Ka nisur mbrëmë edicioni i katërt i festivalit të leximit të dramës shqipe në Teatrin Kombëtar në Tiranë me leximin e veprës, “Kujtime të plagosura” të shkrimtares Diana Çuli.
Kjo dramë erdhi e lexuar dhe interpretuar me shumë mjeshtëri nga aktorët e njohur të teatrit si: Luli Bitri, Dritan Boriçi, Olta Daku, Ligoraq Riza, Dori Çaushi, Andia Xhunga, Genti Deçka, Myzafer Zifla, Luli Hoxha, Donald Shehu, Besmir Bitraku dhe nën mbikëqyrjen e regjisorit të teatrit Hervin Çuli.
Subjekti i dramës bën fjalë dhe zhvillohet në një restorant rustik buzë Vjosës ku poetja Ada Ristani dhe bashkëshorti i saj kanë ftuar miq të vjetër, por që jetojnë jashtë Shqipërisë, për të festuar takimin e tyre pas shumë vitesh. Malli, kujtimet, ndjeshmëria ndaj natyrës së veçantë po e mbushin këtë mbrëmje me shumë çaste të bukura. Por, dikush troket në derë, dikush që pas pak do të shpallë se ka ardhur me qëllimin për të zbuluar një histori të dikurshme, të dhimbshme, tragjike. Dhe ngjarja e ndodhur dekada më parë fillon e ringjallet përmes atyre që ata thonë, përmes pyetjeve të rënda, përmes rrëfimeve të çuditshme, përmes lëngatës që përjeton e zonja e lokalit, Gjena.
Dhe Vjosa aty pranë uturin e trishtuar për ato që dëgjon…
Në edicionin e katërt të konkursit “Netët e leximit të dramës shqipe” janë përzgjedhur për t’u lexuar veprat: “Djali me fytyrë zogu” Arian Krasniqi, “Muslimani” Enver Petrovci, “Departamenti i ëndrrave” Jeton Neziraj, “Pallati i ëndrrave” Altin Basha, “Pahitik në ëndërr” Xhabir Ahmeti, “Prefekti” (Rikonceptim” Besim Levonja, “Mea Culpa” Diana Çuli dhe “Duke pritur Gobon” Armand Bora. Pas suksesit që pati më herët me edicionet e tjera, ky teatër vendosi të risjell edhe njëherë tjetër këtë festival në edicionin e tij të katërt.
Sipas Teatrit Kombëtar, veprat më të mira të edicionit të katërt gjithashtu do të jenë pjesë e kalendarit artistik për vitin 2022./ATSH