Kur sakrifikojnë gjithçka për dashurinë, ja tri çifte të njohura që e bënë këtë gjë

Ca dashuri janë kaq të bukura, sa na i justifikojnë të gjitha marrëzitë që bëjmë./Plutark

Te filozofi Pier Abelard bie në sy lidhja e tij me racionalizmin, meqenëse jetoi në një epokë ku mbizotëronin të vërtetat absolute të kishës. Filozofi i famshëm francez ishte pararendës i kohërave të tij. Po ashtu, ai jetoi një nga historitë më tragjike të dashurisë në histori. Abelardi ishte gjeniu që krijoi legjendën e vet.

Edhe pse më së shumti mbahet mend për marrëdhënien e stuhishme me Eloizën, ai ishte një intelektual i rangut të parë. Mbi të gjitha, një filozof që kërkonte të fuste logjikën racionale në fe. Gjithë jeta e tij u zhvillua nën stigmën e mosmarrëveshjes. Ai e donte dialektikën dhe vazhdimisht përfshihej në polemika, për të cilat asokohe u vu në lojë. Megjithatë, ai ofroi kontributin e vet me reflektime të rëndësishme dhe me mendimin që devijoi nga të vërtetat absolute të mesjetës dhe racionalizmit të parashikuar.

Një pjesë të madhe të punës u detyrua ta digjte, sidoqoftë “Historia e fatkeqësive të mia” ka ardhur deri në ditët tona, një shkrim autobiografik ku Abelardi vajton momentet e tij më të hidhura.

Dashuria gjithmonë ka pasur diçka magjike, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodh. Gjithçka ndryshon, në njëfarë mënyre gjithçka mbushet me poezi dhe i transformon të dashuruarit. Duket sikur u jep krahë dhe rinovon forcën dhe energjinë e tyre me një vitaminë të veçantë, karakteristike.

Si provë e fuqisë së saj për të magjepsur zemrat, po japim historinë e tri dashurive të mëdha historike dhe të paharrueshme, marrëdhënie, që, për një arsye ose një tjetër, kanë kapërcyer kufijtë e normales: u është dashur të fitojnë dhe të kapërcejnë pengesa të mëdha ose t’u nënshtroheshin atyre. Përkundër fatkeqësive, ata i qëndruan besnikë dashurisë, duke hyrë kështu edhe në histori.

Manuela dhe Bolivari, një nga marrëdhëniet më të bukura romantike në histori

Manuela Saenz ishte një grua, që kishte gjithçka që mund të dëshironte. Vinte nga një familje e pasur dhe ishte e martuar me një anglez që e adhuronte. Ajo ishte e re, e bukur dhe një nga figurat më të respektuara në qytetin e Quito-s (Ekuador). Ditën që provinca fitoi pavarësinë, ndryshoi përgjithmonë edhe jeta e Manuelës.

U organizua një ballo, ku ajo takoi burrin që do ta donte deri në vdekje: Simon Bolivarin. Manuela la të shoqin, atdheun dhe rehatinë, për të ndjekur çlirimtarin. Bolivari e quante “Bukuroshja ime e çmendur”. Ajo e ndoqi atë në kazermat dhe luftoi kundër ushtrisë kreole, duke fituar gradën e kapitenit.

Gjithsesi, ajo që e bëri këtë çift një nga historitë më të mëdha të dashurisë ishte veprimi i guximshëm i Manuelës në të ashtuquajturin “komploti i shtatorit”. Armiqtë e Bolivarit u përpoqën ta vrisnin, por Manuela u përball me shpatë në dorë, duke e lejuar Bolivarin të shpëtonte dhe hyri në histori si “çlirimtarja e Çlirimtarit”, transmeton ‘konica.al’.

Abelardi dhe Eloiza

Edhe Abelardi dhe Eloiza shkruan një nga historitë më të mëdha të dashurisë në histori. Pier Abelardin e bëri të famshëm marrëdhënia e trazuar me Eloizën, e cila konsiderohej një nga gratë më të famshme të epokës së saj.

Ai ishte mjeshtri i saj, kur ajo sapo kishte mbushur 16 vjeç. U dashuruan marrëzisht dhe ajo mbeti shtatzënë, diçka e pazakontë në atë kohë. Abelardi e rrëmbeu për ta çuar në shtëpinë e së motrës, ku lindi edhe Astrolabe, që qëndroi në kujdesin e prindërve. Më pas, u martuan në fshehtësi, në mënyrë që të mos prishnin karrierën ekleziastike të Abelardit.

Xhaxhai, kujdestari i Eloizës, e qortoi për që ai refuzonte ta bënte publike martesën. Madje, e rrahu disa herë atë. Abelardi e çoi Eloizën në një urdhër fetar për ta mbrojtur nga xhaxhai. Ky i fundit, i tërbuar, trodhi Abelardin.

Dy të dashuruarit nuk u panë kurrë më pas, megjithatë nuk i ndërprenë asnjëherë kontaktet dhe mbajtën një marrëdhënie epistolare. Letërkëmbimet e tyre konsiderohen si një nga veprat më të mëdha të letërsisë franceze. Në shekullin e 19-të, ata u varrosën në Paris, në të njëjtin varr.

Eduardi VIII dhe Uolli Simpson

Një tjetër histori e madhe dashurie është ajo e Eduardit VIII dhe Uolli Simpson. Marrëdhënia e tyre fitoi famë botërore, pasi Eduardi VIII hoqi dorë nga froni i Anglisë për t’u martuar me Uolli Simpsonin.

Nuk ishin të pakta ata që panë tek çifti të dashuruarit më romantikë të shekullit të 20-të, ndërsa të tjerët e konsideruan më shumë si një romancë të parëndësishme. Anglezët nuk ia falën kurrë sovranit këtë vendimmarrje. Marrëdhëniet e bukura romantike ndonjëherë përfshihen në çështje më praktike, siç është pushteti.

Ishte viti 1936 dhe Evropa ishte thuajse në luftë. Eduardi VIII njihej si kapriçoz dhe i dobët. Madje, Çërçilli shkoi deri atje sa të thoshte, se e gjithë Britania duhej ta falënderonte Uolli Simpsonin që e shpëtoi vendin nga mbreti më i keq që ka pasur ndonjëherë. Trashëgimtari i kurorës u dashurua kokë e këmbë me të, si rrjedhojë hoqi dorë nga gjithçka për të qenë pranë saj. Ajo që pasoi ishte shqetësuese.

Çifti bëri një jetë krejt të pavlerë, nga festa në festë, nga udhëtimi në udhëtim. Sa më shumë që ajo e poshtëronte, aq më shumë ai e donte. Ai duroi gjithçka, madje edhe pabesitë e saj.

————-

Lexo edhe:

Letër dashurie: Ti më keqkupton disi, ndërsa unë jam pothuajse në një mendje me ty…