Këngëtarja shqiptare, Hersi Matmuja, jeton në Itali prej më shumë se 10 vitesh.
Së fundmi ajo ka publikuar këngën më të re të quajtur “Kënga e Çobanit”, një këngë e trevës së Kukësit.
E ftuar në ABC News, Hersi ka treguar se ka në plan të organizojë një festival në Kukës, nga dhe është prejardhja e saj. Festivali do të mbajë titullin “Gjallica International Festival”, i cili ka për qëllim për të promovuar kulturën dhe traditat shqiptare.
Përsa i përket këngës së re, ajo thotë se klipi është xhiruar në Kukës jo vetëm për faktin se kënga është lumjane por, siç shtoi ajo, donte të promovonte bukuritë natyrore të zonës.
“Aty gjendet dhe nëna ime. Kjo është kënduar nga femrat dhe e kam parë nga një femër që pret çobanin, të birin, vëllain, burrin. Veshja e Lumës të jep ndjesinë sikur futesh në rol, sikur ndjen të gjithë njerëzit që e kanë mbajtur duke ecur nëpër gurë me këtë veshje. Çdo gjë është bërë njësh me natyrën. Doja t’i bëja homazh dhe bukurive të natyrës së Kukësit”, tha ajo.
Hersi ka mbaruar studimet e larta në Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës në vitin 2014 dhe ka një karrierë të suksesshme artistike.