Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, më 30 prill 2021 hapet ekspozita ‘Synime’, e cila na vjen në kuadër të bashkëpunimit ndërministror Kosovë – Shqipëri dhe GKK – GKA, kuruar nga Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi. Për shkak të situatës Covid-19, ekspozita nuk do të shoqërohet nga një ceremoni inagurimi, por do të hapet për publikun dhe mediat nga ora 10:00 dhe për dy orë rresht kuratoret do ta prezantojnë punën e artisteve pjesëmarse. Ekspozita ‘Synime’ do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor, 2021.
Artistet pjesëmarrëse: Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi/ Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edit Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Eli Xoxa, Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu dhe Valbona Zherka.
Ekspozita “Synime” nxjerr në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Nisur nga synimi për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit, transmeton ‘gazetaexpress’.
Teksa shikojmë nga afër mënyrat e të ekzistuarit në fushën e artit, jemi të vetëdijshme për vendndodhjet e shumta në të cilat agjencia e grave është formuar, kontekstin politik dhe kulturor në të cilin punët e tyre marrin kuptim. Të vetëdijshme që esencializmat gjinor shpërndajnë dhe fiksojnë koncepte kulturore, duke përcaktuar çfarë gratë janë dhe çfarë ato mund të arrijnë, jemi në kërkim të rrëfimeve jo-njësuese të grave, metodologjive individuale, dhe pozicionimeve artistike që zbërthejnë, por edhe i ripërfshijnë ato në narrativat historike të arteve pamore.
Ekspozita ofron mundësi për diskutim të veprave të prodhuara nga gratë dhe konsideron trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot. Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar mbi artin dhe kulturën dhe në koleksionet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë dhe shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin dhe shprehjet artistike, si dhe vendin e gruas në të.
“Synime” paraqet pamje të praktikave të ndërthurura e të mbivendosura dhe diskutime mjaft të ndërlikuara për t’iu përmbajtur një narrative lineare. Për të evituar grackën e historizimit linear, ekspozita nuk ndjek një rend kronologjik. Në vend të kësaj, rrëfimi ndjek rrjedhën jolineare të praktikave të artit të grave. Synimi individual ishe një ndër strukturat kryesore që mbështeti gratë, dhe i pozicionoi ato brenda botës së artit. Ndërkohë që përpjekja e tyre ndihmoi në hapjen e fushë së artit dhe kulturës për praktikuese të tjera.
Jo të gjitha punimet e përzgjedhura rrjedhin nga një kontekst feminist. Por, shumë prej tyre ndërthuren me mendimin feminist duke problematizuar rendin patriarkal. Përmes një praktike fleksible dhe të vetëdijshme, ato tregojnë përkushtim për të rinegociuar konstruktet gjinore shoqërore dhe paraqesin mundësi të shumta për të ardhmet e grave në art.
Ekspozita “Synime” ka si qëllim të jap një kontribut në diskutimet feministe lokale, në vend që të shërbejë si një qëllim në vetvete. Ajo bazohet në katër struktura konceptuale: Arkivat e trupit; Gramatika e kujtesës; Anakronizma të vullnetshëm; dhe Përmbledhje poetike./Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi