Duart e tyre punojnë pareshtur, ndërsa me sy rrëfejnë përkushtimin në punë. Të tillë janë edhe sytë e njërit prej mjeshtreve të dinastisë Tufina, një jetë dedikuar mekanizmave të orës, punimit të tyre dhe dedikimit që ta përçojë këtë magji të zanatit brez pas brezi.
Rrëfimit të tij, portretit dhe duarve të tij, Alma Mile dhe Aldo Bonata i dedikojnë një profil që vetë Tufina e mban në duar fort, si një thesar lëshuar në duart që vazhdojnë të punojnë me orët.
“Nuk më shkonte në mendje që do të realizohej një album ku përmendet edhe familja ime. Jam shumë i emocionuar. Është një krenari. Unë jam brezi i katërt i familjes Tufina, e kam filluar zanatin 13 vjeç, në një shtëpi të fshehur, se diktatura nuk na lejonte”, tregon për A2, Syri Tufina.
Në këtë botim të titulluar “sekretet e mjeshtërisë”, janë edhe 14 mjeshtre të tjerë. Ndonëse me një përvojë të gjatë në media, Mile rrëfen se emocionet teksa flet me këta heronj të heshtur janë vërtet të mëdha.
“Shumë prej tyre punojnë vërtetë pas kuintash, dikush bën këpucët për cirkun, për teatrin kombëtar. Jam mahnitur kur kam mësuar që njeri prej tyre ka bërë këpucët e Arturo Ui-së në Teatrin Kombëtar, ose që Petraq Papa kishte bërë grafikën e kartëmonedhës 2000 lekëshe. Por edhe nga ana njerëzore ata kanë një pasuri të jashtëzakonshme, dhe nuk krekoseshin për atë që bënim. Kjo gjë më ka prekur”, tregon Alma Mile, autorja e tregimeve.
Ndonëse një prezantim që u bë nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, dhe pavarësisht modestisë së këtyre mjeshtërve, vëmendja si rrallëherë ishte aty në duart që mbanin si trofe një botim që shënjon përjetë një falënderim për punën e tyre./a2news.com