Publikohen dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut, me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19-vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959.
Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991.
Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.
Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)
“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…
Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramëndëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perendimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vëndi ynë edhe pse i pakrahësueshëm me vëndet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Kryengritja
Menjëherë, pas këtij kërcënimi, porta nga kishim hyrë ne të tre, përballë përfaqësuesit të shtetit, u hap me rrapëllimë dhe u shfaq një djalë nga Mallakastra, Hajri Pashai, gjysmë i zhveshur, me një beretë bojë qielli në kokë, i cili i drejtoi gishtin Fiçorit, duke i thënë se ishte një mashtrues i madh e i pacipë.
– “Harroi, zotëria jote’- i foli me inat Hajriu, – ‘kur të arrestuan gjermanët për palaçollëqet që bëje me njësitet guerile të partizanëve dhe të burgosën vetëm tri orë, me çokollata e biskota të mbajtën, sepse ishe i ri, axhami. Kurse unë, Hajri Pashaj, 18 vjeç isha kur më arrestuat, pse shpreha dëshirën për të jetuar në një shtet tjetër, ku jetohet më mirë. Pa vrarë njeri, pa vjedhur, pa mashtruar, pa përdhunuar…! Po mbush të tridhjetat dhe ende kam për të vuajtur shumë vite në burg, sepse më dënuat rëndë. Jam i pa shpresë se një ditë do të lirohem nga kjo skëterrë që e krijuat ju, komunistët shqiptarë, për bashkëkombësit tuaj, që s’e ka njohur historia e njerëzimit. Jashtë çdo logjike njerëzore, hoqët edhe faljen për kundërshtarët tuaj politikë, që e keni bërë deri në vitin 1962… Aq të pa shpirt jeni…”?!
– “Kush jeni ju”? – pyeti Fiçori.
– “Zenel Brahushi e quajnë babain tim, nga fshati yt, bashkëfshatar me ty… Mirëpo, tani në botë keni mbetur vetëm me çinimaçinët, vazhdoi Hajriu… As miq, as shokë. Por edhe me ata jeni duke u prishur, ngaqë Kina e mbolli “Pemën e Miqësisë” me Amerikën. Ka ardhur dita për kriminelët e Tiranës, të vijnë këtu, ku jemi ne. Të punojnë në minierë e të hanë ushqimin e fëlliqur që po hamë ne dhe të pijnë këtë ujin e qelbur me acid…”! I fyer dhe i inatosur, Fiçori e ndërpreu:
– “Ohh, pse s’thua, ti qenke biri i babait, tiranit të plakave e pleqve të fshatit. Me këto mendtë të babait tënd paske për t’i tretur kockat këtu, në minierën e Spaçit…”?! Hajriu, hoqi beretën nga koka dhe i ngazëllyer që kish arritur t’ia thoshte ato që deshi bashkëfshatarit me pushtet, e kaloi beretën para barkut, deri poshtë shalëve dhe me një gjest krenarie, tha:
– “Të më rruani…., ju me shokët e Tiranës, more qen i bir qenit…”!
Fiçori, duke ikur i tërbuar, ulëriti: – “Do ta paguash me kokë çfarë the, more armik i betuar i pushtetit popullor”! Fill pas këtij debati armiqësor me përfaqësuesin e qeverisë erdhi ultimatumi me anë të megafonit, prej kryepolicit të shtetit, që përcaktonte afatin për t’u dorëzuar deri të nesërmen, në mëngjes. Ndryshe, ndërhyrja e shtetit do të ishte e pamëshirshme…!
Ultimatumi përsëritej çdo gjysmë ore me megafon, ndërsa ne, përgjigjeshim me thirrje luftarake: – “Vdekur po, Flamurin, jo”! “Ja vdekje, ja liri”! “Poshtë Komunizmi”! “Rroftë Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian”!
“Rroftë Shqipëria e lirë e demokratike”! Kjo luftë psikologjike vazhdoi deri në orët e vona të natës. Në të gëdhirë të ditës së tretë, pa ngrënë e pa pirë, të rraskapitur, me disa nga shokët e mi, të ndërgjegjshëm për çka kishim bërë e do të bënim, vendosëm të dremisnim një copë herë, sa për të mbledhur forcat për ditën e re që po vinte. Nuk mund të them sa kohë kisha dremitur, por i përhumbur në gjumë më bëhej sikur dikush më thërriste: “Bedri…., Bedriiii…, çohuu…, çohuuu…”!
Vetëm kur më shkundën me forcë, hapa sytë i shpërqendruar. Përreth shtratit ndodheshin shokët e mi të besës, Sadedin Taipi nga Shkodra, Mihal Shteto, nga Narta, Luigj Uci nga Shkodra, Feti Kumanaku nga Roskoveci etj. Sadedin Tahipi qe ai që tha, duke qarë me lot në sy: “Flamurin…Flamurin…e ulën… e ulën… e ulën…”!
