Jevrem Bërkoviq: Kryet lart!

Përktheu: Agim Vinca

Kryet lart!
Kryet lart posa të vish në botë,
Kryet lart në qiell e këmbët poshtë në tokë;
Le të të lajnë, të të mbështjellin, të të mëkojnë ashtu më këmbë.

Dhe kur të shohësh ashtu ahere ke parë,
Dhe kur të qash ashtu ahere ke qarë,
Dhe kur të fillosh ashtu do të jesh jetëgjatë e i gjallë.
Aty ku të ka rënë koka, aty trupin drejtoje,
Ky është fillimi i gjithçkaje në jetë, dije!
Le t’u vriten sytë, derisa t’u mbushen me lot,
Kur të shohin edhe një kryelartë më shumë në botë.

Kryet lart!
Edhe kur i panjohuri të vjen në shtëpi
(Dhe në mos qoftë kjo shtëpi po shpellë)
Prite ballëlart mikun dhe armikun –
Ky është mësimi i parë, sado i vështirë.
Edhe rreth sofrës rri drejt,
S’është nevoja as ta shohësh
Bukën që e ha,
As shtambën që e shpik,
Ti i di mirë të gjitha shujtat e tua
Sa janë dhe çfarë janë.

Kryet lart!
Edhe kur të regjistrojnë në klasë të parë.
Edhe kur mësuesi s’di më shumë nga ti.
Shkolla ndoshta vetëm atëherë mund të quhet shkollë,
Nëse drejtqëndrimi është lënda kryesore
Dhe nëse në të mësohet
Ajo që kurrë s’harrohet.
Kryet lart edhe kur s’të kujtohet
Si mori fund beteja e Grahovës –
Dikush është dashur të humbë edhe në fushë të Kosovës.
Për ty është me rëndësi të mos e humbësh rastin
Të biesh aty ku është për të rënë.

Kryet lart!
Edhe kur të dëbojnë nga shkolla
(Mos harro se kanë zbuar edhe më të mirë se ti)
Edhe kur të bie të hiqesh gjunjazi
Mbi kokrra misri, mbi lajthi, mbi ferra e gjemba,
Qëndro kryelartë dhe mos u trand
Derisa lajthitë dhe drithi mos të të hyjnë në gjak.
Kryesore është që ta kryesh me sukses të lartë
Klasën e parë të kryelartësisë –
Gjithçka tjetër s’është veçse shkencë e paditurisë.

Kryet lart!
Edhe kur t’i thyejnë eshtrat një nga një,
Edhe kur ta dërrmojnë shtyllën kurrizore,
Edhe kur t’i regjin plagët me kripë,
Edhe kur t’i lëshojnë qentë dhe gjarpërinjtë;
Trupin drejt dhe kryet lart
Edhe kur të shpien në pushkatim
Aty – posaçërisht!
Le të të qëllojnë plumbat e parë
Ashtu vertikalisht.

Kryet lart!
Edhe kur të mundin
(E ç’u mbetet tjetër të mundurve),
Edhe kur ta venë zgjedhën në zverk,
Edhe kur ta varin zilen në qafë,
Edhe kur të lidhin me zinxhirë qensh,
Edhe kur t’i shkulin thonjtë me darë,
Edhe kur ta hapin varrin
Kryet lart!
Le të shohin se së paku kjo gjë të vjen ndoresh.

Kryet lart!
Edhe kur çlirohesh,
Çlirimtari është çlirimtar
vetëm nëse është kryelartë.
Ç’vlen çlirimtari i kërrusur!
Kryet lart!
Liria është barrë e rëndë njerëzore.
Ndoshta më e rënda nga gjithë të tjerat.
Kush mësohet të qëndrojë me të.
Ai është i lirë đhe kryelartë,
Atij s’i duhet tjetër shkollë.

Kryet lart!
Edhe kur t’i mohojnë të gjitha,
Kur të privojnë gradash e medaljesh –
Kur t’i zhveshin supet dhe kraharorin,
Kur je i dyshimtë dhe i ndjekur,
Kur edhe emrin ta fshijnë nga varri,
Kryet lart!
Kur edhe pushteti yt të shpie në burg,
Para tij qëndro kryelartë patjetër,
Le të shohin
Si ke luftuar dhe fituar.

Kryet lart!
Kryelartët në emër të popullit kryelartë.
Atëbotë – kryet lart – mundësisht sa më shumë –
Do t’i gjykosh edhe ti ata herdokur.
Kryelartin mund ta gjykojnë vetëm kryelartët,
Kryelartët në emër të popullit kryelartë.
Ky është gjykimi yt i vetëm, andaj mos u frikëso.
E drejta është
Thonë
Në anën e të drejtit.
Domethënë
Në anën tënde
Gjithmonë.

Kryet lart!
Nën barrën e druve, të elbit dhe të thekrës,
Nën barrën e sanës, të miellit dhe të patateve,
Nën kulmin e shtëpisë së re
Nën pragun e derës, nën strumbullar,
Nën tezgë dhe nën eshtra,
Kur i bart dhe i mbledh,
Që të jenë tok,
Që të të mbikëqyrin
Mos po përkulesh pa hiri.

Kryet lart!
Kur të dërrmuar të nxjerrin nga shtëpia,
Kur të shkumbëzon fëmija,
Kur gjëmon dhe rënkon,
Kur korbi të përgjon,
Kur qeni ulërin,
Kur ujku të sulmon,
Kur rrufeja të qëllon;
Kryet lart
Edhe kur trupin e ke tërë plagë
Le të shohin
Sa i ke dhe çfarë janë.

