Vetë Aristoteli u mahnit në botën ilire

Filozof, mendimtar dhe shkencëtar i shquar i antikitetit, në veprën “De Mirabilibus Auscultationibus”, Aristoteli dëshmon për pasurinë e madhe në ar, që gjendet në tokat e fiseve pellazgo-ilire të Paionëve. Në Apolloni, ai ka mbetur i mahnitur nga currilat që shpërthejnë.

Ai citon banorët, sa i takon një vendi ku një zjarr qëndron i ndezur vazhdimisht përmes një hapësire rreth 10 metra katrorë. Këndej – thotë ai, – del një erë squfuri, përreth rritet një bar shumë i lartë dhe, ç’është më e çuditshme, jo larg ka drurë të mëdhenj. Aristoteli i identifikon ishujt e bregdetit dalmatin, si vendet ku nxirret qelibari, fillimisht në formë dylli e që më pas, forcohej e bëhej si gur.

Ky mblidhej nga banorët dhe dërgohej në Helladë. Sipas tij, thuhet se tek ilirët, gjëja e gjallë pjell dy herë në vit dhe më së shumti bëjnë binjakë, madje shumë, tre ose katër keca, disa pesë e më tepër duke garantuar edhe sasi të konsiderueshme qumështi. Filozofi vijon duke përmendur qetë e egra të Paionisë, që janë më të mëdhenj nga të gjithë ato që gjenden në popullsi të tjera.

Po ashtu, sipas tij edhe pulat nuk bëjnë një vezë si në vendet përreth, por dy ose tri herë në ditë. Një nga pasuritë më të mëdha, traditë e fiseve ilire, është edhe vera e mjaltit, që ka një vend të veçantë në mitologjitë dhe historinë (greke), romake, egjiptiane etj. Shpesh historianët, studiuesit, arkeologët nga vende të ndryshme të botës dhe në periudha po kaq të ndryshme, janë përballur në përpjekje për ta lidhur këtë traditë me popujt e tyre.

E megjithatë, Aristoteli verën e mjaltit e konsideron një mrekulli të fisit pellazg-ilir, të Taulantëve.

Ai e përshkruan kështu, në veprën e tij: “Ilirët e quajtur Taulantë, bëjnë verë prej mjaltit. Pasi i shtrydhin hojet, i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan derisa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin në enë prej balte dhe e lënë sa mbetet gjysma tjetër. Pastaj, lëngun e hedhin në enë prej druri. Këtu thonë se e lënë të fermentohet për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani, thonë se ajo bëhet edhe në disa vende te Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër, aq sa ishte a pamundur për kërkuesit ta dallonin”.

Në Iliri, Aristotelit i ka lënë mbresa edhe një kafshë e njohur me emrin bonasi, të cilën ai thotë se Paionët e quajnë monap. Ai e përshkruan të madh sa një dem, por edhe më të rëndë. Nuk është një kafshë e gjatë, por lëkura e saj kur rripet mund të mbulojë një shtresë ku të ulen shtatë vetë. Në formë i përngjan demit, por ka një krifë si të kalit që i arrin deri te shpatullat. Zëri është si i kaut, ndërsa brirët i kanë të përkulur e të pleksur, të përshtatshëm për mbrojtje, të gjatë një pëllëmbë apo diçka më shumë. Një tufë flokësh është vendosur në mënyrë të tillë midis dy syve, sa kafsha duket më mirë anash. Këmbët i ka të ashpra dhe thundrat e çara. Mishi i tij është një ushqim shumë i mirë dhe për këtë, shton Aristoteli, e gjuajnë. Aristoteli nuk mund të mos i kushtonte një vend të veçantë edhe qenve molosë që, sipas tij, ua kalojnë të tjerëve si për madhësi, ashtu edhe si guxim në përplasjet me kafshët e egra. Këtë racë mbante edhe Aleksandri i Madh, duke e quajtur peritas. Shumë autorë antikë, si: Eliani, Atheneu, Stefan Bizantini, apo më të vonshëm si britanikët Delabere Blaine, Thomas Brown, Georges Cuvier etj., e lidhin këtë racë me pellazgo-ilirët dhe Ilirinë. Për molosët kanë shkruar edhe mjaft autorë të tjerë, si shkrimtari romak Plini i Vjetër, apo filozofi dhe historiani, Plutarku.

Nga kjo racë më pas, sipas ekspertëve, kanë lindur shumë lloje të tjera, duke u kryqëzuar që në kohët më të lashta, duke qenë se, sipas të dhënave, molosët janë përdorur në betejat e Mbretërisë së Asirisë, keltëve e deri Atilës, mbretit të madh të hunëve. Shpesh, jo pa qëllim, tentohet të ngatërrohen dy raca autentike shqiptare: qeni i Sharrit dhe qeni Molos.

Aristoteli më tej, në veprën mbi historinë e kafshëve, shkruan se lopët e Epirit janë të mëdha, aq sa mjelësi duhet të qëndrojë thuajse në këmbë, duke u kërrusur vetëm pak. Më të mirat janë ato që quhen pirrike, që e kanë emrin nga mbreti Pirro.

Sigurisht, Aristoteli, që lindi në vitin 384 para Krishtit, ka lënë pas edhe shumë të dhëna të tjera, që përcjellin deri tek ne, atë pjesë të panjohur të Ilirisë dhe pasurive të mëdha./konica.al

LEXO EDHE: Si dukeshin fytyrat e Aristotelit, Homerit dhe Aleksandrit të Madh? Artisti italian kthehet qindra shekuj pas në kohë (FOTO)