Kërceva përpjetë. Pyeta nëse e dinin kush e kishte bërë këtë tradhti. Ata ngritën supet. Nxora thikën dhe thashë: – “Atëherë, shkojmë ta dënojmë tradhtarin”! Më kujtohet se erdhi Bashkim Fishta, djalë tiranas dhe na thotë se Flamurin e kishte ulur i zoti i bezes së kuqe, Rexhep Lazëri, dhe e kishte djegur. Kaq. E kërkuam dhe e gjetëm Rexhepin. Ai na pa dhe u afrua krahëhapur mes nesh.
– “Mos kini merak, tha, e kam fshehur Flamurin, që të mos e marrin kriminelët…”! E përmbajta veten.
– “Të mos kishte qenë mbulesa e jorganit tënd’, i thashë, ‘thikën në gurmaz do ta kishe tani…”!
– Megjithatë, turpi do të të mbetet ty, për këtë që ke bërë! – i tha Lukja, i sapoardhur.
Pastaj na u drejtua neve. Ishte me i rritur se të gjithë ne. – Gjithsesi, flamuri e bëri të vetën, djema. Na i dha forcën që i tmerruam kriminelët. Sido që të vijë puna, jemi krenarë për ç’ka bëmë këto tri ditë. Nuk jemi dorëzuar e s’do të dorëzohemi, edhe pa flamurin tonë të Kryengritjes. Turpi dhe përgjegjësia për fatin tonë në këto kushte, për sa mundëm të bënim, le tú mbetet të mëdhenjve të Botës, që i lenë kriminelët shqiptarë të vegjetojnë në mes të Europës. Dhe e shtyu tutje me të dyja duart në gjoks Rexhep Lazërin, mikun e vet dhe tonin.
Ai i binte kitarës dhe këndonte, ndërsa shokët dhe bashkëvuajtësit e tjerë kacafyteshin me sambistët…?! Duke përfituar nga ulja e Flamurit Kombëtar, pa yllin komunist, forcat e ushtrisë e të policisë vërshuan si të tërbuar, brenda në kamp. Ishte ende pa dalë dielli, që ndriçonte, së pari, faqen e malit të Munellës. Gati gjysma e të burgosurve ishin duke dremitur nga rraskapitja. Por, me forcat ushtarake dhe policët u përleshen trimërisht vetëm një pjesë e të rinjve dhe burrave të pamposhtur. Padyshim që fitorja këtë herë do të ishte në anën e rrethuesve të kampit, deri në sfilitje, por, ama, kjo epope mes të pabarabartëve, vlejti për kryengritësit pasi po vulosnin gjurmët e një çështje të madhe, për liri e demokraci…!
Përleshja trup me trup u bë më e përgjakshme e më dhimbshme se herë të tjera. Hakmarrja e forcave të shtetit ishte e fuqishme, çnjerëzore dhe e papërballueshme. U goditën pa mëshirë jo vetëm ata që rezistuan përballë tyre, por edhe njerëzit që flinin apo rrinin shtrirë nga sëmundjet e pleqërisë së thellë. Pa diskutim, me sambistët u përleshën trimërisht pikërisht të paharruarit, ata që u pushkatuan atë ditë me një gjyq të improvizuar, me anëtarët e Gjykatës së Lartë, nën komandën e zëvendësministrit Fiçor Shehu dhe mbështetjen e drejtorit të policisë Kasem Kaçit. Këta katër heronj të rinj të kombit: Dervish Bejkon, Pal Zefin,
Hajri Pashajn dhe Skender Dajën, i nxorën me barela, ose i tërhoqën zvarrë nëpër kalldrëmet e rrugës për te zyrat e Komandës. Pati zëra nga të burgosurit se, ata i çuan në zyrat e komandës, gati të vdekur…!
Skender Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi, Hajëri Pashaj, Rasti i Skender Dajës, këtë herë, ishte i paimagjinueshëm. Para se kampi të sulmohej nga forcat e shtetit, ai kishte dale mbi tarracën e banjove, ku zakonisht bëhej apeli i të burgosurve, i binte kitarës dhe këndonte këngë italiane. Atë e rrahën për vdekje sepse vazhdoi të këndonte edhe kur shokët e tij përlesheshin me sambistët e egërsuar të regjimit. Skënder Daja veçanërisht, kishte zë të bukur dhe këndonte vazhdimisht për shokët me kitarën e Vaçe Zelës, që ajo ia kishte sjellë për kujtim, Gëzim Çelës, nëpërmjet të ëmës së tij, në Lushnjë, komshi me këngëtaren legjendare të kombit shqiptar. Skenderi i ”vogël” ishte vëllai i Engjëllushe Dajës, që shkëlqeu me zërin e saj brilant, përkrahë Vaçe Zelës dhe këngëtarëve të tjerë të talentuar, në vitet gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë. Ndaj e tërhoqën zvarrë sambistët e tërbuar me këngë në gojë.
