Jorge Luis Borges: Kjo është dora që ledhatonte dikur flokët e tu…

Jorge Luis Borges

1
Diçka më pëshpëritën
buzëmbrëmja dhe mali.
E kam harruar tani.
2
Nata e pafund
tani s’është gjë tjetër
veçse një amësim.
3
Ekziston apo jo
ëndrra që harrova
para se të gdhihej?
4
Heshtin telat.
Muzika e di
se çfarë ndiej.
5
Bajamet e kopshtit
sot nuk më gëzojnë më.
Më kujtojnë ty.
6
Tinëzisht
libra, gravura, çelësa,
ndjekin fatin tim.
7
Që nga ajo ditë
nuk i kam lëvizur më gurët
në fushën e shahut.
8
Në shkretëtirë
shfaqet aurora.
Dikush e di.
9
Shpata që prehet
ëndërron me betejat e saj.
Tjetër është ëndrra ime.
10
Njeriu ka vdekur.
Mjekra nuk e di.
Thonjtë ende rriten.
11
Kjo është dora
që ledhatonte dikur
flokët e tu.
12
Nën strehën e çatisë
pasqyra nuk shëmbëllen
veçse hënën.
13
Nën hënë
hija që zgjatet
është një e vetme.
14
Është perandorí
apo xixëllonjë
ajo dritë që shuhet?
15
Hënë e re.
Edhe ajo e këqyr
që nga një dritare tjetër.
16
Një cicërimë e largët.
Bilbili nuk e di
se të ngushëllon ty.
17
Dora e plakur
vazhdon të shkruaj vargje
për harresën.


Në shqip: Erion Karabolli

*Titulli i origjinalit: “Shtatëmbëdhjetë haiku”

————————

Lexo edhe:

“NËSE GJELI KËNDON NË MBRËMJE- VDES NJË MIK”/ JA DISA BESTYTNI SHQIPTARE PËR MIQTË…