Kryet lart!
Kur sëmuresh, kur të përvëlon etja,
Kur të zbutet zemra,
Kur të kërcëllojnë eshtrat,
Kur s’ke fat,
Kur e humb të pamit, dritën e syve,
Kur të braktis tërë bota,
Kur s’të ndihmojnë as barërat,
Kur s’të shëron asgjë.
Kryet lart
Si të ishe më i shëndoshi,
Te sëmurit kryelartë i ka hije lëngata.

Kryet lart!
Edhe kur bukë s’ke në sofër,
Kur koren e thatë e njom me ujë të sertë.
Kur mbruan krunde pa asnjë kokërr kripë,
Kur ha drithin e farës, kur mbetesh lakuriq,
Kur bluan boça, kur s’fut gjë në gojë,
Kur ke etje e uri, kur je asht e lëkurë,
Kur vëllezërit e motrat të gjitha t’i përlajnë
Dhe kur mbetesh fill vetëm e pa asgjë në botë,
Kryet lart!
Lehtë e ka ai që s’i mungon asgjë.

Kryet lart!
Edhe kur të thonë se s’je askush dhe asgjë,
Kur s’të hyn kush në shtëpi, kur të gjithë të shmangen,
Kur s’ta dëgjojnë fjalën, kur ta kthejnë shpinën,
Kur s’të bëjnë mall për të gjallë, kur s’çajnë kokën për ty.
Kur s’duan të të shohin me sy e në sy
Atëherë, nëse mundesh, e duhet patjetër.
Kryet lart e më lart – tash ose kurrë!
Dije se ai që kujton se është Dikush dhe Diçka.
Nuk është bërë i tillë me kryelartësi!

Kryet lart!
Edhe kur nga halli i madh detyrohesh të vjedhësh.
Kur vetëm Hëna sheh se ç’ke ndërmend të bësh,
Kur rrëzohesh në gropën e patateve,
Kur vargun e duhanit e shkoq,
Kur delen e hedh në qafë,
Le të shohin se si vidhet me kryelartësi!
Kryet lart edhe nëse të zënë.
Mos ki dert aspak, vetëm qëndro drejt.
Kur t’ia mësysh kësaj pune
Duhet t’i dalësh në krye.

Kryet lart!
Kur ndien, kur sheh, kur dëgjon
Se ka filluar kërrusja e përgjithshme,
Se kurrizet janë zbutur e lakuar,
Se janë shembur e shtrembëruar,
Se unaza mbi unazë më s’qëndron dot –
Ti atë tëndin dru thane drejtoje,
Mos lejo të përdridhet as djathtas as majtas –
Ç’të duhet gjarpri në shpinë!
Ky është i vetmi asht
Që të duhet deri në varr,
Pa të cilin s’bën as atje.

Kryet lart!
Para rreshterit dhe para kapterit.
Para trimit të shkëlqyer dhe tiranit të rryer,
Para gjeneralit si të ishe gjeneral.
Para fatit dhe fatkeqësisë
Qëndro ballëlart si të ka hije;
Para sundimtarit dhe para xhandarit
Ngul këmbë dhe mos u tund asnjë fije;
Para tagrambledhësit – kryet lart tek yjet,
Si të ishte yti dhe i askujt tjetër –
Ai thesar i madh qiellor.

Kryet lart!
Kur fryn erë, kur bie borë, breshër e shi;
Në shtrëngatë, në fërfllazë, në inondatë,
Në përmbytje e vërshim, në zheg e thatësi
Nuk ka kohë as mot
Që sytë për dhe t’i ul, që të përkul,
Gjithçka jotja është atje në lartësi
Mes reve dhe yjeve.
Ti s’ke asgjë tënden në tokë, asgjë,
Pos varrit të thjeshtë dhe një grusht eshtra në të.

Kryet lart!
Kur të shtyjnë të bësh krim, kur të ndjekin në çdo hap
Kur të shtrydhin e të ndrydhin, kur të shtrëngojnë,
Kur bie ngusht – kur gjendesh në zgrip,
Kur ta shqiptojnë dënimin që t’i dënosh
Të mundurit dhe të dënuarit, të gjeturit dhe të kërkuarit.
Edhe kur vret
Bëje këtë drejt – në dritë e jo në terr;
Jo në pritë tinëzare, pas kaçubës skaj rruge,
Qëllo ballas në ballëlartin,
Atij tjetrit
As sytë mos ia lësho,
Kurseje plumbin
S’vlen ta harxhosh për këdo.

Kryet lart!
Edhe kur të mbështesin me shpinë për muri;
Bëhu gur mbi gur – çudi!
Kur t’i venë prangat, kur t’i lidhin sytë me shami,
Në kohë të turbullta,
Kur të mbërthejnë, kur të gozhdojnë,
Kur të pështyjnë,
Kryet lart!
Kryelarti s’pështyhet dot lehtë,
Le të mundohen sadopak.

Kryet lart!

  • Kjo poezi u botua në revistën letrare «Jeta e re» nr. 3. 1986.

    ObserverKult

Lexo edhe:

LETRA E LASGUSHIT PËR SHQIPEN: TË DUA ME GËZIM E DHEMBJE, ME SHPRESË DHE FRIKË

Im atë për mamin tim.

Letra e Lasgushit për Shqipen

Zonjushës Shqipe Lasgush Poradeci,

Rruga “Ismail Qemali” nr. 26,

Durrës.

Tiranë, më 12 të marsit 1940.

Shqipe e ëmbla ime fort, U mendova kësaj here se më s’ duhet të të shkruaj, thashë le të le të qetë pak së paku për një javë. Thashë të të le unë ty, po mua vetë – nuk më lë mua zemra për ty, s’më le të mos të të shkruaj pra për mua, jo për ty. Ç’të të them?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult