Muzeu i Luvrit në Paris, aktualisht është i mbyllur, për shkak të kufizimeve pandemike. Por, brenda atyre mureve gjendet një koleksion i fshehtë kryeveprash, që rrallë shfaqen për publikun. Më herët, Luvri priste deri në 10 milionë vizitorë në vit.
Tanimë, muzeu me famë botërore është bosh, përveç rojeve të sigurisë dhe disa punonjësve që merren me rinovime. Brenda, “Mona Lisa” ende buzëqesh në mënyrë enigmatike, mbi galeritë dhe kryeveprat e mëdha që varen në mure.
Por, këtu ka një thesar shumë më pak të njohur veprash – nëse dini ku të shikoni. Xavier Salmon është drejtori i Departamentit të Arteve Grafike të muzeut.
Biblioteka që ruan vizatime, punime me pastel dhe në miniaturë
Është një bibliotekë që ruan vizatime, punime me pastel dhe në miniaturë, të ruajtura në kushtet e duhura prej disa vitesh.
Që kur Luigji i 14-të i Francës filloi një fushatë blerjesh në shekullin e 17-të, Luvri ka grumbulluar një koleksion prej 250 mijë punimesh arti grafik. Që datojnë nga shekulli i 9-të deri në mesin e viteve 1800.
Por, nuk janë të ekspozuara në mënyrë të përhershme. Për publikun, departamenti ofron vetëm disa shembuj çdo katër muaj.
“Departamenti i Arteve Grafike të Luvrit është me të vërtetë departamenti i tij më i fshehtë sepse punimet tona. Nuk shfaqen përgjithmonë në dhomat e muzeut. Por, kjo është një minierë e jashtëzakonshme për historinë e krijimtarisë njerëzore. Pasi kemi bashkuar 250 mijë vepra arti në zemër të Luvrit, arte grafike – ato janë vizatime, pastel. Punime në miniaturë, që prej shekullit të 9-të deri më 1850, ilustrojnë të gjithë historinë e krijimtarisë – oksidentale – në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara” – thotë zoti Salmon.
Për ata që e dinë, departamenti është vendi për të parë veprën e Gaddi-t, të shekullit të 14-të, ‘Presentation de la Vierge au Temple’ (Prezantimi i Virgjëreshës së Tempullit).
Vizatimi më i vjetër i ruajtura në botë
“Këtu keni një vepër jashtëzakonisht të rëndësishme sepse është një nga vizatimet më të vjetra të ruajtura në botë. Një vizatim nga Taddeo Gaddi nga viti 1338, pra një vizatim i shekullit të 14-të. Ju e shihni se duke ndjekur Giotto-n (piktor i shekullit të 13-të), ne kemi lindjen e përdorimit të perspektivës. Me temën fetare këtu, quhet “Prezantimi i Virgjëreshës së tempullit” dhe mënyra delikate, me të cilën Gaddi punoi duke përdorur pigmente të përziera me ujë dhe më pas e kaloi atë mbi letër. Është spektakolare, ashtu si edhe mënyra sesi është ruajtur ky vizatim” -vazhdon, zoti Salmon.
Para pandemisë, Departamenti i Arteve Grafike mirëpriste rreth 800 vizitorë çdo vit – studentë, artistë, piktorë, ekspertë dhe të interesuar.
Atyre u duhej të kishin hulumtuar paraprakisht punimet që donin të shihnin dhe më pas. Të caktonin një takim për të vizituar këtë dhomë të veçantë konsultimi, për t’i parë punimet nga afër. Sigurisht, kjo nuk është më e mundshme.
Por, Salmon thotë se, ka mënyra sesi vizitorët të bëhen gati për momentin kur kjo bibliotekë, të jetë në gjendje të rihapet.
“Është jashtëzakonisht e trishtueshme që ne nuk jemi më në gjendje të mirëpresim vizitorët tanë të zakonshëm. Por fatmirësisht, i gjithë koleksioni gjendet në internet. Ata që duan të përgatiten për vizitën, kanë kohë të shkojnë në bazën tonë të të dhënave. Të shikojnë vizatimet me fotografitë dhe informacionin dhe pasi të kenë përgatitur udhëtimin në Paris, rrjedhimisht mund të vijnë këtu dhe t’i shohin vizatimet” – shpjegon ai.
Salmon ka shfrytëzuar mbylljen për të riorganizuar dhe rishpërndarë vendosjen e punimeve. Diçka që nuk do të ishte e mundur para pandemisë.
Është e paqartë se kur do t’i rihapë dyert Luvri, pas masave izoluese të 30 tetorit të shkuar, për shkak të kufizimeve ndaj COVID-19./konica.al