Qendra e Botimeve për Diasporën “Kuteli në pesë gjuhë” sjell në italisht legjendat e Mujit, Halilit, Gjergj Elez Alisë, Ymer Agës, Kështjellës së Rozafës.
Legjendat e Mujit, Halilit, Gjergj Elez Alisë, Ymer Agës, Kështjellës së Rozafës etj tani do të flasin edhe në gjuhën italiane. Falë projektit të Qendrës së Botimeve për Diasporën “Kuteli në pesë gjuhë”. QBD ka publikuar tashmë falas online botimin dygjuhësh shqip-italisht, një përmbledhje të “Tregime të moçme shqiptare”. Përkthyer nga Eugenio Scalambrino dhe redaktuar nga Renata Martini në gjuhën italiane, transmeton ‘rtklive’.
Janë dhjetë tregimet e përzgjedhura nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, me autor Mitrush Kutelin. Të cilat do të jenë në pesë gjuhë, shqip-anglisht, shqip-italisht, shqip-greqisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht. Tregime të njohura si “Rozafati”, “E bija e Hënës dhe e Diellit”, “Besa e Kostandinit”, “Gjergj Elez Alia”, “Ymer Agë Ulqini”. “Muji dhe Zanat”, “Omeri i Ri”, “Dasma e Hysen Kraposhnikut”, “Halili pas vdekjes” dhe “Skënderbeu e Ballabani”.
Këto tregime dhe përralla do të shërbejnë për zgjerimin e njohurive, marrjen e informacionit. Dhe kultivimin e dijeve të nxënësve në Diasporë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën amtare. Ky botim shërben edhe si tekst ndihmës për shkollat në Diasporë. Me qëllim thellimin e njohurive të tyre mbi gjuhën shqipe.