Para gazetarëve të huaj E. Hoxha kishte thënë:“Prona private nuk do preket”/ Çka ndryshoi?!

Nga Kastriot Dervishi

Gazeta “Mundimi” në numrin 37, datë 7.12.1944, publikon intervistën me komandantin e përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, sepse për ndërkombëtarët nuk njihej si kryeministër.
Një përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara e mori në intervistë Hoxhën për disa pika kryesore të programit të tij. Gazeta e prezanton si gjeneral, por përgjigjet më shumë janë si kryeministër.
Hoxha flet fillimisht për zgjedhjet e pritshme për Asamblenë Kushtetuese në të cilat sipas tij do merrnin pjesë ata që kishin mbushur moshën 18 vjeç. Për herë të parë do votonte gruaja.
Pastaj intervista e tij kishte tre pjesë kryesore: programin e rindërtimit, pronën private, “kriminelët e luftës”. Në pikën e rindërtimit Hoxha përveç fjalëve të përgjithshme nuk kishte ndonjë ide të saktë se ku do mbështetej dhe ku ishin burimet e këtij plani. Fliste për “energji kombëtare”, pasurinë nëntokësore dhe bujqësinë, pa përmendur asnjë burim financiar të huaj, aq i domosdoshëm atë kohë.
Për “kriminelët e luftës” ai lajmëroi çeljen e gjyqeve, pas hetimeve të komisionit qendror dhe komisioneve vendore. Hoxha garantoi se do mëshiroheshin ata që kishin gabuar dhe do dënoheshin ata që kishin vrarë apo grabitur.
Pjesa më interesante është ajo e pronës private. Rreth kësaj pike ai tha:

“Gjeneral Enver Hoxha tha se të gjithë shqiptarëve u garantohet prona private. Qeveria do t’u ndihmojë të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në luftën për liri dhe të gjithë atyre që janë dëmtuar gjatë kësaj lufte, edhe në qoftë se kanë qenë kundër nesh, nga ana tjetër, e gjithë pasuria e kriminelëve të luftës dhe e tradhtarëve do të konfiskohet”.

Në fakt Hoxha nuk iu përmbajt fare parimeve që shpalli në këtë intervistë. Përveç konfiskimit të pasurisë së të ashtuquajturve “kriminelë lufte” (që në shumicë ishin kundërshtarë politikë) dhe të arratisurve, Hoxha nisi shtetëzimet e tokës dhe pasurive të tjera të patundshme krejt pa arsye dhe pa dëmshpërblim. Si të gjitha të tjerat, edhe ky premtim rezultoi i gënjeshtërt.

ObserverKult