Nga Dashnor Kaloçi
Publikohet historia e panjohur e fshatrave Drenovë – Boboshticë të rrethit të Korçës që ndodhen rrëzë malit të Moravës vetëm 8 km. larg qytetit, të cilat, jo vetëm për natyrën e tyre piktoreske dhe historinë e lashtë (sipas studiuesit të njohur, Prof. Dr. Sotir Temo, daton që nga shekulli i XI-të), por edhe për njerëzit e mençur që kanë nxjerrë prej dekadash të shkuara, si; Viktor Eftimiu, Kristaq Antoniu, Sotir Kuneshka, Dhimitër Canco, etj.
Emra dhe personazhe të njohur artistë, shkrimtarë, shkenctarë dhe intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme, ka nxitur kureshtjen e shumë vizitorëve dhe studiuesve të huaj nga Evropa e largët, si francezi, Andrea Mazoni, që e vizitoi atë në gushtin e vitit 1936, madje duke shkruar edhe dy libra, (‘Dokuments Contest et Chanson Slaves De L’Albania Du Sud’) vetëm për Boboshticën dhe njerëzit e saj të mençur. Si dhe shkrimi i panjohur i Themisto Dodonarit në gushtin e vitit 1945, me titull “Dy komunikime akademike në fshatin Drenovë” dhe nëntitull “Themeli i një arshive historike të fshatrave Drenovë – Boboshticë”, ku ai përshkruan disa aktivitete kulturore dhe artistike të zhvilluara në ato fshatra me emër të madh, edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Jo vetëm fshatra, por madje dhe shumë qytete në Shqipëri do e kishin zili Boboshticën, fshatin e vendosur rrëzë Moravës në jug të qytetit të Korçës. Fshati i madh, apo qyteza e vogël siç quhet me të drejtë ai ‘vend i bekuar’ që ndodhet afro 8 km. larg Korçës, me natyrën piktoreske që dimrit ja zbukuron ‘manteli’ i bardhë i dëborës nënë rrezet e arta të diellit që feksin tej e tej që nga Gramozi e deri mbi Mal të Thatë, për njerëzit e mençur që ka nxjerrë që nga fillimet e shekullit të kaluar, ka nxitur kureshtjen e shumë studiuesve që nga Evropa e Largët.
Shumë artistë, shkrimtarë, shkenctarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, si Viktor Eftimiu, Kristaq Antoniu, Sotir Kuneshka, Dhimitër Canco etj., emra dhe personazhe të njohur që kanë bërë famë të madhe jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë saj, do ta bënin Boboshticën “të matej” dhe me shumë nga qytetet e mëdha të vendit tonë, duke u ndierë shumë herë “më e madhe” se ata! Po çfarë është ky fshat, që kur janë fillesat e njohjes së tij dhe cilët janë njerëzit e mençur që ka nxjerrë Boboshtica e famshme?
Boboshtica sot ka afër 300 shtëpi dhe fshati është i vendosur ndërmjet katër kodrave. I mirënjohur Prof. Dr. Sotir Temo, në një studim të tijin, thotë se Boboshtica në shekullin XVIII – XIX, kishte fituar një farë pavarsie e vetëqeverisje.
Nga një çiflig nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës (1817) e më pas të Sulltanit, shpëtoi nga kjo zgjedhë, duke paguar 6.555 lira turke. Në atë kohë, fshati u përtëri duke filluar rregullimet nga urbanistika. U shtruan rrugët e fshatit me kalldrëme, u ndërtuan urat, kanalet, çezmat e ujit dhe dy shatërvanë. Tokat e livadhet si dhe kullotat ngelën të përbashkëta. Një kujdes i veçantë tregohej për dy shkollat, për atë të vajzave dhe të djemëve.
Nga kishat e shumta që ndodhen aty, njëra prej të cilave ajo e Shën Jovanit, daton në shekullin XI-të. Aty ndodhen dhe dy manastire, ai i Shën Mërisë në krye të fshatit dhe ai i Shën Kollit në pjesën juglindore, rrëzë Moravës që është i ndërtuar në kohën e Skënderbeut (1450). Në këtë manastir është gjetur dhe një nga ikonat më të vjetra në rrethin e Korçës. Ky fshat administrohej nga një pleqësi që zgjidhej nga vetë fshatarët, në mbledhjet e hapura.
