Një festival për njohjen e traditave shqiptare është synimi i Hersi Matmujës përmes festivalit në Kukës, prej nga është dhe prejardhja e saj.
Në promovimin e Festivalit vetë Hersi thotë se u kthye në vendlindje pas 25 vitesh për një vizitë të vogël, por që realizojë ëndrrën që ka pasur gjithmonë.
“Mbas 25 vitesh u ktheva në vendlindje, ishte një vizitë e vogel e thjesht por që realizoj një ëndërr që kisha pasur gjithmonë. Gjëja e parë që më goditi sapo arrita në Kukës është ai gjigand me zemër të bardhë që ne e quajme të gjithë Gjallica. Forca e mikpritja që të trasmeton ai mal është e papërshkrueshme me fjalë. Duke u kthyer mbas koncertit shikoja fotot dhe mallëngjehesha ndoshta kurbeti po na bën më të ndjeshem, gjithesesi teksa vëzhgoja Gjallicën deshira rritej për ta homazhur në ndonjë formë për bukurinë që më ka falur mua në femijëri e të gjithë kuksianeve në shekuj”, shprehet Hersi.
Hersi ka zgjedhur talentet e rinj të Kukësit si pjesëmarrës në këtë event me dëshirën për t’i promovuar, si dhe duke ftuar miqtë e saj nga vende të ndryshme të botës. Festivali mbahet në datat 2-3-4 gusht në Kukës, në sheshin “Skënderbej”.
Hersi pak më herët ka publikuar dhe këngën e saj “Kënga e Çobanit” videoklipi i së cilës është xhiruar sërish në Kukës. “Aty gjendet dhe nëna ime. Kjo është kënduar nga femrat dhe e kam parë nga një femër që pret çobanin, të birin, vëllain, burrin. Veshja e Lumës të jep ndjesinë sikur futesh në rol, sikur ndjen të gjithë njerëzit që e kanë mbajtur duke ecur nëpër gurë me këtë veshje. Çdo gjë është bërë njësh me natyrën. Doja t’i bëja homazh dhe bukurive të natyrës së Kukësit”, ka thënë më herët Hersi.
Këngëtarja shqiptare Hersi Matmuja, jeton në Itali prej më shumë se 10 vitesh. Ajo ka mbaruar studimet e larta në Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës në vitin 2014 dhe ka një karrierë të suksesshme artistike./diasporashqiptare.al