Ditën e sotme është ndarë nga jeta Shefki Karadaku, një emër i njohur i letërsisë dhe kulturën kombëtare shqiptare. Zemra e tij ndaloi jo nga Covid, por nga një sëmundje e rëndë, që edhe pse u diagnostikua në një vendet jashtë Shqipërisë tre vite më parë, ajo avancoi.
Familja Karadaku ka humbur njeriun e saj të dashur dhe që e bënte të ndjehej krenare. Ndërsa letërsia dhe kultura kombëtare kanë humbur një nga autorët e saj më të shquar.
Shefki Karadaku njihet si një nga krijuesit më prodhimtarë e më cilësorë të letërsisë shqipe, në poezi dhe prozë, në gjinitë e tregimit, novelës dhe romanit.
Ai u lind më 9 qershor të vitit 1941 në një nga lagjet tradicionale të Elbasanit, të qytetit ku në vëllimin poetik më të fundit “Trokas” përshkohet nga një fill i hollë lirike dhe malli prekës për vendlindjen e tij.
Si pasardhës i një familjeje intelektualësh të këtij qyteti, poezitë e para Karadaku i boton në Gazetën “Drita” dhe “Nëntori”. Librin me poezi “Kënga e karrove të drithit”, e boton në vitin 1967. Libri pati një jehonë në shtypin e kohës. Pas mbarimit të Fakultetit Histori-Filologji në vitin 1971 fillon punë në revistën “Ylli” ku punon si redaktor dhe gazetar përgjegjës për 20 vjet me radhë. Në vitin 1991 themelon, së bashku me poetin Petraq Risto, shtëpinë botuese private “Glob” ku botohen një sërë autorësh të mëdhenj si Kafka, Kavabata, etj.
Me një karrierë krijuese prej më shumë se gjysmë shekulli, Karadaku është autori i 38 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij.
Kritikët e kohës do e cilësojnë si atë me veprat e tij si “i sigurt në temën e tij letrare, i pajisur me talent dhe dije, Karadaku vërshoi në shtypin letrar të viteve ’65-‘70 i gatshëm estetikisht për të rivitalizuar, midis të tjerash, lirikën shqipe të dashurisë”.
Në një karrierë prej gjysmë shekulli në letërsinë shqiptare, për poetin dhe shkrimtarin e njohur Shefki Karadaku janë bërë studime, artikuj studimorë, edhe nga të huajt, si studiuesja gjermane Erika Beerman.
Për poezinë e Shefki Karadakut janë prononcuar me vlerësime pozitive kritikët dhe shkrimtarët me emër që nga Ismail Kadare, Sterjo Spasse, Perikli Jorgoni, Llazar Siliqi, Dritëro Agolli, Adriatik Kallulli, Xhezair Abazi, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Petraq Risto. Poeti dhe shkrimtari Shefki Karadaku, do të vlerësohej nga artikuj studimorë nga shkrimtarë dhe kritikë letrarë shqiptarë, mes të cilëve edhe Lutfi Kurteshi, Leonard Veizi apo dhe Konstandin Dhamo.
Karadaku është një nga përfaqësuesit më të spikatur për gjininë e lirikës ku absorbohen përvojat e poetikave tradicionale me ato moderne e avangardiste evropiane dhe realizohet kundërvënia ndaj traditës letrare.
Tipare të futurizmit, ekspresionizmit, surrealizmit, madje dhe krepuskolarizmit janë përthithur dhe pasqyruar në poetikat e këtij autori.
Ndërthurja e tyre me përvojat individuale ka sjellë një poezi të re që u përgjigjet ndryshimeve të shoqërisë shqiptare, si dhe kërkesave të vetë sistemit letrar shqiptar. Nga veprat e tij më të njohura përmendim: “Një mijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, “Garderoba e ofiqarit gri”, “Puthja e ngrirë”, “Apokalipsi i gjetheve”, “Argonautët ose 100 ditët shqiptare që tronditën botën”, “Sagë mbretërore” etj. Karadaku është poet i popullit dhe i problemeve të tij më qenësore, poet i problemeve historike dhe shoqërore.
“Në romanet “Puthja e Ngrirë”, “Një mijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Pangjerikus” e të tjerë dhe vëllimet poetike “Kënga e të korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit” dhe “Feniks”, poeti e shkrimtari Shefki Karadaku asnjëherë nuk do të t’i nështrohet jetës edhe pse e vuan atë”, shkruan kritiku letrar”, doktor Lutfi Kurteshi.
Ndërsa shkrimtari Leonard Veizi do të shkruante se “një studim më konkret për krijimtarinë e tij e gjejmë te libri “Absurdi mbretëror” – (Shënime kritike, ese, këndvështrime për krijimtarinë e Shefki Karadakut), në të cilin autori i 38 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij. I sigurt në temën e tij letrare, i pajisur me talent dhe dije, Karadaku vërshoi në shtypin letrar të viteve ’65-‘70 i gatshëm estetikisht për të rivitalizuar, midis të tjerash, lirikën shqipe të dashurisë”./(gazeta shqip)
Poezia për qytetin e lindjes, Elbasanin
Ky është qyteti me një mijë bebe
ky është qyteti me një mijë gojë
ky është qyteti me një mijë shprehje
E njoh këtë qytet të butë nga qerpiçi
e njoh këtë qytet të brishtë të dashurisë
e njoh këtë qytet të bardhë e të zi
Para rrugës sime një mijë rrugë të tjera
para dritares sime një mijë dritare shoh
para mendimit tim një mijë mendime të tjerë
Rri e sodis jetën që lind dhe mbaron frymën
rri e sodis dashurinë që lind një botë të re
rri e sodis vdekjen që lind nga dashuritë.