Aty bëhej një jetë intensive komunitare, religjoze, por dhe kulturore që përshkonte gjithë fshatin, pothuaj gjatë gjithë vitit. Festat familjare dhe fisnore e sidomos ato fetare, i jepnin një gjallëri të madhe jetës në këtë fshat që shpeshherë tërhiqte dhe shumë të rinj nga qyteti i Korçës. Një vend të veçantë në të gjithë jetën e këtij fshati, kulturën, zakonet, traditat mirëqënien dhe shkollimin, do të zinte emigracioni, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim, nga Rumania në Francë.
Në fillimet e shekullit të kaluar, shumë fshatarë nga Boboshtica do të shpërnguleshin për në Rumani, ku dhe krijuan të parën mërgatë shqiptare me vendosjen e tyre në Pietsh, afër Bukureshtit.
Andrea Mazoni, studiuesi francez në Boboshticë!
Siç thamë më lart, që nga fillimet e shekullit të kaluar kur boboshticasit u shpërngulën nga dheu i të parëve dhe u vendosën në Pitesh të Rumanisë, e deri nga mesi i këtij shekulli, shumë të tjerë nga ky fshat rrahën kurbetin për punë, por dhe për t’u shkolluar në universitetet e Lindjes dhe ato të Perëndimit. Pas hapjes së Liceut Francez të Korçës, në fillimin e viteve 1920, i cili u frekuentua nga një pjesë e madhe e fëmijëve boboshticas, disa prej tyre vazhduan të shkollohen në universitetet franceze.
Në grupin e studentëve të parë që filluan mësimet në Francë, ku pjesa më e madhe ishin nga qyteti i Korçës (nxënës të Liceut Francez), nga fshati Boboshticë, kishte studentin Gjergji Canco. Në rrethet studentore dhe ato të emigracionit ekonomik shqiptar të Parisit e Montpeljesë, studiuesi i njohur francez Andrea Mazoni, ra në kontakt me ta dhe paraqiti shumë interes për Shqipërinë. Në këto takime me rrethet shqiptare të Francës, për vetë punën studimore të tij, Mazoni paraqiti interesa të mëdha për fshatin Boboshticë, të cilin vendosi ta vizitojë në një kohë sa më të shpejtë.
Kështu, interesin e tij për Boboshticën, Andrea Mazoni e bëri realitet në gushtin e vitit 1936, teksa linte qytetin e Barit në Itali, për të mbërritur në portin e vogël të Durrësit, me një anije të vogël transporti. Në këtë fshat, Mazoni qëndroi për afro tre muaj, duke ndier mikpritjen e pakursyer të fshatarëve boboshticas, që e mahnitën mikun e largët nga Franca.
Mes ngrohtësisë të njerëzve bujar të atij fshati, Mazoni u njoh imtësisht për ato tre muaj, që nga gjuha e zakonet, e deri te kultura e tyre që nuk i linte asgjë mangët edhe fshatarëve më të njohur të oksidentit. Pas kthimit në atdheun e tij, Mazoni do t’i shpeshtonte shumë kontaktet me studentët nga Boboshtica, që studionin në Paris e Montpelje, si Sotir Kuneshka e Gjergji Canco, duke kërkuar ndihmën e tyre për shumë gjëra, që atij do t’i duheshin në hartimin e dy librave voluminoz vetëm për Boboshticën.
Dy libra voluminoz për Boboshticën nga Andrea Mazoni!
Pas kthimit në Francë, Andrea Mazoni, i’u përvesh punës dhe hartoi një libër vetëm për Boboshticën, të cilin e titulloi “Dokuments Contest et Chanson Slaves De L’Albania Du Sud” (Par. Andre Mazon Professeuer Au College DE France).
Në parathënien e këtij libri, që Mazoni e botoi në vitin 1936, ndërmjet të tjerash tregon për njohjet e tija për Boboshticën, nëpërmjet disa studiuesve të huaj, si A. M. Seliçjev nga Bullgaria, i cili në vitin 1931, kishte botuar në Bullgari librin studimor, “Slavjansko e Naselenie – Albani, Sofia”. Po kështu përpara këtij libri të autorit bullgar, i cili merrej me studimin e gjuhëve sllave në Ballkanin Jugor, Mazoni ishte njohur me Boboshticën që në vitin 1923, nëpërmjet librit e M. Naçit “Korça dhe katundet e Qarkut”, i cili ishte i botuar në Korçë.
Në librin studimor për Boboshticën, ndonëse qëllimin e tij e kishte për gjuhët sllave në Ballkanin e Jugut, Mazoni do të ndalej gjatë vetëm për boboshticasit, në doket, zakonet e gjuhën e tyre, që nga fillesat e para kur ishte krijuar fshati para disa shekujsh.
Një nga gjërat që i bëri më shumë përshtypje Mazonit në librin e tij për boboshticasit, ishte dëshira e tyre për dije e shkollim, ku shumë nga djemtë e këtij fshati që nga shekulli i kaluar, kishin kapërcyer kufijtë e Lindjes e Perëndimit, për t’u shkolluar në universitetet e Evropës e Afrikës së Veriut. Një nga personazhet e parë të Mazonit në librin e tij, është Dhimitër Canco nga Boboshtica, ose siç thirrej e njihej nga boboshticasit “Dhaskali”.
Dhimitri kishte lindur më vitin 1814 dhe njihej si ‘Njeriu i madh” i Boboshticës. Ai kishte studiuar dhe ishte diplomuar në Liceun e Konstandinopojës, një nga më të njohurit e kohës. Në fshatin e tij, Dhimitri u kthye kur ishte 30 vjeç dhe qëndroi aty deri në moshën 90-vjeçare, kur ndërroi jetë, duke punuar për afro gjysëm shekulli si “dhaskal”. Në rininë e tij, Dhimitri kishte emigruar në Rumani, së bashku me bashkëfshatarët e tij dhe ishte kthyer përsëri në fshatin e lindjes. Ai ishte një njeri i gjallë që respektohej nga të gjithë bashkëfshatarët e tij. “Dhaskali” fliste disa gjuhë të huaja, si: frëngjishten, sllavishten, rumanishten dhe greqishten.
Dhimitri vdiq në vitin 1904 dhe Andrea Mazoni nëpërmjet pasardhësve të tij, si Gjergji Canco, student në Montpelje, shfrytëzoi shumë nga memuaret e tij (Dhimitrit), për librin e tij për Boboshticën. Në librin e tij, Mazoni flet dhe falenderon për ndihmesën që i dhanë atij gjatë ekspeditës studimore në Boboshticë e Drenovë, Ministrat e Qeverisë Mbretërore, Dhimitër Berati e Myfit Libohova, si dhe Prefektin e Korçës, Ismet Kryeziun. Pas rreth 50 vitesh nga botimi i librit të parë, në vitin 1965, Mazoni botoi një libër tjetër për Boboshticën, kësaj rradhe së bashku me kolegen e tij, Filipova Bajrova.
Në parathënien e këtij libri, Mazoni dhe kolegia e tij Filipova, falenderojnë dhe evidentojnë për ndihmesën e madhe që ata kanë pasur për hartimin e librit që nga memuaret e Dhimitër Cancos, Papa Teodor Ikonomu, e deri tek ato të Stilian Eftimiut, e Sotir Kuneshkës.
Dy komunikime akademike në fshatin Drenovë!
Për fshatrat Boboshticë – Drenovë dhe historinë e tyre dhe njerëzit e mençur që nxorri ai fshat, vazhdoi të flitej edhe pas mbarimit të Luftës dhe një prej tyre ishte edhe Themisto Dodonari, i cili në një shkrim të tij të datës 7 gusht 1945, me titull “Dy komunikime akademike në fshatin Drenovë”, dhe nëntitull “Themeli i një arshive historike të fshatrave Drenovë – Boboshticë”, midis të tjerash shkruante:
“Me rastin e një vizite në fshatin t’onë, ditën e 6-të të Gushtit – Ekremte e I-rë Shën Sotirit – në kopshtin “Nasi” të bukur, Ilo Mitka Qafëzezi, bëri dy komunikime letrare, akademike, tepër të rëndësishme për historinë e fshatrave Drenovë – Boboshticë, si dhe për historiografinë e Korçës përgjithësisht. Morrën pjesë në këtë muhabet histori pleqtë të kënduar të fshatit, pjestarët e Këshillit N. Çlirimitar, trupi arsimor dhe shumë të tjerë.
Pas paraqitjes prej anës së shokut Tushi Dodana – Drenova, Qafëzezi u tregoi rrethit të fshatarëve dy kartona të arshivës së “Institutit – Bërthamë” të tija, akt-vizita letrare të këtij viti, të cilat i përkasin kryesisht historisë së përbashkëme të fshatravet Boboshticë – Drenovë.
Është fjala për dy kondikë monumente historikë drenovaro-boboshticas, të cilët mbajnë numrat 48 dhe 283, të Katallogut Qafëzezi, të Dorëshkrimevet, të titulluara “Kondiku Dhaskal Dhimitër Canco Boboshtiri”, dhe i Arshivës Familjare Thodhoraq Dh. Canco të Boboshticës, dhe “Kondiku Dhaskal Dhimitri Verdho” (apo Verdhi) i Arshivës së Pleqësisë së fshatit Drenovë. Këtyre, duke u shtuar secilit nga një thesar të dytë dokumentash historike përkatëse, nga të Mitropolisë së Korçës, prej arshivave të shoqërive shqiptarë të Bukureshtit, etj.
Qafëzezi po i jep destinatën që të përbëjnë gurin e vyer themelonjës të një archive historike, të përbashkme, të fshatravet Drenovë – Boboshticë, me një Efori prej 6 vetash, nga tre prej secilit fshat. Me përpjekje dhe bashkëpunim të Këshillavet N. Çl, të të dyja fshatrave, të çdo intelektuali të këtyre, në Mëmëdhe edhe përjashta, kartonat do të pasurohen parreshtur me të gjitha ngjarjet historike më të ra të tyre, si dhe me jetëshkrimin e të gjithë burravet të çquar si mirëbërës arsimorë, shoqërorë etj. Gjer tek të tridhjet të vyher të Lëvizjes N. Çl. të Shqipërisë.
Qafëzezi, pasi dha të kupëtohet, (me dokumente të gjalla të shpëtuara prej rrebeshevet të prasme), se jo vetëm qytetet po dhe çdo fshat i Shqipërisë, me një përpjekje të kolegëvet mësonjës, mundet të pajonet me një Histori të tijnë – duke zënë fill nga një horografi e fshatit: mëhallët, ndonjë lumë që e përshkon përmest apo rrethevet, ma le fusha etj.
Rrotull dhe më teja me toponomastikën e tyre, shkolla, kishë – xhamia, mirëbërësit e këtyre, të stolisura këto me çdofarë gojëdhënë që i përket themelimit të fshatit, legjendëra si ajo e grrindjes së Tomorit me Shpiragun e Beratit etj. Bëri një përshkrim të përmbledhur të “Kondikut Dhaskal Dhimitër Canco” sikundër pason:
1.Shkrimtari e ndan monumentin historik të tija në dy pjesë, pas delikatës së parë, e cila zë dhe vendin e titullit, me fjalët: “Së Ndreçurës Qinoti të Boboshticës, po i anatheset (i dedikonet kjo histori) e ç’përbërjes së Imlaqit … në ditët e … Sulltan Azizit në motin 1874…”.
Në pjesën e parë përkapet një parathënie me anë të së cilës Dhaskal Dhimitër Cancua, na thotë se nxitjën kryesorë për të shkruarit e këtij punimi, e pati prej ngjarjevet të ç’përbërjes së Imlaqit, domethënë të riblerjes së fshatit dhe të ç’këputurit prej regjimit të tij si Çiflik Shtetror (Imlaq – Pronjë shtetërore).
I pshtetur në dy gojëdhëna historike të vyera, të cilat i’a jep në Bukuresht më 1840, Arkond – Pitari Jovan Simo Gjerasi – Boboshtari, bujeri i Vojvodës Aleks Gjikë – Allbanezit (i pari Domnitor reglementary i Muntenisë, me kryeqytetet Bukureshtin, burrë zëmërbutë dhe mëmëdhetar”, conf. Dict. Saineanu f.905), thotë se të dyja këto fshatra, të rrënjosura këtu, prej kohësh të panjohura, janë nga disa bullgarë “shërbenjës të perandorëvet Bizantinë, të dëbuar për faje politike”, apo, sipas një tjatër gojëdhënë, prej valëvet të bullgarëvet të dëndurë në këto vënde, që nga Veriu mbi Jugë”.
Duke hyrë në themën kryesore të tija, Dhimitër Cancua na tregon bukur arsyet politike të kohës kur, Drenova më parë dhe Boboshtica më pas, janë të shtrënguara të ndënshtrohen në “Imlaqëra të Ali Pashës satrapit të Janinës”, në vitëret 1814 edhe 1817, të zezat e këqia të hequra prej “Spainjvet dhe Imlaqashinjvet” (1818 – 1874).
Në plot kapituj (IV-XIV) të faqevet 27-126, na jepet një përshkrim i imtërishmë edhe i rriedhmë i pesë herë “përpjekjevet për çlirimin prej Imlaqit”, me ndë ballë: nisiativën dhe përpjekjet fisnike të vetë mëmëdhedashësit Bujer Simo Gjerasi – Boboshtarit, i ikur prej këtij fshati “fëmijërisht, nga rrëmujërat e kohës”. Vëlen të ndënëvijonet një përpjekje të katërtë, për çlirimin e sëbashkmë të të dyja fshatravet, prej anës së Korçarit “Petro A. Kunxho (Kujunxhiut Drenovarit), cili me zotësirat e rralla të tija “bëri që të storaset në Korçë një ndënëkonsullatë Inglize, me ndënëkonsull Sir Xhorxhaqin”, etj.
Përpjekja e pestë dhe e përfundme, është ajo që bëjnë dy intelektualë fshatarë: Themel Sotir Kuneshka dhe sidomos i biri i këtija, Ligor Themeli, me shkrimtarin Dhimtër Canco. Projektet e këtyre të dyvet, të parashtruara me anë letërkëmbimesh Korçë – Boboshticë, nxirren në dritë dëshirën e zjarrme për të liruarit të Drenovë – Boboshticës “prej të zezavet të ckllavërisë së Imlaqit… me mëshirë të miletdashësit Sulltan Aziz”. Vuajtjet e këtyre, prej anës së qeverisë Osmanllie etj. Gjer në larjet e prasme të hesapevet imlaqore, të përshkruara aty me të tëra himëtimet, janë një kallvar i vërtetë.
Në kapitullin XIV të këtij monumenti historik, bëhet një “Përshkrim i fshatit Boboshticë)- “qytetth” – “komopolis”, i thotë konikografi i vyher – me toponomastikën sllave etj., si dhe me këtë kronikë të rëndësishme: “Përmbi lumin apo përrojin Turckë, është një urë me thollë të qereçtë, e cila u ndërtua më 18…(siç) me të prishura të mirëbërësit të math të qytetthit t’onë Qir Nikollaq Jovan Gjerasi, Vulefti (Deputat) në Bukuresht”.
Pjesa e dytë e Kondikut Canco, me rëndësi të shumë historike dhe kjo merret me jetëshkrimet e burravet më të ç’quar të fshatit të lulëzuar edhe me kronika shqipëtare të vhyera të Korçës, Boboshticës dhe Dardhës”.
Drenovë (Korçë) 7 Gusht 1945
Themisto Dodonari
Lexo edhe: