Nga: Engjëll I. Berisha
SA POETIKE JETA…
I sigurt se leximi i kësaj vepre në zhurmën e këtij shekulli kur të trazojnë gjërat e përditshme, të ngjizë me ndjenjën për të mos qenë i dëshpëruar dhe trajton situata brenda perceptimit të gjendjes shpirtërore e cila e nxit mendimin negativë apo pozitivë për jetën. Mbase, duket vetëm poetike kjo, por kur jemi të heshtur dhe lexojmë diçka që na frymëzon, marrim një mekanizëm në trupin tonë që na thotë, mjaft keni heshtur, filloni të jetoni.
Gjuha e gjallë e një rrëfyesi me gjuhën e poezisë, është dashuria e poetit Julio Pavanetti, i cili na seron diçka mahnitëse nëse do ta kapësh me një përfytyrim botën sikur e do ti. Të gjithë provojmë ta kapim këtë fenomen, botën pra, sikur duam, gjë të cilën nuk e bëjmë dot, por jo të gjithë mund ta themi figurativisht sikur e thotë poeti Pavanetti, sepse ai e ndien dhe e gjykon moralisht, ku derisa po e lexoja për një moment thashë, – ky flet edhe për mua, edhe me gjuhën time. Kështu do ta parashtroja hyrjen e një shkrimi më të gjatë për poezitë e tij, ngase, po ngulmoja nga pasioni i tij estetik gjatë leximit, kur krejt gjuha e tij flet për kohën e mirë, me alegori për ndriçimin me diell i mbisunduar me imazhe për dashurinë me detin, pemët, frutat, dhe gjininë e bukur. Që ta duam krijesën dhe natyrën, duhet të kemi mençurinë e ta përdorim dashurinë në vend të frikës, ngase frika është përjashtuese.
Nuk është krejt njësojë, kur je i lumtur dhe jeton si i palumtur, apo edhe e kundërta. Këtu qëndron elementi që i jep identitet këtij poeti, tashmë përherë të parë në gjuhën shqipe, pra elemente që ta japin identitetin me qenë i lirë kur kërkon dhe me ditë çka kërkon. Pa e ditur në fakt se ç’jetë bën poeti, por nga poezia, marrë me mend se ai gjërat i shikon me dashuri dhe ka një burim në zemrën e tij që nuk i mbetet vetëm çastit, ngase këndimi përballë të bukurës, ashtu sikur e bën ai gati në çdo poezi, na jep vetveten, dhe krijon tek të tjerët, tek lexuesi atmosferë që bashkon përfytyrimet në një dinamikë jete.
Poetët zakonisht e sjellin fenomenin shoqëror e ambiental prej nga jetojnë, aty ku dhe frymëzohen, dhe e krijojnë personazhin gati në çdo figurë, madje edhe nga pemët e kopshtit të tyre. Në këtë rast, të paktën nga përzgjedhja e poezive që kemi në dorë, nuk e has personazhin e urryer, aty këtu kur zë në thua në struktura udhëheqëse, që zakonisht mund ti gjesh kudo në botë, por, ai e plotëson figurën e rrethuar me realizëm estetik prej nga i rrjedhë gjuha me lehtësi, herë herë jep aq shumë leksik, sa të duket se po ngul këmbë në mesazhin e tij. Ngul këmbë se poezia është krejt jeta e tij, se frymëzimi vjen edhe kur nuk dalin yjet, kur nuk ndriçon hëna, madje edhe kur fiken qirinjtë, që e forcon mendimin se nuk është poet i rastit, por harmonizon ëmbël dukuritë e shpirtit ne qenësi të asaj që e kemi për virtyt. Unë nuk e shoh si nevojë të jetë i mërzitur poeti për të shkruar si algoritëm në mes të emocioneve të mira dhe të këqija, ngase algoritmi jep shumë situata interesante që e përcaktojnë qëllimin e emocioneve. Këtu tek poeti Julio Pavanetti, lexuesi mëson se si ti kompozojë vargjet kur je i plagosur nga jeta. I vetmi rebelim i vjen kur thotë se: “Kam dashur ti shkruaj mendimet e mia/ duke ngritur pyetjet që më shqetësojnë/ duke denoncuar zemërimet dhe padrejtësitë/ duke treguar rebelimin tim të kundërt me tepricën/ refuzimi im absolut i despotizmit/ indinjata ime këmbëngulëse kundër të korruptuarve. Dhe sa i zgjatë revolta e cila nuk i rri në zemër, në të njëjtën poezi, duke mos shkuar më lartë me zemërimin: “Kam dashur të lë vetëm një varg/ – duke e ditur që unë jam vetëm pluhur -/ një mesazh dashurie për të ardhmen/ para se të vendosem në errësirën time.
Liria e shpirtit bëhet vlerë atëherë kur individi është i çliruar nga urrejtja, do të thoshte filozofia poetike, me qëllimin se të jesh lumtur është më mirë se të jesh i mërzitur.
Poeti Julio Pavanetti, me gjenezë nga, Uruguaj, e që migron në Spanjë, është ushqyer mirë me letërsinë sikur i themi të Amerikës latine, që ka dhënë krijues të nivelit botëror, duke marrë e duke i dhënë nektar edhe asaj spanjolle, na vjen për dhuratë të mirë për lexuesin në gjuhën shqipe, që ia vlen të studiohet, të lexohet dhe të përfshihet në përzgjedhje të veçanta./(epokaere)