Nga Khalil Gibran
Këtu dashuria fillon ta transferojë prozën e jetës në himne e këngë lëvdatash plot muzikë, që e kompozuar natën, do të këndohet gjatë ditës. Këtu rrethi, unaza e dashurisë ritërheq vellon e saj dhe ndriçon të fshehtat e zemrës, duke krijuar një gjendje lumturie që asnjë lumturi tjetër nuk mund t’ia kalojë, përveç asaj të shpirtit në momentin që përqafon Zotin.
Martesa është bashkimi i dy qenieve të shenjta që do të bëhen shkak për lindjen e një qenieje të tretë mbi tokë.
Është bashkimi i dy shpirtrave në një dashuri të fortë që përjashton çdo ndarje.
Është ai bashkim i lartë që shkrin njësitë e veçanta në një të vetme, në brendësi të dy shpirtave.
Është unaza e artë në një zinxhir, fillimi i të cilit është dhënë në shikimin e parë, dhe fundi i të cilit është përjetësia, amshimi.
Është shiu i pastër që bie nga qielli i kaltër për të lulëzuar dhe bekuar fushat e natyrës së shenjtë.
Ashtu sikurse shikimi i parë që erdhi nga sytë e të dashurës që përqëndrohet në një farë të mbjellë në zemrën njerëzore, edhe puthja e parë e buzëve të saj është e ngjajshme me një lule mbi degën e pemës së Jetës. Kështu bashkimi i dy të dashuruarve në martesë është i ngjashëm me frutin e lules së parë të asaj fare.
*Shkëputur nga libri i Khalil Gibran: “Fjalët e mjeshtrit”
*Titulli i origjinalit: “Për martesën”
Përktheu: Met Gjergji
Përgatiti: ObserverKult
———————————————————————————————–
LEXO EDHE: Khalil Gibran: Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike
Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez. I lindur në qytetin Bsharri në veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare. Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve. Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike. Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.
Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse. Ai është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit.
Në vazhdim mund t’i lexoni disa thënie të tij:
TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU