200-vjet më parë, më 23 shkurt 1821, në Romë vdiq poeti anglez John Keats, nga tuberkulozi, në moshën 25-vjeçare.
“Së shpejti do të prehem në varrin e qetë, falënderoj Zotin për varrin e qetë”, – i tha mikut Joseph Severn, në krahët e të cilit dha jetë.
“Arrij ta ndiej ftohtësinë e tokës, luledelet që rriten mbi mua. Oh, për këtë qetësi! Do të jetë e para për mua”.
Është e vërtetë që në të gjallë, poezia e Keats u vlerësua vetëm nga disa miq. Disa prej tyre shkrimtarë, pasi ai nuk i përgjigjej imazhit që kemi për poetin.
Mes romantikëve, ishte i vetmi autodidakt, rridhte nga një familje e thjeshtë, me të vetmin mjet jetese punën si farmacist, për të cilën kishte studiuar.
Poezia, e varur nga ndjeshmëria, e etur, e fortë, për më tepër gjykohej moralisht e dënueshme. “Ne qeshëm me platonizmin sensual të autorit të “Endymion”; ne përqeshëm hedonizmin e tij rinor; ne i deformuan kultin sovran të bukurisë… Mbi të gjitha, nxituam të ndotnim shpërthimet e kënaqësisë së tij…”, – shkruan Mark Pore.
Teksa citon kritikët e kohës, ai shprehet se Keats provokoi reagime të brendshme refuzimi. Veçanërisht në gjirin e kastës së kritikëve dhe shkrimtarëve.
Në rastin më të mirë, i turpëruar, në rastin më të keq, ngjallte neveri. Gjithsesi, Keats manifestoi një përbuzje krenare të lavdisë letrare. Duke u vetëshpallur armik i ekspozitës “egotistike”.
Sigurisht, ai nuk mund të jetonte pa dashurinë e miqve, por ruajti në urrejtje një popullaritet të papërgjegjshëm: “Më e madhja lavdi e imja, do ishte të mbyllja sqepin dhe sytë për këta mijëra njerëz që flasin për piktura dhe libra”. “Çfarëdo që të ndodhë, poezia ime nuk do të jetë kurrë e mirë, nuk e mbulon si duhet territorin e saj”, – e tillë ishte sfida që i bëri vetes.
Lindi në Londër më 31 tetor 1795, më i madhi i katër fëmijëve të Thomas dhe Frances Jennings Keats. Megjithëse vdiq që njëzetepesë vjeç, Keats pati mbase karrierën më të shquar të ndonjë poeti anglez.
Botoi vetëm pesëdhjetë e katër poezi, në tre vëllime të vogla dhe disa revista, mirëpo gjatë zhvillimit të shkurtër, përqafoi sfidat e një game të gjerë të formave poetike nga soneti në romancën spenseriane, në epikën miltonike. Duke përcaktuar rishtas mundësitë e tyre me bashkimin e veçantë të energjisë së tij gjithë zell. Kontrollin e perspektivave dhe forcave konfliktuale, vetëdije poetike dhe, herë pas here, zgjuarsi e mprehtë ironike.
Lidhja sentimentale me Fanny Brawne, lindur në 1818, e nxiti të shkruante letra të mrekullueshme dashurie të cilësuara nga poeti T.S.Eliot, si “më e rëndësishmja e shkruar ndonjëherë, nga një poet anglez”.
Këto letra, përcaktohet qartë rritja stilistike dhe shpirtërore e poetit. Fatkeqësisht, John dhe Fanny, nuk u martuan kurrë. Në 1821, ai u transferua në Romë në përpjekje për t’u shëruar nga tuberkulozi që e mundoi, pranë një klime më të butë.
“E kam dashur parimin e bukurisë në të gjitha gjërat dhe, nëse do të kisha kohë. Do bëja të mundur të mbetesha i paharruar”, – i shkroi poeti Fanny Brawne-it, në shkurt 1820, menjëherë pasi u sëmur.
Në punën e Keats, beteja me formën estetike bëhet imazhi i betejës për mirëkuptim përkundër kufijve të përvojës. Vetë forma e artit të tij, duket se mishëron. Dhe interpreton konfliktet e vdekshmërisë dhe dëshirës.
Ngulmimi i poetit për dashurinë e fortë për bukurinë dhe jetën tragjikisht të shkurtër, lexuesve u është dukur tejet i jashtëzakonshëm.
Ai iu afrua marrëdhënieve midis përvojës, imagjinatës, artit dhe iluzionit, me një mendjemprehtësi depërtuese. As me sentimentalizëm dhe as me cinizëm, por me një kënaqësi në mënyrat në të cilat bukuria, në mënyrat e veta delikate dhe shpesh të habitshme, zbulon të vërtetën.
Keats ishte pjesë e brezit të dytë të shkrimtarëve romantikë, megjithëse nuk u përfshi shumë në aktivitetin socio-politik të kohës.
Ishte tmerrësisht i tërhequr nga natyra, arti me madhështinë e vet, si dhe pas kulturës antike greke. Poezitë e tij morën frymëzim nga bukuria. E cila përfaqësonte një burim gëzimi, dhe nga dashuria.
Fatkeqësisht, edhe vdekja ishte një temë shumë e diskutuar nga Keats. Ka krijuar poezi të shumta, suksesi i të cilave e shndërroi në poetin e pavdekshëm që njohim sot.
Ndër krijimet më të rëndësishme përmendim: “Odë për psikikën”, “Odë për bilbilin”, “Odë për urnën greke”, “Në vjeshtë”, etj. Në poezitë e John Keats, vdekja pritet 100 herë më shumë se e ardhmja. Një fjalë që shfaqet vetëm një herë në tërësinë e veprës së tij.
Kjo mund të duket e përshtatshme në 200-vjetorin e vdekjes së Keats, i cili, shihej gjerësisht si poeti i ri romantik “gjysma e dashuruar me vdekjen e qetë”.
John Keats ishte poeti i epokës që jetoi, i mjedisit shoqëror, kulturor dhe mjekësor. Megjithatë, në dyqindvjetorin e vdekjes, ai është gjithashtu – më shumë se kurrë, ndoshta – edhe poeti i kohës sonë.
Poeti i izolimit, mërzitjes, zhgënjimit, frikës… madje dhe shpresës, sepse në javët e fundit, mezi të imagjinueshme në Romë, 200-vjet më parë, i vendosur në një apartament të vogël, pranë “Shkallëve Spanjolle”, nuk hoqi dorë kurrë nga e ardhmja, nuk hoqi dorë kurrë nga ëndrrat e dashurisë dhe famës.
I varrosur jo në varrezat katolike të kryeqytetit, në një cep të lëndinës së gjelbëruar, pranë tij, një stol nën hijen e pemës, ju lejon të ndaleni për një moment dhe të shijoni fjalët e tij./Konica.al
——————–
Lexo edhe:
Spiridon Ilo, themeluesi i shoqërisë së parë diskografike me këngë shqip
ObserverKult