Nga: Josif Papagjoni
Me Flutura Açkën kemi një njohje dhe miqësi të hershme, qysh nga fillimi i viteve ‘90. Ajo vinte në Qendrën e Studimeve të Artit këtu në Tiranë nga Elbasani, ku punonte si gazetare, sepse kishte miqësi me mikun tim, Ferid Hudhrin dhe një shoqen tonë të punës, Leonorën. Dhe letërsia na lidhi. Ishte një vajzë energjike, por ajo çka më pëlqeu te Flutura qe modestia e saj, të qenit në tokë, vetvetja. Ajo hyri qysh në fillim në detin e letërsisë me shpirtin e saj të bukur poetik, tejet të brishtë, si një kundërshti me atë çka së jashtmi e në biseda miqsh të jepte si përshtypje. Unë shkrova një recensë entuziaste për një libër poetik fillimtar të saj dhe më pas për dy të tjerë. Kishte një poezi plot ndjenjë që vit pas viti e lartësi po aq në mendim, me ndjeshmëri gruaje dhe femre të dashuruar, me empati dhe dhembshuri për botën e brishtë, poetike e lëndonjëse të saj, në një realitet shpesh shpërfillës, poshtërues, të vrazhdë dhe mosmirënjohës. Ndërkohë poezia e saj kishte shumë muzikë, ritëm, tingull dhe një shqipe të krehur, që kishte lezet ta lexoje e shijoje.
Më pas Flutura kaloi natyrshëm në prozë dhe unë kam shkruar thuajse për gjithë romanet e saj, prej të cilit “HIRI” ishte një thurime e bukur e poezisë me prozën, ndërsa “KRYQI I HARRESES”, “KU JE?”, sillnin relieve dramatike të pozitës së femrës në një shoqëri të vdjerrë, shpesh abuzive, të dhunshme, me një antropologji në thelb arkaike, ani pse në dukje “moderne” dhe liberale.
Tashmë ajo ka botuar romanin “BIRI”, kushtuar jetës, karakterit, mendimeve, ëndrrave të djalit të saj që pati një fat të keq. Unë kam pasur rastin ta njoh vetëm disa minuta këtë djalë teksa pija kafe me Fluturën në kafe “PIACA”, dhe ai se si mbiu aty pas shpinës së saj. Ishte i vogël, diku te 10, 11 vjeç. Folëm paksa dhe fytyra e tij më ka mbetur në sy, sidomos ajo urtësi, mirësi dhe sjellje fëmije tejet të edukuar. Qëndroi pak dhe iku. Por kur e pashë si portret në kopertinën e librit si dhe te disa foto që Flutura i ka hedhur në “FB”, imazhi i tij ishte po ai, sikur ia dalloja qetësinë, urtësinë dhe mirësinë. Dhe… dhe… një ngjashmëri të habitshme me të ëmën…
Romani “BIRI” është dhe s’është i tillë, domethënë “roman”, por kjo s’ka hiç rëndësi në letërsi se ç’lloj, gjini, zhanër është. Rëndësi ka si shkruhet, çfarë thuhet. Duke e lexuar atë rrëfim nëne të Fluturës, unë ndjeva përmasën e dhembjes, të cilën nuk dua ta ngacmoj sepse korja është tejet e butë. Paçka se dhembja është vetjake, ajo vinte edhe tek unë përmes përqasjes si prindër që jemi. Por them se Flutura nuk ka bërë vetëm një katarsis për veten, por diçka më shumë. Na dha fytyrën e një njeriu të urtë, të mirë, shëmbëlltyrë e një djali qëndrestar, të kthjellët, që edhe ikjen e përjetoi me një butësi prej shenjti, tejet i vetëdijshëm dhe kurajëdhënës ndaj së ëmës, me të cilën qe i lidhur si uji me tokën dhe toka me qiellin.
Unë dua të respektoj një kod personal duke e çmuar këtë libër një shpirt që vajton, kujton, vlerëson dhe merr dritë nga biri i humbur në lulen e moshës. Andaj nuk kam shkruar. S’dua ta shoh librin e Fluturës si letërsi, por si një dhembje dhe pikëllim pafund nëne… Por, sapo e mbarova “BIRIN”, në gjithë ato faqe isha me Fluturën mike, shoqe, shkrimtare, nënë. Dhe i shkrova menjëherë këtë mesazh:
E shtrenjta dhe shpirtbukura Flutra, Flutnesh, siç djali të thërriste! Pikën e fundit të lotit e kam ende në sy për Birin e paharruar. Sikur ishte Biri im. Biri i të gjithëve. Është melodia e ëmbël sa dhe e zymtë e nënës. Melodia ime. E të gjithëve ne, prindërve. Moxart dhe Bah së toku. Ma ke dhënë djalin, dashurinë tënde, ta njoh nga afër te ky rrëfim. Dhe e njoha. Ndiqe këshillën e tij: Ndiq dritën. Oompla Loompa, siç sfidonte dhe bënte shaka me të atin. Djali ishte i kthjellët si një Zot. Drita e tij qoftë mbi ty, jo veç si zi nëne që kurrë nuk shuhet, por edhe si nostalgji, si kujtime të bukura, Flutura. Ai ishte dhe është. Përherë. Të uroj çdo gjë të bukur, Flutura!
*Titulli i origjinalit: “Për dashurinë e Fluturës që ka notat e Bahut”