Autoriteti i Dosjeve dhe Arkivi i Filmit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të këmbyer arkivat për filmat e prodhuar në komunizëm, një ide që duket e vjedhur, e propozuar në 2017 nga shkrimtari Agron Tufa, bashkë me një letër të argumentuar drejtuar Parlamentit, – për të cilën nuk mori përgjigje, por u kërcënua për këtë nismë për të ndalur propagandën komuniste përmes filtrimit të filmave. Nuk ka pasur ndonjë propozim të qartë mes dy institucioneve, por deklarata e djeshme e Tufës lidhet me faktin se Sigurimi i Shtetit po merr nën kontroll edhe kinematografinë
Para pak ditësh mes Autoritetit të Dosjeve dhe Arkivit Shtetëror të Filmit u nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi sa i takon produktit kinematografik shqiptar që lidhen me komunizmin. U tha se drejtuesja e AQSHF, znj. Iris Elezi bëri një paraqitje të kujdesshme e të detajuar të materialeve të tipologjive të ndryshme që ruhen në arkivin e tyre, duke evidentuar njëkohësisht elementët dhe fushat ku mund të punohet e studiohet bashkërisht.
Sipas znj. Elezi, “është e rëndësishme që e shkuara të trajtohet në mënyrë multidisiplinore dhe ka ardhur koha që kinematografia dhe të gjitha proceset e lidhura me të gjatë viteve të regjimit komunist, të shihen me transparencë. Kjo njohje e ndihmon të tashmen e të ardhmen, edhe të kinemasë shqiptare”.
Nga ana tjetër, pati edhe përgjigjen e drejtoreshës së Autoritetit, zonjës Gentiana Sula e cila tha se: “Jo pak ngjarje historike dhe personalitete janë trajtuar të deformuar në filmat shqiptarë të regjimit, duke prekur e cenuar dinjitetin njerëzor të të nëpërkëmburve e përçmuarve për të gjithë jetën e jo në pak raste, në disa breza. Hapja e dokumenteve të Sigurimit dhe njohja me “provat” e fabrikuara që dënuan sabotatorë, apo linçuan “armiqtë e popullit” është një mundësi për t’iu rikthyer në një optikë të re filmave, dokumentarëve, skenarëve, mjeteve të propagandës të përdorura dhe shfrytëzuara nga ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, me qëllim indoktrinimin”.
Kjo marrëveshje e propaganduar si “ide” e re, në fakt është “ide” e vjedhur. Sepse në vitin 2017, drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve Komuniste, shkrimtari Agron Tufa ndërmori një nismë për të vendosur me ligj ndalimin e filmave që mbanin propagandën komuniste të Enver Hoxhës, duke propozuar po ashtu që të ndalohen shfaqja e tyre, orar pa orar nëpër televizione. Debati mori përmasa cënuese, duke provokuar autorët e produktit të filmave të prodhuar në komunizëm, po ashtu kjo ide nuk gjeti mbështetje as nga qeveria, dhe as nga ndonjë organizatë tjetër.
Bashkëpunimi i parë, siç nga njoftohet, me Arkivit dhe Autoritetit, pritet të nisë me të dënuarit e Kënetës së Maliqit, kur pritet të diskutohen dokumentet arkivorë, ku Autoriteti i Dosjeve, thuhet se do të “hulumtojë dosjet e ish Kinostudios të ruajtura në AIDSSH”. Këto të gjitha janë ide të vjedhura, sepse historia e kënetës së Maliqit, është e konsumuar nga shkrimtarë e specialistë, bërë publike edhe përmes dokumenteve arkivore, po ashtu ka marrë edhe vëmendjen e medias. Ky riciklim i historisë si punë të mbaruara, të një marrëveshje propagandë sigurisht ka nxitur edhe reagimin e sotëm të shkrimtarit Agron Tufa, sot në azil politik, që pikërisht për këtë çështje ka marrë edhe kërcënime publike dhe se tani çdo gjë po vihet nën kontrollin e sigurimit, tani edhe filmat e komunizmit po merren në mbrotje. Në rrjetin e tij social Tufa shprehet: “Duhet të jesh patjetër strukturë e vënë në funksion dhe e udhëhequr nga Sigurimi i diktaturës që të arrihen “Marrëveshje të mëdha”, plot tam-tame mediatike. E tillë u shit “Marrëveshja” e AIDSSH me Arkivin e Filmit për trajtimin e filmave të komunizmit. Beteja që hapa për këtë çështje të ndjeshme me kolegët e mi dhe adresimi i propozimit tonë në Parlament nga ISKK, nuk u mor parasysh. Shokët e autoritetit e kanë “prekjen magjike” edhe për këtë çështje, ndonëse, si gjithmonë, me ide të vjedhura. Tjetërkush i hante kërcënimet, e tjetërkush merr palmën e propagandës qeveritare. Ndërkohë filmat genocidialë si “Komisari i dritës”, transmetohen nga tre herë në jave nga RTSH e kanale të tjera.” Duke u transmetuar orar pa orar në televizione, në 2017, Tufa së bashku me studiuesin Erald Kapri patën marrë nismën për të ndaluar me ligj filmat propagandistikë komuniste, të regjimit të Enver Hoxhës, kjo pasi sipas tij është e dëmshme për shëndetin moral publik. Për këtë arsye Tufa si përfaqësues i një institucioni të rëndësishëm për krimet e komunizmit, i pati dërguar një letër Parlamentit ku i kërkon të mbështesë nismën për filtrimin e filmave të kohës së komunzimit dhe vendosjes së një logoje shpjeguese për transmetimin e tyre, debat që ka ngjallur shumë reagime mes komunitetit të artistëve.
