Qendra Botuese e Amerikës Latine (QBA), në vitin 1982, botoi librin e madh “Historia e letërsisë argjentinase” në gjashtë vëllime. Në vëllimin e gjashtë të këtij koleksioni ka edhe intervista të rëndësishme me shkrimtarët kombëtarë.
Ja pjesë nga intervista me shkrimtarin zemërlënduar Ernesto Sabato, ku ai u përgjigjet një sërë pyetjeve, përmes të cilave flet për veten e tij, për praktikën e tij letrare dhe kuptimin e veprës së tij.
SABATO PËR KRIJIMTARINË LETRARE
QBA: Si nisët të shkruani?
Sabato: Që kur isha fëmijë, kisha një pasion për pikturë dhe letërsi, dhe ashtu siç shkarravitja në letra të bardha vizatime dhe karikaturat, shkruaja edhe gjëra të vogla. Veçanërisht kur më dërguan larg qytetit tim, në La Plata, për të ndjekur Kolegjin Kombëtar, atëherë letrat e gjata që u shkruaja vëllezërve ishin periudha e parë e praktikës time letrare.
QBA: Si punoni? Bëni plane, skema? A shkruani rregullisht apo me periudha?
Sabato: Jam shumë i parregullt për punë dhe ndodh që kalojnë periudha shumë të gjata, kur gjithçka më duket e neveritshme dhe nuk shkruaj fare. Nga ana tjetër, unë jam shkatërrimtar i madh dhe, pothuajse, gjithçka që shkruaj e hedh në shportë dhe ndonjëherë i djeg. Plane? Po. Veç, më pas, ndërkohë që fiksioni përparon, i detyruar nga vetë jeta e personazheve, gjithmonë e paparashikueshme, të paktën për mua, shumë prej tyre i ndryshoj. Korrigjoj shumë. Ka tekste që i kam redaktuar deri në gjashtë, shtatë apo dhjetë herë. Por duhet pasur kujdes me korrigjimin e tepërt, sepse mund të dëmtohet materiali që lind nga pavetëdija.
QBA: Thuhet se çdo shkrimtar ka temat e tij të qëndrueshme që përcaktojnë veprën e tij. Si do t’i përcaktonit ju tuajat?
Sabato: Po. Besoj se e vetmja gjë që ka shumë rëndësi është të shkruash mbi obsesionet më të errëta që vijnë nga shtresat më të thella të pavetëdijes. Sa për obsesionet e mia, ato mund t’i vërejnë të gjithë lexuesit e mi.
QBA: Sipas mendimit tuaj, cili do të ishte lexuesi ideal i veprës suaj?
Sabato: Dikush që gëzon dhe vuan në momentet, kur unë vetë kam gëzuar dhe vuajtur duke shkruar.
QBA: Me sa interes i lexoni ato që thonë kritikët për veprat tuaja?
Sabato: Mendoj se duhet të jesh në gjendje të shkruash atë që ndjen, pa menduar për kritika. Shkurt, duhet të shkruash për lexuesit, jo për kritikët.
QBA: Me cilin autorë argjentinas apo të huaj mendoni se ka lidhje vepra juaj?
Sabato: Unë thjesht përpiqem të shkruaj atë që më torturon. Por, nëse pyet për ndikime, unë mendoj se kam qenë i ndikuar nga të gjithë shkrimtarët, ndaj të cilëve isha i pasionuar. Listën e bëj në punë e sipër, nuk është aspak e plotë; romantikët gjermanë, rusët, Tomas Man, Stendal, nordikët si Strindberg, Folkner, Prust, Kafka. Dhe, nga këtu, Sarmiento dhe Roberto Arlt.
QBA: Cilat janë cilësitë më të rëndësishme te një shkrimtar?
Sabato: I ndjej thellësisht krijuesit që kanë shkruar me zjarr, me origjinalitet, me fanatizëm. Preferoj ata që prodhojnë letërsi nga kënaqësia verbale, siç ishte, në një farë mënyre, Lugones. Ata që e vënë fjalën para intuitës poetike. Kaludel ka thënë se Iliadën nuk e bënë fjalët, por ishte Iliada që i bëri fjalët (…). Mendoj se në çdo art të madh dy termat “sfond” dhe “formë” nuk mund të ndahen, pasi sfondi jepet pashmangshmërisht i formuar dhe forma, domosdoshmërisht, bën përmbajtje. Nëse sfondi nuk do të ishte vendimtar, nuk mund të kuptohej se si me një “argument” të parëndësishëm të kohës së tij Shekspiri ndërtonte një tragjedi të madhe. Është pikërisht ky parim që më bën ta fut në karantinë një letërsi që i jep përparësi formës. Në të njëjtën mënyrë, edhe pse në të kundërt, jam edhe kundër asaj së famshmes “letërsi përmbajtjeje”, si në rastin e realizmit socialist, apo kundër qëndrimeve të tjera edukuese.
Në shqip: Bajram Karabolli