Prezantuesja italiane Serena Bortone në emisionin italian “Sot është një ditë tjetër”, duke intervistuar drejtpërdrejt këngëtarin shqiptar Ermal Meta, ka bërë një gafë tronditëse duke menduar se artisti kishte mbërritur në Itali “me skaf (barkë)”.
“Ne e dimë që ke ardhur në Itali në moshën trembëdhjetë vjeçare në një varkë …”, i është drejtuar Serena Bortone, këngëtarit shqiptar garues në Sanremo 2021.
“Në të vërtetë unë nuk kam ardhur me varkë. Do të më pëlqente shumë, sepse më pëlqen kontakti me ujin. Nuk kam pasur fatin ta jetoj këtë eksperiencë”, është përgjigjur me shumë qetësi Ermal Meta.
Sakaq pati një ngrirje të të pranishmëve në studio.
Në fund të intervistës, prezantuesja është përpjekur të rregullojë gafën e saj duke thënë: “Urra për anijet që transportojnë njerëz që kanë nevojë për ndihmë, në kuptimin urra nëse mund t’i ndihmojmë ata, ne do të ishim gjithmonë njerëz më të mirë dhe duhet të mendojmë gjithmonë për këtë “./a.k/noa.al