Ndërkohë që kishte marrë një mesazh kërcënues mbi këtë temë, duke e denoncuar: “Mbrëmë mora një kërcënim anonim për shkak, se me kolegun tim, z.Erald Kapri (i kërcënuar dhe ai) ndërmorrëm një nismë, për të ndaluar me ligj filmat propagandistikë komunistë të rregjimit te Enver Hoxhes, si lëndë toksike, radioaktive, e dëmshme për shendetin moral publiik. Mbetjet e diktaturës dhe nostalgjikët e asaj idile kinematografike perverse, incestuoze, qenkan prekur në kockë. Ne Neës 24 kisha sqaruar, se: jo perjashtimisht të gjithe filmat te ndalohen. Por te behet nje liste e kujdesshme e filmave ( te paket) qe nuk perçojne propagande komuniste, si dhe: te gjithe filmat e ‘mbijetuar’ te paraprihen para transmetimit me një 5 minutesh hyrje, ku te shpjegohet se perse transmetohet aksh film (vlera artistike, regjisoriale, aktoriale, tematike etj),” shkruante Tufa.
Në një intervistë të para katër viteve, në 2017, Tufa i pyetur për debatet e hapura prej tij, që lidhen me me kërkimin e ndjesës nga ana e bashkëpunëtorëve të regjimit të shkuar, dhe më konkretisht me shkrimtaren Diana Çuli, dhe tjetri në lidhje me filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, për kërcënimin është përgjigjur në media se: “Kjo vjen për shkak të mospërmbushjes nga shteti shqiptar postkomunist dhe nga shoqëria jonë postkomuniste të njërës prej detyrave themelore pas vitit 1990: dekomunistizimi i Shqipërisë nga trashëgimia staliniste. Së këndejmi vjen nervozizmi i nostalgjikëve dhe i atyre, që me qëndrimin e tyre bëhen dashje pa dashje “avokatët e djallit”. Jo më kot, sondazhi i OSBE-së i nxori 49% të shqiptarëve nostalgjikë të viteve të diktaturës. Ajo çfarë kërkoj e kam kërkuar vazhdimisht në qindra shkrime këto 15 vitet e fundit, ka qenë rishikimi dhe rileximi i thellë e reflektues i trashëgimisë së komunizmit shqiptar në të gjitha sferat e jetës shtetërore e publike. Mungesa e ndjeshmërisë është bërë tashmë mungesë sensi, higjiene morale, mungesë vetëdijeje, duke inkurajuar aktorë me të shkuar të errët e kriminale të bëjnë karrierë politike e administrative, të bëhen liderë shoqërorë. Kjo është shumë e pistë. Kemi raste të denoncuara, kur një xhelat torturues hetuesie kryeson katedër në akademi, jep të Drejtë Ligjore pasi e ka përdhunuar atë. Higjiena morale publike është e ndotur. Në këtë vend jetojmë, rrisim fëmijët. A duhet reaguar? Diskutohet për korrupsionin e të gjitha niveleve, kapjen e Drejtësisë, dekriminalizimin etj., por a nuk i ka rrënjët ky korruptim në riciklimin e figurave të implikuara gjakatare të së djeshmes? Kështu dhe me dy debatet e fundit. Vetë ecuria e tyre dhe përfundimet të lënë pa frymë: ti tund fakte, ndërsa pala mbrojtëse mbrohet me cinizëm: “Ah, ju paskeni fakte… Atëherë aq më ke për faktet!”. Unë mendoj se duhet ta ndalojmë përçudnimin e mëtejshëm moral.” . /(gazeta standard)