Silvana Kola- Loka: Për lehtësinë e papërballueshme e të thënit “Jo!”

përputhen silvana heshtja


A i jeni përgjigjur dikujt “Po!” edhe pse do të donit të ishit përgjigjur “Jo!”?
Dhe këtë gjë e bëni vazhdimisht duke e futur veten në marrëdhënie apo situata ku, në të vërtetë, nuk do të dëshironit të gjendeshit?
Na ka ndodhur të gjithëve, apo jo?
Dhe pasi nuk kemi thënë “Jo!”, e kemi ‘ngrënë veten me dhëmbë’ duke u përpjekur për të kushedi të satën herë të kuptojmë nga na buron kjo paaftësi…


Sipas psikologëve, ne nuk themi “Jo!” sepse:
Besojmë se do lëndojmë tjetrin (dhe ne nuk duam që dikush të vuajë për shkakun tonë duke e bërë veten përgjegjës për situatën e tjetrit);
Mendojmë se është mungesë edukate (dhe ne nuk duam që të tjerët të na shikojnë me përçmim);
Druhemi se të tjerët do të mendojnë se jemi të dobët (dhe për ne dobësia është gabim);
Kemi frikë se do të na gjykojnë si njeri i vështirë (dhe ne duam që te shkojmë mirë me te gjithë dhe për gjithçka sepse kjo tregon zotësi);
E kemi bërë zakon të përgjigjemi vetëm “Po!” (dhe është i vetmi qendrim që njohim, gjithçka tjetër do të na nxirrte nga zona e sigurisë);
Kemi bindjen se të gjithë do të përgjigjeshin “Po!” (dhe mendojmë se ne nuk mund të bëhemi ‘delja e zezê’ e tufës)….
Turpi, faji dhe frika nga gjykimi negativ i të tjerëve qëndrojnë fort në themelet e paaftësisë tonë për të thënë “Jo!”…


“Të thuash “Jo!” nuk tregon gjithnjë mungesë bujarie ashtu sikurse të thuash “Po!” nuk është gjithnjë një virtyt”/ Paulo Coelho

ObserverKult