorja ka pasur prezantime të shumta në Evropë, ndërkaq poezitë dhe esetë i janë botuar në antologji dhe revista me renome në gjuhën gjermane, angleze, frënge, greke, sllovene, kroate, rumune, turke, serbe dhe ukrainase.
Punon asistente në Degën e Letërsisë shqipe në Universitetin e Gjakovës. Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës.

Në vazhdim gjeni disa poezi nga libri i saj më i ri “Thasë”:

thasë

dhe kështu
erdhi koha me i mbledhë plaçkat e me ikë
me e mbledhë jetën
me e zhvendosë prej apartamentit të vogël
në një të madh

thasë të zinj e thasë të bardhë
asgja nuk futet kollaj aty
një jetë e palosun mirë
e ngushtueme nëpër dollapë
rroba, këpucë, brekë, unaza, fotografi e korniza të zbrazta
vathë të mëdhenj vathë të ndryshkun harruem nëpër kuti
libra të vjetër e të rinj
libra në çdo anë
po qysh e zënë thasët jetën palë-palë
të ngjeshun të rrasun të zipueme
të palueme e të shpalueme
m’shkapërderdhet nëpër thasët e zinj e të bardhë
copë-copë jeta ime e palosun me kujdes
erna e parfume përhapen nëpër dhomë po
para largimit dikush duhet me i mbledhë sendet
burri ma bën me dije se koha po shkon
e unë nuk di qysh me e mbledhë jetën copë-copë
me e ba duq nëpër thasët e bardhë e të zinj
thasë najloni thasë të konoptë thasë letre
një copë jetë diku një diku tjetër
kujtimet e palosuna mirë kam tutë me i shpuplue
një qafore një bylyzuk një bluzë e bardhë
të gjitha bluzat e zeza
dikush duhet me i mbledhë sendet
me i futë nëpër thasë e me i bajtë
derisa të vnojnë pluhun sërish
qiellin e katit të tetë me e futë në ndonji thes të zi
të kaltër a të hirtë
në çfarë thesi me të shti ty
n’cilin thes me hy unë
thasët u sosën
s’kam thes për çizmet e zeza
për pallton prej kashmiri
do thasë hua për jetën time kush i ka
do thasë hua
me i shti andrrat e mia
nji nga nji me i palue mirë
thasë të endun me fije bimësh për jetën që refuzon
me ardhë me mue
me i palue kujtimet e mia n’thasë të mëndafshtë
n’ata thasë ngjyrë purpuri
po dikush duhet me i mbledh sendet para largimit
edhe pluhunin edhe llumin edhe rrjetat e merimangave
me e lanë pastër për pronarin e ri

mjerisht ka diçka që s’e zë thesi
ka thasë aq të vegjël e thasë gjigantë pa grykë pa fund
që s’i ngre dot

zemra n’raft

s’kam përgjigje thotë për problemet tua
nuk e di çka thotë me zemër
n’fund të fundit zemra asht nji organ që
u mësue me u shpartallue
dhe rigjenerohet
e hoqi zemrën e la në raftin e librave
aty ku zakonisht i lë syzet
kur u zgjua
e mori dhe e vuri prapë
kështu tha asht ma mirë

e mbolla veten si farë tulipani

e mbolla veten në tokën time
në oborrin e pasmë të shpisë së braktisun mbi kodër
e lashë shpirtin me flejtë në horizont
prej murit të dhomës gjer te dera e shpisë
pa erna të hueja pa pështymë
muret janë të ftohta dhe kam mbyll sytë
muret janë të ftohta dhe unë kam mbyll sytë
kam dashtë me qenë tulipan i bardhë
ndeza një zjarr nën pemën e braktisun
qielli i mbushun rrënoja
në asnjë dritare asnjeri
paqja asht e madhe në horizont
nuk shpërthen asgja
jam dimën, borë, bojë e bardhë
drita kaq e madhe sa me m’verbue
n’vete veten e kam vorrue
mur i bardhë i rrënuem si ky shtrat si këto duer
po dikur e di n’tulipan kam me u kthy

zani

paqe e madhe brenda kësaj dhome
dikush ka frikë nga zani im
nuk flas
ndoshta pse m’kanë mësue me nejtë e heshtun
ndez një cigare
dhe rrekem me kuptue cila
asht e vërteta e kësaj qetësie
vështroj vijat e tymit
muret e zverdhuna n’tymnajë
rrathë, rrugë, rrotull meje
nga zani im dikush mundet me u frikësue e di
dhimbjet nisin në gojë
nuk flas
shym duqin e cigares
njerëzimi harron harron dhe rron
dikush ka frikë nga zani im e di
tym tym
ti s’vlen nji grimë
hajde ndezim nga një cigare bashkë
lëre maskën mes rrëmujës së lodrave nëpër shpi
nesër kemi me i mbledhë
kalle një cigare se shpirti nuk digjet
jemi çue prej shtratit e jemi të huej
ani se çdo gja asht e huej
mbështetu n’krahun tim
unë nuk flas
jo pse jam e trishtueme por se
këtu ka qetësi dhe tym
vdekja asht matanë rrugës
mes gjumit e andrrës n’tymin tim rri edhe ti
mos thuj asnjë fjalë
shyme duqin n’tavllën time të mbushun plot
e fli

ObserverKult