*****
Kam dashur shumë herë të shkruaj për një qenie të mrekullueshme që njoha në jetën time, në kampin – burg të Spaçit, Qysh të vogël, thoshin, se një dorë e mistershme e kishte futur brenda, në rrethimin e kampit dhe të burgosurit, e mbajtën të fshehur, deri sa ajo mori këmbët dhe e kuptoi dashurinë e tyre. Atë e ushqenin të gjithë me kënaqësi, madje, kishte raste që të burgosurit “grindeshin” kush e kush ta lante e pastronte trupin e Tartit, dhe ta mbante në krevatin e vet, ose të flinte krahëqafë, një cope herë me të. Ishte aq i afërt dhe i dashur me të burgosurit, saqë, askush nuk mund ta ndalonte që të dilte nga rrethimi, e t’i ngjitej malit, sa herë që brigadat e punës do të niseshin për të punuar në galeri. I vogël fare, Tarti (emrin ia vuri ai që e gjeti, të cilin nuk mund ta kundërshtonte njeri) ngulte këmbë, në shi e në diell, të shkonte me ta. Dilte fshehurazi nga rrethimi për të qenë së bashku me të munduarit, edhe pse vendet e punës ishin në faqe të malit, ku gjendeshin hyrjet e galerive të thella.
Ai lodhej deri atje, por të burgosurit, e lumturuar, e merrnin në krahë, si një bebe, deri sa ai çlodhej. Kështu vepronte përditë. Çonte të burgosurit në punë dhe merrte të tjerët. Nuk i ndahej shpirti nga ata njerëz të rraskapitur. Ishte fëmija i të gjithëve, miku i të gjithëve, vëlla i vogël i të gjithëve. Egërsohej me policët dhe u kërcëllinte dhëmbët sa herë ata torturonin të burgosurit. Rrinte gjithë kohën pranë atiyre që vuanin, të lidhur në “shtyllën e ndëshkimit”, nën rrezet e diellit përvëlues, apo në dëborën e ngrirë, pasi ata nuk mund të realizionin normën e punës… Tarti i lëpinte duart, këmbët, fytyrën të burgosurit që vuante dhe trupin e vet e mbështeste tek ai, për t’ia lehtësuar sado pak dhimbjet e trupit. Ai kacafytej me policët sa herë ata donin ta largonin nga i burgosurit që vuante, por Tarti u turrej edhe për t’í kafshuar, nëse ata nuk tërhiqeshin. I kishte pjellë belaja policët me të, por s’mund ta ndëshkonin. E dinin që, për Tartin e mrekullueshëm, të burgosurit linin kokën.
Në përleshjet midis të burgosurve dhe policëve të burgut, gjatë kryengritjes, Tarti u tërbua fare kundra policëve. I sulmonte vazhdimisht, duke i kafshuar sa mundte, para, prapa. Madje i rrëzonte në tokë dhe ua ngulte dhëmbët drejt e në zverrk. Të nesërmen e pushkatimit të katër heronjve dhe arrestimit të të burgosurve të shumtë, Tartin e helmuan njerëzit e komandës, brenda në kamp. Pastaj trupin e ngrirë, ushtarët e morën nga kampi i të burgosurve, dhe e varën në litar, matanë rrethimit, nën vështrimin e qindra të burgosurve, të cilët me lot në sy luteshin për shpirtin e Tartit…!
E dënuan si armik të popullit, si mbështetës i flaktë i kryengritjes së të burgosurve politikë dhe, bashkëpuntor me “organizatën e tyre kundërevolucionare, në burgun e Spaçit. Ai vdiq si hero, mbasi egërsia komuniste e shtypi revoltën Barbarisht…! Eh, kush nga të burgosurit nuk qau si fëmijë për vdekjen makabre të Tartit të shtrenjtë e të madhërishëm!
Ata ngushëllonin njeri-tjetrin me lot në sy, duke u shprehur krenarisht: “I pa harruar qoftë kujtimi i pesë heronjve tanë”!
*****
Fitimtarët bënë masakrën çnjerëzore me të burgosurit, sidomos ndaj të rinjve dhe atyre që vazhdonin të kundërshtonin, deri sa i detyruan të shtriheshin barkas në oborrin e kampit. Pastaj nxorën një nga oficerët e komandës, me një listë në dorë, ku bri të cilit qëndronte shërbëtori i tyre besnik, kryetari i Zyrës Teknike, i burgosuri Mehdi Noku nga Librazhdi. Shoqëronte oficerin e komandës, pasi kishte qëndruar mëse dy ore, lart, në zyrat e komandës, me zëvendësministrin e Brendshëm, Drejtorin e Policisë së Shtetit dhe kush e di se me cilin tjetër, ndoshta më të rëndësishëm se dy të parët. Oficeri i komandës, të cilin nuk e shihja, ngaqë sytë i kisha të mbuluar nga gjaku dhe enjtja, lexoi edhe tetë emra të tjerë, përveç atyre të marrë me barrela nga policët dhe sambistët e turrnit, menjëherë, sapo ata humbën ndjenjat nga goditjet e pamëshirshme dhe i çuan në komandë. Ishin, Pal Zefi, që u bë shkak për fillimin e revoltës dhe s’pranonte të punonte pa shpërblim për regjimin; Hajri Pashaj, që fyeu rëndë zëvendësministrin e Brendshëm; Dervish Bejko, si kryesor në përleshje me policinë dhe që i dëmtoi ata, si askush tjetër, Skender Daja, për thirrjen e famshme ushtarëve dhe civilëve që vigjëlonin vullnetarisht nëpër transhetë e hapur përreth kampit.
Të tjerë që i morën me listë, ishin njerëz që unë i doja dhe i adhuroja për antikomunizmin dhe patriotizmin e trashëguar brez pas brezi: Hodo Sokoli, nga Shkodra, i nipi i Hodo Sokolit të famshëm, që hyri në histori si udhëheqës ushtarak në luftë për të mbrojtur Ulqinin dhe qytetin të Shkodrës, më 1878 – 1881, nga malazezët; Sami Dangëllia, i burgosur politikë, qysh në ditët e para të pushtetit komunist, i cili u bë i famshëm në botë, kampion, me 41 vjet burg; Luan Koka nga Vlora, me prejardhje tregtare dhe nacionalist. U arrestua me djalin e tezes, të cilin e dënuan me pushkatim për diversion kundra regjimit komunist, ndërsa Luanin e dënuan me njëzetepesë vjet burg. Lukja, miku im, për fyerjen që i bëri në mënyrë të dukshme Drejtorit të Policisë së Shtetit. Të tjerët ishin nga ata që u përballën me forcat sambiste dhe policët e ardhur nga repartet speciale, duke shkaktuar të plagosur në radhët e tyre.
Këta ishin: Syrja Lame, Jorgo Papa dhe Dashnor Kazazi. Ndërsa Paulin Vata, i’u bashkëngjit të pareve, si një njeri që dinte më shumë nga ç’duhej për të fshehtat e shtetit e të qeverisë, për t’a eliminuar së bashku me këta. Të dymbëdhjetët u arrestuan me urgjencë dhe u dënuan po atë ditë në zyrat e komandës, në prani të zëvendësministrit të brendshëm dhe disa të panjohurve, të dërguar kinse nga udhëheqja më e lartë e struktures shtetërore, për të dhënë informacione të drejtpërdrejta dhe të sigurta. Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal, i ardhur me helicopter nga Tirana, që i dënoi ata, përbëhej nga: Ilmi Telegrafi, antar i Gjykatës së Lartë; Ymer Aliko, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë; Mit’hat Goskova edhe ai Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë famëkeqe. Me asistimin e Sekretarit Ylli Mahmudaj dhe me pjesëmarrjen e prokurorit para Gjykatës së Lartë, Zaim Miftari.
Këta shërbëtorë të devotshëm të kriminelëve komunistë, kërkuan dënimin me vdekjen – pushkatim për të dymbëdhjetët. Kjo ishte sipas udhëzimeve të para, me siguri nga zëvendësministri e të tjerë përreth tij, me vjegën se vetëm ashtu mund të shtinin në dorë situatën. Pushkatimi i tyre mundësisht të bëhej brenda në kamp, para të burgosurve…! Por, ardhja e një urdhri rrufe nga instanca e lartë e partisë – shtet, e detyroi trupin gjykues që të ridënonte me vdekje-pushkatim vetëm katër vetë, madje më të rinjtë. Dhe pikërisht u zgjodhën ata që kishin qenë shpirti dhe fuqia e asaj kryengritjeje: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajëri Pashaj dhe Pal Zefi.
Me ndryshimin e urdhrit, ata të katërt, ndoshta të vdekur që në zyrat e komandës, nga dufi i hakmarrjes, po atë ditë, i çuan “për t’i pushkatuar”, apo varrosur në ndonjë vend të fshehtë, pranë bregut të lumit Fan. Tetë të tjerët, dënuar të gjithë me nga 25 vite burg, i nisën drejt burgut të mbyllur, për të cilin përdorej shprehja e famshme: “Burrel, ku hyn, nuk del”! /Memorie.al