Këngëtarja, Ronela Hajati, ka rikthyer këngën “A do të vish”, të kënduar nga Luan Zhegu në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, në vitin 1987. Teksti i shkruar nga Agim Doçi, muzika e krijuar nga Osman Mula kanë ardhur ditë më parë në zërin e Ronela Hajatit dhe reperit Vig Popa, me disa miksime të vogla, për të krijuar një atmosferë verore.
Por ajo që bie që në momentin e parë në sy është fakti se në referencat e kanalit në Youtube, në tekstin bashkëngjitur këngës, Hajati nuk ka përmendur në asnjë rresht autorin e vargjeve, poetin Agim Doçi, i cili ia “dhuroi” tekstin kompozitorit Osman Mula në interpretimin e shkëlqyer të Luan Zhegut.
Hajati i ka “rënë shkurt” me citimet në kanalin në Youtube, por ajo nuk ka harruar të citojë të tjerë bashkëpunëtorë të saj, si Zajmina Vasjari, e cila është kujdesur për paraqitjen e saj të jashtme. Ndërsa për të drejtat e autorit në këtë “remake”, ku Hajati nuk ka përdorur vetëm në sfond zërin e Luan Zhegut, por edhe ka kënduar vetë vargjet e Agim Doçit, nuk ka asnjë citim.
‘Dosja.al’ kontaktoi me Agim Doçin, autorin e këtij teksti, i cili u treguar mjaft i prerë kur tha se ‘hajdutët do të ndëshkohen’, duke paralajmëruar një padi në gjykatë për të drejtat e autorit.
“Hajdutët do ndëshkohen pa tjetër. Muzika: OSMAN MULA. TEKSTI: AGIM DOÇI. INTERPRETUES: LUAN ZHEGU. ÇMIMI II VITI 1987 NË FEST,”- tha Doçi për “Dosja.al”.
Deri më tani Ronela Hajati nuk ka reaguar për këtë gjë.